RMV, “Ujqit” kanë rrahur kapitenin shqiptar dhe tentojnë ta fshehin rastin

Një kandidat shqiptar, i cili po kalonte provat për t’u bërë pjesë e forcave speciale “Ujqit” në kuadër të Armatës së Republikës së Maqedonisë (ARM), është rrahur brutalisht nga kolegët e tij. I njëjti mësohet se është person me përgaditje të larta profesionale, por sot pas rrahjes përfundoi në Spitalin Psikiatrik, me pretekstin se gjendja e tij psikike, nuk korrespondon me rregulloren e pranimit në këtë njësit. “Ujqit” si njësit special u krijuan në vitin 1994, mirëpo deri tani nuk ka regjistruar asnjë shtetas të etnive tjera, përpos asaj maqedonase, shkruan Alsat.mk.

E gjithë kjo ka ndodhur në kuadër të kursit seleksionues që ditëve të fundit po zhvillohet në ARM, përkatësisht në Shtabin e Përgjithshëm. Kandidati është një person me përgatitje të larta profesionale, i dëshmuar në shumë trajnime brenda dhe jashtë vendit dhe i sistemuar në ARM falë diplomimit me sukses në Akademinë Ushtarake.

Kandidati shqiptar, nga trajnimet në Krivollak, është transferuar në Spitalin Psikiatrik në Bardovcë. Qëllimi sipas të njëjtave burime, por që duhet konfirmuar nga hetimi përkatës ka qenë që ai të paraqitet si person me të meta psikike, që do t’i kushtonte rëndë në karrierën e tij profesionale. Megjithëse nga spitali në fjalë mësojmë se i është konstatuar gjendje stabile psikike dhe pa të meta, raport mjeko-ligjor i cili mund të rrënojë skenarin e “Ujqërve”.

Shtabi i Përgjithshëm nuk kishte asnjë koment për rastin. Jozyrtarisht mësohet se në procedurë është formimi i komisionit disiplinor i cili duhet të konstatojë veprimet e të paktën gjashtë pjesëtarëve të njësisë elitare “Ujqit”. Gjatë ditës kapiteni shqiptar është transferuar në spitalin ushtarak në Shkup.