Scholzi i përgjigjet Elon Musk-ut

Kancelari gjerman Olaf Scholz u tha votuesve se do të jenë ata që do të vendosin rezultatin e zgjedhjeve të 23 shkurtit në Gjermani dhe jo pronarët e rrjeteve sociale, duke iu referuar kështu komenteve të padronit të rrjetit “X”, Elon Musk, raporton Euronews.

Publikisht, Musk shprehu mbështetjen për partinë ekstremiste gjermane Alternativa për Gjermaninë, AfD, së pari në platformën e tij dhe më pas për gazetën gjermane “Welt am Sonntag”.

“Në përgjithësi, dikush mund të mendojë se sa më ekstrem është opinioni i tij, aq më shumë vëmendje merr. Por nuk është personi që bërtet më shumë ai që vendos se si do të vijojnë gjërat në Gjermani. Është shumica e njerëzve të arsyeshëm të vendit”, deklaroi Scholz.

Edhe pse nuk u përmend nga kancelari, miliarderi Musk, themelues i kompanisë “Tesla” dhe person i afërt me presidentin e zgjedhur Donald Trump, ka shkaktuar zhurmë në Gjermani duke mbështetur AfD-në.

Musk ka insistuar se mbështet politikat ekonomike të kësaj partie dhe ka insistuar se ajo nuk duhet të etiketohet si subjekt i së “djathtës ekstreme”.

Ditën e hënë, një zëdhënës i qeverisë gjermane deklaroi se komentet e Musk tregojnë se ai po përpiqet të influencojë zgjedhjet e ardhshme dhe se po inkurajojë votuesit të hedhin votën në favor të një partie e klasifikuar si “organizatë e dyshuar terroriste”.

Politikanë të shumtë reaguan ndaj qëndrimit të miliarderit amerikan, duke e krahasuar atë me presidentin rus Vladimir Putin, i cili sipas tyre kërkon të ndërhyjë në zgjedhjet gjermane.