Rreth 90 mijë euro kanë shpenzuar ministrat dhe delegacioni i Maqedonisë në EXPO në Japoni

Udhëtimi pranveror i delegacionit të madh nga Maqedonia në Panairin Botëror EXPO 2025, i cili u mbajt në Osaka të Japonisë, e lehtësoi buxhetin e shtetit për rreth 90 mijë euro. Kjo është shuma e përgjithshme që fitohet nëse mblidhen shumat që BIRN i siguroi nga disa ministri dhe nga Qeveria. Në pyetjen se sa shpenzuan gjithsej personat që mund të shihen në foton e bërë në Japoni për bileta avioni, akomodim në hotel dhe shpenzime shtesë përgjigje BIRN mori nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Ministria e Çështjeve Evropiane dhe nga Qeveria, transmeton Portalb.mk.

Edhe pse se afati ligjor kaloi, përgjigje ende nuk ka mbërritur nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit.

Sipas fotove të postuara në rrjetet sociale në qytetin japonez ishin tre ministra, disa prej tyre me bashkëshortet e tyre, si dhe përfaqësues të qeverisë. Udhëtimi i tyre atëkohë shkaktoi shumë reagime në publik, që kritikoi për numrin e madh të pjesëmarrësve të delegacionit.

Sipas të dhënave që i mori BIRN nga Qeveria këtë institucion e përfaqësonte Sekretari i përgjithshëm Igor Janushev, zëvendës zëdhënësja Marija Miteva dhe Koordinatori kombëtar i turizmit Akan Mahmut. Për të tre gjithsej u shpenzuan më shumë se 14 mijë euro për bileta avioni, akomodim dhe shpenzime.

Me ta ishte edhe një përfaqësues tjetër i Ilidenska nr. 2. Shefi i Kabinetit të Kryeministrit Hristijan Mickoski, Vlladimir Nelloski, i cili shoqërohej nga bashkëshortja e tij. Për të nuk ka paguar Maqedonia, por qeveria e Japonisë, ndërkohë që për bashkëshorten ai i ka mbuluar shpenzimet vetë.

Shteti aziatik i ka mbuluar shpenzimet edhe për udhëtimin e ministrit të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Timço Mucunski dhe bashkëshortes së tij.

Ministria me të cilën udhëheq Mucunski ka paguar udhëtimin dhe akomodimin e diplomatit Sasho Markovski, i cili është edhe këshilltar i Kryeministrit për politikën e jashtme. Për të nga buxheti janë ndarë më shumë se gjashtë mijë euro.

Në Japoni ishte edhe ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani, për të cilin Ministria e Çështjeve Evropiane ka shpenzuar pothuajse gjashtë mijë euro. Edhe ai shoqërohej nga bashkëshortja e tij, për të cilën, ashtu si edhe Nelloski, shpenzimet i ka mbuluar privatisht.

Sipas të dhënave që BIRN i siguroi nga këto tre institucione, gjithsej janë shpenzuar pak më shumë se 26 mijë euro.

Nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit nuk dhanë përgjigje në pyetjen e parashtruar nga BIRN, por sipas dokumenteve të siguruara paraprakisht nga portali Infomax, mund të shihet se janë shpenzuar rreth 62 mijë euro për udhëtimin, akomodimin dhe shpenzime të tjera të ministrit të kulturës dhe turizmit, Zoran Ljutkov, shefes së kabinetit të tij, Irena Petkova, dhe 26 personave të tjerë.

Për udhëtimin dhe akomodimin në Osaka dhe Tokio për Ljutkovin dhe Petkovan janë shpenzuar mbi dhjetë mijë euro.

Pjesa më e madhe e shpenzimeve janë bërë për 26 personat e tjerë që udhëtuan përmes Ministrisë së Kulturës, të cilët sipas verifikimeve të BIRN janë muzicientë dhe artistë që performuan në pavijonin e Maqedonisë.

Panaire të këtilla botërore zhvillohen çdo pesë vjet. Ideja është që përfaqësues të vendeve nga e gjithë bota të ndajnë njohuri, inovacione dhe kulturë me qëllim që përmes dialogut të gjejnë zgjidhje për problemet botërore.

Tema kryesore e panairit për këtë vit ishte “Duke e dizajnuar shoqërinë e të ardhmes për jetët tona” dhe në të morën pjesë 158 vende dhe rajone.

Sipas raportimeve të mediave Maqedonia u prezantua me trashëgiminë arkitekturore të arkitektit japonez, Kenzo Tange në objektet e pas tërmetit në Shkup, me një performancë nga Tanec dhe me prezantim të mundësive për biznes.