Rritje e rasteve me grip sezonal në RMV: Mjekët paralajmërojnë kujdes, institucionet nxisin vaksinimin
Ndryshimi i motit dhe luhatjet e shpejta të temperaturave po ndikojnë në dobësimin e imunitetit të popullatës në Maqedoninë e Veriut, duke favorizuar përhapjen e gripit sezonal dhe infeksioneve të tjera respiratore. Nga sektori shëndetësor paralajmërojnë se numri i të sëmurëve është në rritje dhe nxisin qytetarët të vaksinohen dhe të respektojnë masat mbrojtëse, shkruan Portalb.mk.
Rastet me grip në rritje
Sipas raportit të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), gjatë javës së 46 të vitit 2025 (10 – 16 nëntor) janë regjistruar 117 raste me grip dhe sëmundje të ngjashme, apo rritje prej 82.8% krahasuar me javën e 45 të sezonit të kaluar.
Sipas ISHP-së më shumë raste ka në Gostivar, Kumanovë dhe Tetovë.
Grupmosha më e prekur mbetet ajo 15–64 vjeç, ku përfshihen 262 raste (77.5%).
Gjatë kësaj jave u regjistrua edhe një rast pozitiv me Covid-19.

Kamberi: Sezon i gripit dhe viruseve
Mjeku i përgjithshëm Benjamin Kamberi thotë se me rënien e temperaturave dhe rritja e lagështisë së ajrit, sistemi imunitar i njerëzve dobësohet, gjë që lehtëson hyrjen e viruseve të ndryshme në organizëm.

“Në motet e ftohta janë të pranishëm shumë viruse, por më së shumti dominojnë ato të traktit respirator, si virusi i influencës A dhe B, virusi sincicial respirator (RSV), rinovirusi dhe adenovirusi. Ky ndryshim klimatik paraqet rrezik të shtuar për personat që vuajnë nga sëmundje kronike të traktit respirator, sepse mund të përkeqësohet gjendja e tyre dhe rritet rreziku i infeksioneve bakteriale”, tha Kamberi.
Ai shpjegon se simptomat më të shpeshta janë sekrecioni nga hunda, dhimbja e fytit dhe teshtitjet, të cilat zgjatin zakonisht 3-5 ditë. Më pas shfaqet kollë, e cila në fillim është e thatë, por më vonë mund të bëhet produktive.
“Intensiteti i simptomave varet nga rezistenca e sistemit imunitar të secilit,” shtoi ai.
Kamberi rekomandon që fillimisht të përdoret vetëm terapia simptomatike për të lehtësuar shqetësimet dhe të mos përdoren ilaçe shtesë pa këshillën e mjekut, për shkak të efekteve të mundshme negative.
Ai nënvizon se personat në moshë të shtyrë dhe ata me sëmundje kronike duhet të vaksinohen kundër gripit sezonal, për t’u mbrojtur dhe për të lehtësuar përballjen me virusin.
Masat parandaluese
Instituti i Shëndetit Publik rekomandon disa masa për parandalim të grimit dhe sëmundjeve akute të frymëmarrjes, edhe atë
- Evitoni grumbullimin dhe qëndrimin në dhoma ku qëndrojnë më shumë njerëz, sidomos kontaktin e ngushtë me njerëz që janë të sëmurë ose që kolliten, teshtijnë, kanë temperaturë të lartë të trupit.
- Lani duart shpesh me sapun dhe ujë ose me dezinfektues.
- Ngrohni dhomat në të cilat qëndroni dhe ajrosini ato shpesh.
- Këshillohet të vishni rroba të ngrohta, në disa shtresa, të bëni banjo të ngrohta.
- Pini pije të nxehta (çajra dhe supa), lëngje frutash, ujë me limon.
- Hani produkte të freskëta të pasura me vitamina dhe minerale, më së miri fruta dhe perime që janë më të mira e të nevojshme për trupin. Produktet e pasura me vitaminë C (limona, portokalle) janë veçanërisht të dobishme. Nëse produktet ushqimore të freskëta nuk janë gjithmonë të disponueshme, mund të përdoren edhe pije dhe preparate multivitaminike.
- Praktikoni një stil jetese dhe zakone të shëndetshme, duke përfshirë këtu gjumin dhe pushimin e mirë, të ushqyerit e shëndetshëm, ruajtjen e aktivitetit fizik dhe mendor dhe uljen e stresit
Çfarë duhet të bëni nëse sëmureni nga gripi?
Në rast se jeni në sëmurë me grip, ISHP rekomandon këto masa:
- Qëndroni në shtëpi dhe mos shkoni në punë, shkollë ose në vende ku ka shumë njerëz.
- Pushoni dhe konsumoni shumë lëngje dhe ushqime të lehta.
- Shmangni kontaktin e ngushtë me njerëzit me të cilët jetoni, mos pranoni vizitorë ndërsa jeni të sëmurë.
- Mbuloni hundën dhe gojën me një pecetë kur kolliteni dhe teshtini. Pas përdorimit, hidhini ato në plehra.
- Mbani maskë mbrojtëse kur kontaktoni me të afërmit tuaj në shtëpi, kur kolliteni dhe teshtini.
- Praktikoni larjen e shpeshtë dhe të plotë të duarve me ujë të ngrohtë dhe sapun.
- Përdorni peceta të lagta që përmbajnë alkool ose dezinfektues për pastrimin e duarve.
- Shmangni prekjen e syve, hundës dhe gojës me duar.
- Ajrosni shpesh dhomën ku qëndroni gjatë kohës që jeni të sëmurë.
- Mbajeni mjedisin tuaj të pastër – objekte, sipërfaqe, me produkte higjienike shtëpiake.
- Nëse jeni mbi 65 vjet ose keni sëmundje kronike, ose nëse simptomat e sëmundjes përkeqësohen ose zgjasin për disa ditë – kërkoni ndihmë mjekësore.
Rekomandohet vaksinimi
Autoritetet shëndetësore rekomandojnë se vaksinimi kundër gripit është mbrojtja më e mirë nga kjo sëmundje, prandaj Instituti i shëndetit publik e rekomandon atë për të gjithë popullatën, sidomos për personat që përkasin në grupet vullnerable (sipas rekomandimeve të OBSH-së): Personat e moshuar (mbi 65 vjet), fëmijët në moshë nga 6 deri në 59 muaj, personat mbi 6 muaj e me sëmundje kronike, gratë shtatzëna dhe punonjësit shëndetësorë.

Janë siguruar 80 mijë vaksina falas për popullatën
Për sezonin 2025/2026, Ministria e shëndetësisë siguroi 80.000 doza të vaksinë katërvalente falas për grupet prioritete të popullatës.
Vaksinimi kundër gripit për sezonin 2024/2025 filloi në 16.10.2024 dhe zbatohet në Shtëpitë e shëndetit dhe/ose Qendrat e shëndetit publik me Njësitë e tyre rajonale.
Vaksinimi i punonjësve shëndetësorë do të bëhet në Institutin e Shëndetit Publik. Caktimi i termineve për vaksinat falas bëhet nëpërmjet uebfaqes www.vakcinacija.mk.
Sipas të dhënave të Drejtorisë për Shëndetësi Elektronike, nga fillimi i vaksinimit e deri në përmbylljen e këtij raporti gjithsej janë vaksinuar 52.652 persona të kategorive të cenueshme të popullatës me vaksina falas.
2.400 vaksina komerciale shtesë janë siguruar nga ana e Qendrave të shëndetit publik si vaksina për pjesën tjetër të popullatës dhe ato mund të merren për një kompensim financiar të caktuar në Qendrat e Shëndetit Publik dhe Njësitë e tyre rajonale.
Sipas të dhënave të Drejtorisë për Shëndetësi Elektronike me vaksina komerciale janë vaksinuar gjithsej 462 persona.
Qytetarët që janë paraqitur për vaksinim falas do të njoftohen me mesazh SMS për termin e tyre të vaksinimit.
Në Maqedoninë e Veriut janë vaksinuar gjithsej 53.114 persona me vaksina falas dhe vaksina komerciale.