Sekretari amerikan Marco Rubio nisi sot vizitën në Izrael
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, nisi vizitën e tij në Izrael më 14 shtator, pasi shprehu mbështetjen e fuqishme të administratës amerikane për Izraelin në luftën siç thuhet kundër Hamasit, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Vizita e kryediplomatit amerikan zhvillohet pasi presidenti amerikan, Donald Trump, qortoi Izraelin për sulmin e paprecedent në Doha të Katarit më herët gjatë javës, kur Izraeli pretendon se”shënjestroi udhëheqësit e Hamasit”.
Kjo ishte hera e parë që Izraeli kreu një sulm ndaj Katarit, aleatit të SHBA-së, sulm që ka rritur presionin ndaj përpjekjeve diplomatike për të arritur një armëpushim në Gazë.
Por, ai shtoi se SHBA-ja dhe Izraeli “do të flasin lidhur me” ndikimin e sulmit ndaj përpjekjeve për armëpushim.
Të premten, Trump u takua me kryeministrin e Katarit, Sheik Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, ndërkaq vizita e Rubios zhvillohet para se udhëheqësit arabë dhe myslimanë do të takohen të hënën në Doha për të shprehur solidaritet me shtetin e Gjirit Persik pas sulmit ajror izraelit.
Takimet e tij kryesore me zyrtarë, përfshirë Netanyahun, do të zhvillohen të hënën, përpara se kryediplomati amerikan të largohet nga Izraeli të martën.
Në ditët e fundit, Izraeli ka intensifikuar përpjekjet për të marrë nën kontroll Qytetin e Gazës, qendrën më të madhe urbane të territorit palestinez, duke u thënë banorëve të evakuohen dhe duke sulmuar ndërtesa shumëkatëshe që thotë se përdoren nga Hamasi.
Sipas Kombeve të Bashkuara, në Qytetin e Gazës jetojnë rreth 1 milion persona. Në këtë qytet, OKB-ja ka shpallur gjendjen e urisë.
Lufta në Gazë nisi më 7 tetor 2023 dhe që atëherë në Gaza janë vrarë më shumë se 64.000 palestinezë.