Rreth 1.000 lëndë gjyqësore vjetërsohen gjatë një viti në Maqedoninë e Veriut, autorët nuk dënohen [infografik]

Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup nga viti 2018 deri në fund të muajit mars të këtij viti, janë vjetërsuar pesë lëndë për evazion fiskal. Katër lëndë që kanë të bëjnë me keqpërdorimin e detyrës dhe autorizimit zyrtar nuk kanë arritur të marrin epilog gjyqësor. Në këtë gjykatë është vjetërsuar një lëndë për bashkim kriminal dhe një për punë të pandërgjegjshme në shërbim, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Në të gjitha gjykatat në vend, mesatarisht vjetërsohen rreth 1.000 lëndë në vit, ose më saktësisht 932, tregojnë të dhënat që Meta.mk i ka marrë nga gjykatat, duke përdorur Ligjin për qasje të lirë në informacion publik. Këto të dhëna i referohen periudhës 2018-2022, ndërsa numër më të madh të lëndëve të vjetërsuara ka pasur në vitin 2019 dhe në vitin 2020.

Trendi i vjetërsimit të lëndëve është në rënie, kështu që vitin e kaluar në gjykatat themelore dhe ato të apelit janë vjetërsuar 456 lëndë. Shumica e veprave për të cilat ka ndodhur vjetërsimi kanë të bëjnë me rrezikimin e sigurisë në komunikacion.

Numri i lëndëve të vjetruara gjyqësore.

Tema për vjetërsimin e lëndëve gjyqësore, e cila u mundëson kryerësve të veprave penale apo kundërvajtëse të mos përgjigjen dhe të mos i bartin pasojat, më së shumti u aktualizua kur ish-drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov, arriti të “shpëtojë” –  rasti “Titanik 2”, i cili kishte të bënte me marrëveshjen për votimin e ankesave në favor të VMRO-DPMNE-së për zgjedhjet lokale të vitit 2013 në Strumicë.

Vjetërsimi ndodhi pasi kishin kaluar gati pesë vjet nga mbajtja e seancës së parë. Në muajin mars të vitit 2019 u soll aktgjykim dënues në Gjykatën Themelore Penale, por Gjykata e Apelit e ktheu lëndën në rigjykim. Në rigjykim, aktigjykim u soll në janar të këtij viti, por lënda mundi të kalojë para Apelit që aktgjykimi të merrte formë të prerë, gjegjësisht seanca u caktua vetëm pasi kishte ndodhur vjetërsimi. Për veprën për të cilën ndiqej penalisht Mijallkovi, “marrja e shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm”, vjetërsimi absolut fillon 10 vjet pas kryerjes së veprës.

Më së shumti vjetërsohen lëndët për kundërvajtje

Në Gjykatën e Apelit në Shkup nga viti 2018 deri në muajin mars të këtij viti, janë vjetërsuar pesë lëndë për rrezikim të sigurisë në komunikacion, tre lëndë për falsifikimin e dokumentit, dy për vjedhje dhe një për evazion fiskal, mashtrim dhe përdorim të dokumentit me përmbajtje të pavërtetë.

Në Gjykatën Themelore Penale vitin e kaluar janë vjetërsuar 16 lëndë, ndërsa deri në fund të muajit mars të këtij viti edhe katër të tjera. Në mesin e tyre është edhe lënda për ish-drejtorin e Drejtorisë së Doganave, Dragan Daravellski, i cili është dënuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Pas shumë vitesh në arrati, vetë Daravellski u kthye në vend dhe u arrestua, por Gjykata Penale nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të merrte një aktvendim për ndalimin e ndjekjes penale. Sipas gjykatësve, ai nuk mund të gjykohet sërish pasi ka vjetërsim absolut për veprën e keqpërdorimit të detyrës dhe autoritetit zyrtar. Aktgjykimi me të cilin u dënua me shtatë vjet burg u shfuqizua.

Të dhënat me të cilat disponon Këshilli Gjyqësor i RMV-së tregojnë se nga gjykatat e apelit në vend (Manastir, Gostivar, Shkup dhe Shtip), nga viti 2018 deri në vitin 2022, numër më të madh të lëndëve të vjetërsuara ka në Shkup – rreth 612, ndërsa më të vogël në Shtip – katër. Numrin më të madh të lëndëve të vjetërsuara e përbëjnë lëndët kundërvajtëse të shkallës së dytë.

Lëndët gjyqësore të vjetruara në Gjykatën e Apelit

Në gjykatat themelore, numrin më të madh të lëndëve të vjetërsuara e përbëjnë ato për kundërvajtje. Megjithatë, nuk është i vogël numri i lëndëve të vjetërsuara që kanë të bëjnë me persona të thirrur për të vuajtur dënimin me burg. Në Gjykatën Penale Themelore në Shkup, në 5 vitet e fundit janë vjetërsuar 313 lëndë, 7 në Kavadar, 17 në Dibër, 53 në Tetovë, 28 në Prilep.

Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, nga viti 2018 deri në fund të muajit mars të këtij viti, janë vjetërsuar pesë lëndë për evazion fiskal. Edhe katër lëndë që kanë të bëjnë me keqpërdorimin e detyrës dhe autoritetit zyrtar nuk kanë arritur të marrin epilog gjyqësor. Në këtë gjykatë është vjetërsuar një lëndë për bashkim kriminal dhe një për punë të pa përgjegjshme në shërbim.

Reagime të ashpra për vjetërsimin e lëndëve

Pakënaqësi në lidhje me vjetërsimin e lëndëve u shpreh nga shumë anë, përfshirë këtu edhe nga komuniteti ndërkombëtar.

Me rastin e Ditës së Drejtësisë, në mars të këtij viti, prokurori i shtetit Ljubomir Joveski, në një mesazh drejtuar prokurorëve publik në vend, shprehu pakënaqësinë për vjetërsimin e lëndëve që kanë qenë në fokus të opinionit, ndërsa për disa që nuk janë vjetërsuar tha se nuk po zhvillohen me dinamikën e duhur, por për këtë thirret në gjykatën.

“Nuk mund të mos e shpreh pakënaqësinë për disa vendime gjyqësore që mundësuan vjetërsimin e lëndëve për rezultatin e të cilave kishte interesim nga publiku”. Nga na tjetër, disa procedura nuk janë vjetërsuar, por edhe përkundër shpejtësisë së procedurës prokuroriale, ato ende nuk e kanë arritur dinamikën e duhur gjyqësore dhe nuk kanë zgjidhje”, ka shkruar Joveski në urimin e tij me shkrim.

Reagim të sajin kishte edhe Gjykata Penale Themelore në Shkup, në të cilin shprehu kritika lidhur me punën e Gjykatës së Apelit, për vjetërsimin e më shumë lëndëve kundër personave të profilit të lartë ose kthimin e tyre në rigjykim. Në letër, gjykata e shkallës së parë u bën thirrje mediave dhe publikut profesional të analizojnë se ku dhe për shkak të cilave “shkelje thelbësore” lëndët presin me vite për të marrë formë të prerë dhe vjetërsohen, ndërsa qytetarët po humbasin besimin në drejtësi.

Ky reagim pasoi pasi Gjykata e Apelit në Shkup i pranoi ankesat e të akuzuarve Vlladimir Atanasovski, Trajko Veljanoski, Spiro Ristovski dhe Mile Janakieski, e anuloi aktgjykimin e shkallës së parë për rastin “Organizatorët e 27 prillit” dhe e ktheu lëndën në rigjykim. Gjykata Penale pretendon se Apeli ka mundur të vendosë shpejt dhe në mënyrë meritore për ankesat e të akuzuarve, aq më tepër që lënda ka qenë në procedurë të apelit për më shumë se një vit.

“Nëse arsyeja e shfuqizimit të aktgjykimit është e natyrës teknike, gjegjësisht zbatimi i Ligjit për Amnisti, atëherë gjykata ka mundur të vendosë menjëherë, para së gjithash për shkak të mbrojtjes së të drejtave të të akuzuarve të cilët kanë qenë në paraburgim dhe nën masa, të drejtave të të dëmtuarve që janë në pritje të vendimit përfundimtar, por edhe për mbrojtjen e vetë procedurës, e cila mund të vjetërsohet. Duhet pasur parasysh se me shfuqizimin e aktgjykimit dhe kthimin e tij në rigjykim, krijohen shpenzime shtesë, zvarritje dhe cenim i së drejtës për gjykim brenda një afati të arsyeshëm, që është në dëm të të gjithëve ne”, deklaruan nga Gjykata Penale.

Sipas Gjykatës Penale, gjykatësit e apelit, në vend që në mënyrë administrative t’i kthejnë lëndët për kompletim ose rigjykim dhe për më shumë se një vit të mos veprojnë, “kanë mundësinë ligjore, por edhe detyrimin, në mënyrë meritore të vendosin se me çfarë do të kontribuojë në luftën jo selektive kundër krimit të organizuar dhe për drejtësi të shpejtë dhe efikase, që është një angazhim i të gjithë vendit dhe një parakusht për përparimin evropian”.