RMV, Rrjeti i organizatave rinore përshëndeti krijimin e Ministrisë ku përfshihet futja e të rinjve në aparatin shtetëror

Rrjetet e organizatave rinore – Këshilli Kombëtar Rinor së Maqedonisë KKRM, Koalicioni i Organizatave Rinore TANI dhe Lidhja për Punë Rinore, përmes një letre ia kanë shprehur qëndrimin e tyre Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut në të cilën e mirëpresin hapin për përmirësim e pozitave të të rinjve brenda organizimit të aparatit shtetëror. “Besojmë se Ministria e sapoformuar e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë do të jetë institucioni lider që do të krijojë dhe zbatojë politika cilësore rinore bazuar në nevojat dhe interesat e të rinjve në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, thonë organizatat, transmeton Portalb.mk.

“Gjatë procesit të transformimit të Agjencisë për Rini dhe Sport në kuadër të sistemit, presim që praktikat pozitive të këtij institucioni të ruhen dhe të vazhdojnë në kuadër të ministrisë së re, me fokus të veçantë në avancimin e punës dhe monitorimi i tendencave aktuale rinore gjatë krijimit të politikave të përshtatshme. Theksojmë faktin se Agjencia, pra sektori i rinisë, deri më tani ka luftuar për ekzistencën e saj me një buxhet që mezi i ka përballuar shpenzimet organizative (rreth 5% e buxhetit të përgjithshëm të Agjencisë është drejtuar për sektorin e rinisë).  Shpresojmë që kjo situatë të ndryshojë për mirë me riorganizimin e ri dhe të rinjtë të ndjejnë së shpejti përfitimin e ministrisë së re”, thonë nga Rrjeti i organizatave rinore.

Ata u bëjnë thirrje vendimmarrësve që të bëjnë një reformë thelbësore në kuadrin institucional për rininë. Kjo do të nënkuptonte një program cilësor për punën e ministrisë së re, buxhetim adekuat për punën e kësaj ministrie, si dhe fuqizim të personelit.

“Ne i referohemi gjithashtu zbatimit të vazhdueshëm të Ligjit për Pjesëmarrjen e Rinisë dhe Politikat Rinore, Strategjisë Kombëtare për Rininë (2023-2027), Strategjisë Kombëtare të Shëndetit Mendor të të Rinjëve (2024-2026) dhe politikave të tjera përkatëse rinore në nivel lokal dhe kombëtar. Gjithashtu, njohim partneritetin e nevojshëm me ministrinë e linjës për mbështetjen në zbatimin e sistemit ndërsektorial të mbështetjes për të rinjtë, veçanërisht me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe Ministrinë e Shëndetësisë, si dhe me aktorë të tjerë përkatës”, thuhet në njoftim.

Rrjetet e organizatave rinore ofrojnë kapacitetet, njohuritë dhe përvojat e tyre tek autoritetet për zbatimin e reformës thelbësore për të cilën bëjnë thirrje që të jenë transparente, konsultative dhe gjithëpërfshirëse për të siguruar cilësinë e kërkuar.

Kujtojmë se me riorganizimin e ministrive, pra me katër ministritë e reja dhe me transformimin e disa prej ministrive të tjera, personat që kryejnë punët lidhur me rininë dhe pajisjet përkatëse, inventarin, arkivin, dokumentacionin, mjetet e punës, kërkesat dhe shlyerjet e detyrimeve, si dhe mjete të tjera nga Agjencia për Rini dhe Sport, do të kalojnë në Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë. Punonjësit e mbetur, mjetet, inventari, arkivi, dokumentacioni, mjetet e punës, kërkesat dhe shlyerja e detyrimeve nga Agjencia për Rini dhe Sport do kalojnë në Ministrinë e re të Sportit.