Sot nis vaksinimi kundër gripit sezonal në RMV, janë siguruar 70 mijë vaksina falas
Sot nis vaksinimi kundër gripit sezonal. Ministria e Shëndetësisë siguroi 70 mijë vaksina falas për këtë qëllim. Të drejtë vaksinimi falas kanë grupet e rrezikut si të moshuarit mbi 65 vjeç, personat me sëmundje kronike, punonjësit e shëndetësisë, gratë shtatzëna, fëmijët nga gjashtë muaj deri në pesë vjeç, si dhe personat e vendosur në institucionet e kujdesit social për të moshuarit dhe punonjësit e institucioneve për mbrojtjen sociale të të moshuarve, transmeton Portalb.mk.
Sipas autoriteteve, deri më tani në faqen vakcinacija.mk janë regjistruar 33.000 qytetarë.
Komisioni për Sëmundje Infektive (KSI) thotë se me vaksinimin këto grupe rreziku do të mbrohen nga format e rënda të sëmundjes.
“Kjo është mënyra më e thjeshtë dhe më e mirë për t’u mbrojtur nga gripi në muajt e dimrit kur është sezoni i gripit”, thotë Zllate Mehmedoviq, zëdhënës i KSI.
Vaksinimi do të kryhet në 36 lokacione në të gjithë vendin dhe të gjithë të regjistruarit do të marrin mesazh SMS për datën, orën e saktë dhe vendin ku duhet të vijnë për vaksinim.
Në Shkup vaksinimi do të bëhet në Qendrën për shëndet publik, si dhe në poliklinikat Bukuresht, Idadia dhe Bit Pazar. Nga ana tjetër, punonjësit e shëndetësisë do të mund ta marrin vaksinën në Institutin e Shëndetit Publik.
Përveç atyre falas, Qendrat e Shëndetit Publik kanë siguruar këtë vit edhe vaksina komerciale kundër gripit për qytetarët e interesuar që nuk bëjnë pjesë në grupet e rrezikut.