RMV, sot shënohet Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, krerët e vendit dërgojnë urime

Ditën e sotme, më 22 nëntor shënohet Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, në të cilën ditë u njësua Kongresi i Manastirit dhe përbën një ditë përkujtimore në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Shqipëri, Kosovë dhe në diasporën shqiptare. Alfabeti u njësua gjatë Kongresit të Manastirit i njohur ndryshe edhe si Kongresi i Alfabetit, transmeton Portalb.mk.

Në këtë ditë nuk munguan urimet e funksionarëve shtetëror të Maqedonisë së Veriut.

Kryetari i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski uroi ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, duke thënë se bashkëjetesa është fryt i besimit i cili zë rrënjë atëherë kur njerëzit e respektojnë dhe e mbështesin identitetin e tjetrit.

“Sot festojmë një festë veçanërisht të rëndësishme për popullin shqiptar – 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe. 115 vjet më parë, pikërisht në Manastirin tonë, u bë njësimi i alfabetit të shqipes si një hap kyç për kodifikimin e gjuhës shqipe, e cila është padyshim një nga shtyllat më domethënëse të identitetit kulturor dhe shpirtëror të shqiptarëve. Në fillim të shekullit të 20-të në Perandorinë e atëhershme Osmane, intelektualët më të shquar shqiptarë nga e gjithë bota u mblodhën në një kongres që do të rezultonte me vendimin historik për miratimin e alfabetit të shqipes. Frytet e këtij akti vendimtar politik e kulturor i gëzojnë të gjithë shqiptarët kudo që janë. Jemi krenarë që sot komuniteti shqiptar është pjesë e pandashme e Republikës multikulturore dhe multietnike të Maqedonisë së Veriut.”, thuhet në letrën e Pendarovskit.

Kryeparlamentari Talat Xhaferi nga ana tjetër tha se si politikanë përgjegjës, kanë për obligim të ruajnë dhe të përsosin në çdo hap amanetin e përhapjes së gjuhës shqipe.

“Ne, si politikanë përgjegjës, kemi obligim të ruajmë dhe të përsosim atë amanet në çdo hap, me çdo vepër dhe me çdo nismë që e ndërmarrim ndërsa gjeneratat e reja duhet ta dinë vlerën e sakrificës që është bërë për të arritur për të qenë në rrafshin e popujve të etabluar botërorë me identitet të fortë dhe të pa kontestuar. Gjuha është vegël e fuqishme e cila na bashkon ndër vete, a në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si vend në të cilin kultivohen dhe respektohen të gjitha dallimet, është vlerë e shtuar e cila bashkon edhe njerëz edhe ide, kontribuon në përparimin dhe zhvillimin e shtetit. Të dashur bashkëqytetarë, Ju uroj që festën ta kaloni në atmosferë të bukur dhe solemne, ndërsa fjala e bukur le të jetë udhërrëfyes në përditshmërinë tonë”, thuhet në urimin e Xhaferit.

Pjesëmarrësit në kongres ishin figura të dalluara të jetës kulturore e politike mbarëshqiptare. Ndër delegatët më të shquar ishin Gjergj Fishta, Mid’hat Frashëri, Sotir Peci, Ndre Mjeda, Shahin Kolonja, Bajo Topulli, Parashqevi Qiriazi, Fehim Zavalani. Delegat tjetër nga familja Zavalani ishte Izet Zavalani, përfaqësues i Follorinës. I zoti i shtëpisë, Fehim Zavalani, mbajti fjalën hyrëse.

Kongresi i Manastirit u zhvillua mes 14-22 nëntorit të vitit 1908. Në këtë Kongres u miratua vendimi që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave duke i përshtatur ato për gjuhën shqipe. Kongresi njësoi alfabetin me 36 shkronja latine, që e përdorim edhe sot, duke çuar drejt bashkimit gjuhësor kombëtar të gjithë shqiptarët.