Plani i Rritjes u mundëson vendeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor të arrijnë standardet evropiane më shpejt dhe në mënyrë më efikase edhe para se të bëhen anëtare të BE-së. Ishte ky përfundimi i panelit të organizuar nga Instituti për demokraci “Societas Civilis”. Deputetë të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe hulumtues të çështjeve eurointegruese, prezantuan pikëpamjet e tyre për progresin e RMV-së në Procesin e Berlinit dhe Planin e rritjes, shkruan Portalb.mk.
Bojan Stojanovski deputet i VMRO-DPMNE-së dhe kryetar i Komisionit për Çështje Ekonomike, Punë dhe Politikë Energjetike veçoi se Plani i Rritjes është një nga iniciativat më të mira të BE.
“Ne jemi kampion në kthimin e mjeteve të BE-së. Prandaj, duuhet të bëjmë përpjekje dhe presion që plani i rritjes të zbatohet sa më mirë. Ne mund të tërheqim mjete dhe t’i zbatojmë projektet. Digjitalizimi është i rëndësishëm për vendin. Klientelizmi çrrënjoset vetëm përmes digjitalizimit. Ju gënjen dikush nëse ju thotë se po e lufton klientelizmin nëse nuk flet paralelisht edhe për digjitalizimin”, tha deputeti Stojanovski.
Venko Filipçe, deputet i LSDM-së, kryetar i Këshillit Nacional për Eurointegrime theksoi se vendin e pret shumë punë në procesin eurointegrues.
“Na pret shumë punë. Numri më i madh i qytetarëve nuk janë të informuar për rëndësinë e BE-së. Kanë vetëm perceptimin e përgjithshëm, si lëvizjen e lirë. Nuk e dinë se përmes BE-së forcohet sistemi, forcohet mënyra e jetesës. Në përpilimin e zgjidhjeve ligjore na duhet inkluzivitet më i madh. Gjithëpërfshirja nënkupton sjellje të ligjeve më të mira. Apeloj organizatat që të gjejmë zgjidhjen me inkluzivitet më të madh në përgatitjen e ligjeve. Nga përvoja personale përfundoj se gjithmonë kur kemi marr vendime pa inkluzivitet kemi pasur probleme”, tha deputeti Filipçe.
Jasmina Petkovska, anëtare e grupit punues rajonal për Agjendë të gjelbër në Ballkanin Perëndimor në Këshillin për Bashkëpunim rajonal kujtoi rëndësinë e agjendës së gjelbër.
“Agjenda e gjelbër kerkon bashkëpunim, por edhe vizion. Është e rëndësishme përkrahja e BE-së dhe nismat rajonale”.
Nga ana tjetër, në ngjarje, hulumtues të fushës përkatëse prezantuan Raport nga mbikëqyrja e Planeve të veprimit.
Kujtojmë se, 750 milionë euro nga Plani i Rritjes së BE-së për reforma janë të planifikuara për Maqedoninë e Veriut. Në intervistën e fundit për Portalb.mk Steffen Hudolin, shef i Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Maqedoninë e Veriut shpjegoi strategjinë pas mbështetjes financiare, rolin kritik të agjendës së reformave dhe se si BE po siguron që qytetarët të fillojnë të ndiejnë përfitimet e integrimit para anëtarësimit formal.