RMV, zgjedhjet e dyfishta megjithatë më të shtrenjta se ato në vitet 2019 dhe 2020, pothuajse 41 përqind e tenderëve pa shpallje

Edhe pse një nga arsyet për organizimin e zgjedhjeve të dyfishta ishte se do të kurseheshin paratë e qytetarëve, një anketë e re e Qendrës për Komunikim Civile (QKC) tregon se Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) ka shpenzuar 767 mijë euro më shumë se shuma totale e shpenzuar për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në 2019 dhe 2020. Rreth 41 për qind e kontratave të prokurimit publik për zgjedhjet e dyfishta, KSHZ-ja i ka lidhur në procedurë të drejtpërdrejtë me negocim, pa shpallje, transmeton Portalb.mk.

Sipas anketës “Zgjedhjet dhe Prokurimet Publike” të QKC-së, për realizimin e zgjedhjeve të fundit presidenciale dhe parlamentare, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka lidhur 22 kontrata për prokurim publik në vlerë të përgjithshme prej 3.4 milionë euro.

“Vlera e tenderëve është më e madhe për 47 milionë denarë (767 mijë euro) sesa vlera e përgjithshme e tenderëve të lidhur për zgjedhjet presidenciale të vitit 2019 dhe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2020”, thuhet në hulumtim.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Megjithatë, numri dhe vlera e kontratave të lidhura për prokurim publik lidhur me zgjedhjet e këtij viti mund të rritet në periudhën e ardhshme – KSHZ-ja ka iniciuar edhe disa procedura për të cilat ende nuk janë publikuar njoftimet për lidhjen e kontratave. Bëhet fjalë për prokurimin e “shiritave plastikë me numër sigurie për mbylljen e kutive të votimit dhe thasëve të transportit”, “zgjidhje softuerike për përmbledhjen dhe shpalljen e rezultateve të zgjedhjeve”, “përkthimin e materialit të votimit” dhe “shërbimet hotelierike të nevojshme për organizimin dhe zbatimin e procesit zgjedhor”.

Votimi i diasporës kushtoi më shumë se shtypja e fletëve të votimit për të gjithë votuesit

Kontrata më e vlefshme e lidhur për zgjedhjet në vitin 2024 është për “transport dhe akomodim të anëtarëve të organeve zgjedhore në përfaqësitë konsullore diplomatike për zgjedhje”, e lidhur me Kompaninë për turizëm, tregti dhe shërbime New Ways of Travel DOOEL Shkup, në vlerë prej 50 milionë denarë (813 mijë euro).

Kontrata mbulon transportin dhe akomodimin e deri në 8 persona në 31 destinacione në botë.

Kjo kontratë është edhe më e lartë se ajo për prodhimin dhe shtypjen e materialit konfidencial zgjedhor, e cila arrin në 46 milionë denarë (748 mijë euro), e lidhur me Shoqërinë Aksionare Shtypshkronja Kiro Dandaro – Manastir.

Kontrata për shtypjen e fletëve të votimit, nga ana tjetër, është lidhur me procedurë negocimi, pa shpallje paraprake, ndërsa shtypja e materialit konfidencial zgjedhor është negociuar vetëm me këtë shtypshkronjë.

“Kjo procedurë jotransparente, me miratimin e Byrosë së Prokurimit Publik, është aplikuar pasi është marrë vendim për anulimin e saj në një procedurë të mëparshme për të cilën është shpallur thirrje. Arsyeja e vërtetë e anulimit nuk është bërë publike sepse në Njoftimin për anulimin e procedurës thuhet se “numri i kandidatëve është më i vogël se numri minimal i parashikuar për procedurën e prokurimit publik”, thuhet në hulumtim.

 Pa tender janë shpenzuar 1.4 milionë euro 

Në procedurë me negociim, pa shpallje paraprake, është lidhur kontrata e tretë më e madhe e KSHZ-së – me kompaninë Dermalog Identification System GmbH, për përshtatjen e një sistemi të integruar të implementuar për identifikimin biometrik të votuesve.

Në fakt, në të njëjtën mënyrë janë lidhur edhe 41 përqind e vlerës së kontratave të prokurimit publik.

Bëhet fjalë për 5 kontrata, por të gjitha me vlerë të lartë, konkretisht për “prodhim dhe printim të materialit konfidencial”, “përshtatje të një sistemi të integruar të implementuar për identifikimin biometrik të zgjedhësve”, “transportim të materialit konfidencial dhe jo konfidencial” për zgjedhjet nga shtypshkronja në KKZ dhe MPJ”, “zgjedhja e agjencisë së PR për trajnimin e votuesve/video dhe audio spot, fletushka, postera e të tjera” dhe “IT dhe pajisje teknike për organizimin e zgjedhjeve – tableta”.

Përmes kësaj procedure jotransparente janë lidhur kontrata në vlerë prej 87 milionë denarë (1,4 milionë euro).

Një pjesë e tenderëve për zhvillimin e zgjedhjeve janë shpallur që në dhjetor 2023. Në procesin që zgjati gati 6 muaj, janë anuluar 15 procedura të prokurimit publik, gjë që ka sjellë nevojën për lidhjen e një pjese të kontratave me negocim, pa shpallje paraprake.

Shikuar nga aspekti i konkurrencës, numri mesatar i ofertave në tenderët për zgjedhjet e vitit 2024 është 2.68, që është në nivelin e mesatares në vend.

“Në shumicën e procedurave, pra në 10 nga 22 kontratat e lidhura, janë dorëzuar 3 e më shumë oferta, çka tregon për një nivel solid konkurrence. Mirëpo, nga pikëpamja e vlerës dominojnë procedurat (42%) në të cilat nuk ka pasur konkurrencë, pra është marrë vetëm një ofertë”, thuhet në hulumtim.

Tri kompani janë partnerë të rregullt të KSHZ-së

Sa i përket bartësve të kontratave të prokurimit publik, mund të thuhet se në grupin e kompanive që tradicionalisht marrin tenderët e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, veçohen tri kompani – e para është Shtypshkronja Kiro Dandaro Manastir, e dyta është Shoqëria për Punësimin e personave me aftësi të kufizuara, veprimtari botuese, prodhimi tregti dhe të tjera Vincent Grafika Zheljko dhe të tjerët DOO eksport import Shkup, ndërsa i treti, i cili, pa përjashtim, është bartës i marrëveshjes me KSHZ-në në çdo vit zgjedhor, është Agjencia për PR Idea Lab – DE Shkup.

“Vincent Grafika Zheljko” prodhoi karta identifikimi dhe bexha për administratën zgjedhore, zyrtarë dhe vëzhgues, si dhe zarfe dhe çanta mbrojtëse për transportin e materialeve konfidenciale dhe jokonfidenciale, ndërsa kontratat me “Idea Lab” ishin lidhur për trajnimin e votuesve, spote video dhe audio, fletushka dhe postera.

Analiza e lëvizjes së vlerës totale të kontratave të prokurimit publik sipas viteve tregon se ka një lidhje mes zgjedhjeve dhe shumës së parave të shpenzuara për prokurimin publik. Kjo, para së gjithash, i referohet zgjedhjeve parlamentare – në vitet e kaluara, shumat rekord të parave të shpenzuara për prokurimet publike përkonin me vitet zgjedhore, pra me mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare.

Kujtojmë se hulumtimi paraprak i QKC, i kryer në 96 shkolla fillore dhe të mesme në 8 komuna në vend, nxorrinë pah se blerjet për sigurime, uniforma për nxënësit, fotografi, ushqime dhe të tjera, kryhen në procedura për të cilat nuk ka rregulla të përcaktuara qartë që do të mundësonin përzgjedhjen e ofertave më të favorshme dhe vlerën më të mirë për paratë e shpenzuara.