Roli i kompanive private ushtarake në rënien e shteteve

Ndryshimet e mëdha që po ndodhin në Rusi që nga fillimi i luftës dhe fuqizimi i forcave paramilitare ruse, na shtyjnë të mendojmë se nëse Federata Ruse do të arrijë të mbijetojë në këtë dekadë si një fuqi të paktën rajonale. Gjithashtu, tani e tutje duhet parë nëse Rusia do të arrijë të mbajë të sigurta armët bërthamore larg duarve të llojit të kompanive private si Wagner dhe mundësisht t’ia sigurojë vetes një vend të respektuar në skenën ndërkombëtare.

Nga ajo çka kemi parë deri më tani në Rusi dhe në Ukrainë, duket si pak e vështirë të arrihet me këtë udhëheqje ruse. Në këtë kuadër, për lexuesit tanë është me rëndësi t’i hedhim një vështrim të shkurtër rolit të shtetit në politikën ndërkombëtare dhe ndikimit të disa faktorëve në rënien dhe ngritjen e shteteve. Rëniet dhe ngritjet e shteteve që nga lashtësia kanë qenë objekt studimi për shumë autorë. Pasi karakteristikat e shteteve nuk janë të njëjta dhe dallojnë nga një shtet në tjetrin, këtu duhet të shohim disa specifika të shteteve si: gjeografia, forma e qeverisjes dhe ekonomia, që luajnë rol kritik në ngritjen dhe rënien e tyre.

Shteti është aktori qendror në studimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, të politikës ndërkombëtare dhe do të mbetet i tillë edhe në të ardhmen. Shtetet vendosin të shkojnë në luftë për disa arsye: e para, kur preken interesat kombëtare dhe e dyta, kur vihet në pikëpyetje ekzistenca e vetë shtetit. Qeveritë ngrenë barriera tregtare dhe politike për të kundërshtuar politikat ekonomike të shteteve fqinj ose më larg. Qeveritë zgjedhin nëse dhe në çfarë niveli të vendosin embargo ndaj një shteti tjetër qoftë në distancë apo nëse ai shtet është vend fqinj. Shtetet hyjnë ose jo në marrëveshje ndërkombëtare dhe zgjedhin nëse do t’u përmbahen ose jo.

Këtu si shembull e kemi rastin ruso-ukrainas dhe atë serbo-kosovar. Veprimet e qeverive ndikojnë te shtetet tjera dhe po këto veprime kanë një përfundim shpeshherë tragjik për shtetin agresor ose e kundërta. Konflikti ruso-ukrainas përkundër vlerësimeve të lidershipit rus që mendoi se do të përfundojë shpejt në realitet po ndodh diçka e jashtëzakonshme. Pjesëmarrja e kompanive private ruse në këtë luftë ka nxjerrë në dritë dobësitë e shtetit rus.

Nga ana tjetër, globalizmi ka përshpejtuar rishfaqjen e shtetit-komb si një aktor dominues në sistemin ndërkombëtarë të politikës. Por, dalja në skenë e aktorëve të tretë jo shtetëror si Wagner, e ka rritur paqëndrueshmërinë e shteteve të brishta në shkallë të gjërë. Në të njëtën kohë, organizatat ndërkombëtare si BE, OKB, dhe agjencitë tjera që luajnë rol të rëndësishëm në konflikte dhe në paqe e kanë humbur fuqinë përballë kompanive private ushtarake. Kjo ka të bëjë me fuqinë e dobët të organizatave ndërkombëtare dhe të disa shteteve për të ndërhyrë në konfliktet e shekullit të 21-të.

Historiani gjerman i shek.. të 20-të, Osvald Splenger në një vështrim mbi historinë nënvizon se “të gjitha qytetërimet hyjnë në një fazë, e cila zgjat me shekuj. E gjithë piramida e njeriut kulturor zhduket. Ai shkërmoqet nga maja, fillimisht qytetet e botës, pastaj format provinciale dhe më në fund vetë toka, gjaku më i mirë i të cilit është derdhur vazhdimisht nëpër qytete, thjesht për t’i forcuar ato për pak kohë. Më në fund ka mbetur vetëm gjaku primitiv, i gjallë, por i grabitur nga elementët e tij më të fortë dhe më premtues”.

Në realitetin e sotëm global, kërcënimet ndaj shtet-kombeve, ndryshimet klimatike, politika e identitetit dhe gjeopolitika bërthamore në Evropë dhe në botë, përbëjnë tendenca të dobësimit të shteteve dhe të forcimit të kompanive private -ushtarake. Në shtetet me qeverisje autoritare, shteti ka mundësi të rrënohet më shpejtë, për shkak të vendimmarrjes që kanë këto grupe ushtarake në qeverinë qendrore.

Si në Rusi dhe në Serbi, shteti apo qeveria vetë ka shfaqur interesin për këtë lloj ndihme nga kompanitë private ushtarake ose paraushtarake. Aktiviteti ushtarak i këtyre organizatave në Ukrainë, Ballkan dhe në Afrikë, ka për qëllim të rrënojë proceset paqësore, të mbajë në zjarr palët gjatë negociatave dhe të jenë aktiv në front si palë. Kompanitë e tilla private ushtarake bëjnë pjesë në lojën e fundit të një shteti për të qenë lojtar në skenën ndërkombëtare dhe fituar kohë nga rrënimi. Faktorët tjerë që i përmendëm më lartë si: pozita gjeografike, kushtet klimatike, fuqia ekonomike, qeverisja dhe të tjera luajnë rol të rëndësishëm në rënien dhe ngritjen e shteteve.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.