Francë, protestat e dhunshme nuk kanë të ndalur, kaos në rrugë, qindra të arrestuar (FOTO)

Policia ka arrestuar të paktën 719 persona gjatë natës në Francë teksa vazhduan protestat e dhunshme të shkaktuara nga vrasja e një adoleshenti nga policia, tha sot Ministria e Brendshme, transmeton Anadolu.

Të paktën 45 oficerë policie dhe xhandarë u plagosën dhe të paktën 719 persona u arrestuan gjatë protestave, tha ministria në një deklaratë.

Rreth 45 mijë policë dhe xhandarë, si dhe mijëra zjarrfikës, u mobilizuan gjatë natës në gjithë vendin, thuhet më tej.

Sot më herët, ministri i Brendshëm Gerald Darmanin tha në Twitter: “Natë më e qetë falë veprimit të vendosur të policisë”.

Franca është përfshirë nga një valë protestash të dhunshme që kur një oficer policie qëlloi për vdekje 17-vjeçarin Nahel M., me prejardhje nga Afrika e Veriut, në periferi të Parisit më 27 qershor.

Oficeri përballet me një hetim zyrtar për vrasje me dashje dhe është vendosur në paraburgim.

Rreth 2.000 persona janë arrestuar gjatë protestave, ndërsa më shumë se 200 policë janë plagosur.