RMV, tre raste me ethe hemorragjike kongo-krime, një rast fruthi

Departamenti i Epidemiologjisë së Sëmundjeve Infektive pranë Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) regjistroi tre raste të konfirmuara laboratorike të etheve hemorragjike Kongo-Krime nga data 26 prill deri më 4 qershor. Të tre rastet janë të hospitalizuar në Klinikën për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile në Shkup, njofton sot ISHP. Njëkohësisht në këtë periudhë është regjistruar edhe rasti i parë i lisë apo fruthit, bëhet fjalë për një fëmijë nga një fshat i Strugës, transmeton Portalb.mk.

Rasti i parë këtë vit është një blegtor 57 vjeçar i cili rrit lopë në një fshat të komunës së Kriva Pallankës. Për sa i përket ekspozimit, ai raportoi praninë e rriqrave në bagëti dhe pickimin e rriqrës në gjymtyrët e poshtme, shtatë ditë para fillimit të simptomave.

I dyti i regjistruar është një elektricist 29 vjeçar i cili punon në një ndërmarrje private, nga një fshat i Komunës së Haraçinës. Ai mohoi pickimin e rriqrave, kontaktin me kafshët dhe udhëtimet jashtë vendit.

Këta pacientë ishin regjistruar nga Klinika Infektive në Shkup.

Rasti më i fundit u konfirmua në laborator më 4 qershor. Bëhet fjalë për një pensionist 68-vjeçar nga Dellçeva, i cili shpesh qëndron në një fshat të Dellçevës. Ai ka dhënë informacion për pickimin e rriqrës në gjymtyrët e poshtme në fshat.

Në të gjitha rastet janë kontrolluar kontaktet në familje dhe në objektet shëndetësore të vizituara. Kontaktet e ngushta, nëse ka, u vendosën nën mbikëqyrje shëndetësore për 14 ditë.

Ndër simptomat e raportuara janë epistaksi, plogështi, lodhje, të vjella, ethe, dhimbje muskulore, diarre, dridhje, dhimbje koke.

Nga ISHP thonë se sipas të dhënave të deritanishme ekziston mundësia e raportimit të mëtutjeshëm të rasteve të reja.

“Ka rrezik mesatar për popullatën e Republikës së Maqedonisë së Veriut, por ai mund të minimizohet duke ndjekur rekomandimet për parandalim nga institucionet kompetente”, theksojnë nga ISHP.

Vdekshmëria nga EHKK, siç sqarohet, arrin deri në 40 për qind.

“Virusi transmetohet te njerëzit kryesisht nga rriqrat e kafshëve shtëpiake. Transmetimi nga njeriu te njeriu mund të ndodhë si rezultat i kontaktit të ngushtë me gjakun, sekrecionet, organet ose lëngjet e tjera trupore të personave të infektuar”, thonë nga IShP.

Sot në Departamentin e Epidemiologjisë së Sëmundjeve Infektive është marrë një raport për shkaktarin e izoluar të lisë nga Departamenti i Virologjisë në ISHP. Pas marrjes së raporteve, ekipi epidemiologjik ka vizituar Klinikën Universitare për sëmundje të fëmijëve në Shkup.

“Ky është një fëmijë gjashtë vjeçar nga fshati Labunishtë i Strugës. Sipas të dhënave të marra nga laboratori është bërë testimi serologjik për lisë me rezultat pozitiv me IgM. ARN e lisë u zbulua gjithashtu me PCR. Fëmija nuk është vaksinuar me vaksinën MMR. Ai jeton në një familje me gjashtë anëtarë dhe motra e vogël kishte temperaturë dhe skuqje një javë më parë. Prindi jep informacion për një kontakt të dyshimtë, një fqinj që kishte “linë”. Ata nuk ndjekin kopshtin apo shkollën dhe nuk kanë udhëtuar jashtë vendit shtatë deri në 23 ditë para fillimit të skuqjes”, shton ISHP.

Kujtojmë se në raportin e fundit të IShP-së për sëmundjet akute infektive, u theksua se në vitin e kaluar në Maqedoni janë raportuar gjithsej 12.958 pacientë me sëmundje akute infektive, ndërsa vitin paraprak kjo shifër ishte 7.567. Kjo paraqet një rritje prej 71,2 përqind.