RMV, qytetarët të kenë kujdes, po qarkullon fushatë për tregti të rreme të kriptovalutave

Departamenti i Krimeve Kompjuterike informon se po përhapet një fushatë e rreme për tregtimin e lehtë të kriptomonedhave. Publikimi i linqeve në ueb-faqe dhe shërbimet në rrjetet sociale për fitime të shpejta me kriptovaluta është i shpeshtë, transmeton Portalb.mk.

Targetimi bëhet duke lënë adresa private të emailit, përmes të cilave dërgohen mesazhe që premtojnë fitime të lehta duke tregtuar në shkëmbime të rreme kriptovaluta. Fushata fillon me njoftime në rrjetet sociale “Facebook” dhe “Instagram” të cilat shfaqen si informacione nga portalet e njohura maqedonase.

Në këto postime zakonisht shkruhet “intervista të fshira sepse banka qendrore nuk do që ta dini këtë sekret” dhe përmendin njerëz të famshëm të vendit, madje publikojnë foto të tyre për t’i dhënë më shumë legjitimitet postimit, ku thuhet se mund të blini kriptovaluta në një mënyrë të shpejtë, dhe gjithçka që duhet të bëni është të vizitoni lidhjen e dhënë të URL-së. Ajo çon në një ueb-faqe që pretendon të jetë një platformë e tregtimit të kriptovaluta, por nuk ka detaje zyrtare të regjistrimit të kompanisë, asnjë informacion juridiksioni ose ndonjë gjë që tregon se si të lidheni me personin juridik të cilit do t’i besoni paratë, thuhet në deklaratën e Ministrisë të Punëve të Brendshme.

Mënyra e regjistrimit është e lehtë, nuk kërkon fjalëkalim, por kërkon menjëherë një transferim parash nga llogaria juaj për të mundësuar blerjen e kriptovaluta.

Sipas MPB-së, e gjithë kjo duket e vërtetë, pasi në këto ueb-faqe thuhet se janë të mbuluara me ligj dhe nuk ka rrezik për humbje të mjeteve gjatë tregtimit. Gjatë kësaj periudhe, fushata është mjaft e përhapur në rrjetet sociale “Facebook” dhe “Instagram” në të gjithë Evropën dhe është e përshtatur sipas vendit, ndërsa emrat e njerëzve të famshëm përdoren për legjitimitet më të madh.

Ka shumë ueb-faqe të rreme për tregtimin e kriptovaluta. Tek ne mund të vërehet duke imituar portalin “Kajgana” (faqja zyrtare https://kajgana.com/), në një link që të çon nga faqja në faqe “minishouts.com”.

Postimi pretendon se ka “fshirë” një intervistë që pretendon të dijë sekretin për të fituar para nga tregtimi i kriptove. Faqja ka disa dëshmi të supozuara, gjegjësisht komente në postime nga robotë që njoftojnë se kanë bërë shumë para duke përdorur platformën, ndërsa gjithashtu ka një imazh të një banke që tregon se e gjithë kjo është e vërtetë dhe fitimet janë të larta, ndërsa imazhi logoja e bankës është me cilësi të keqe.

Departamenti për Krime Kompjuterike u bën thirrje qytetarëve dhe personave juridikë që të mos hapin linqe të dyshimta dhe dokumente të bashkangjitura me mesazhe që nuk vijnë nga dërgues të verifikuar dhe të njohur, të mos bien në mashtrime të këtij lloji, si dhe personat juridikë të marrin masat e duhura për mbrojtje të sistemeve të tyre kompjuterike.