RMV, prej sot energjia elektrike me çmim të ri, 0.4 përqind më i lartë për 88 përqind të amvisërive

Faturat e konsumatorëve të energjisë elektrike në tregun e rregulluar, pra të amvisërive dhe konsumatorëve të vegjël, nga sot deri në fund të vitit do të jenë më të larta për shumicën e konsumatorëve. Vendimin për rritjen e çmimit e ka marrë Komisioni Rregullator për Energjetikë (KRRE) të enjten, transmeton Portalb.mk.

Siç tha kryetari i KRRE-së Marko Bislimoski pas marrjes së vendimit, çmimi i energjisë elektrike për amvisëritë nga 1 korriku në bllokun e parë mbetet i njëjtë, në bllokun e dytë ka rritje prej 0,85 përqind, në bllokun e tretë 1,92 përqind dhe në bllokun e katërt prej 1.88 përqind, ndërsa çmimi i energjisë elektrike të lirë do të rritet me 0.65 përqind. Me këtë, shtoi ai, për 88 përqind të familjeve që hyjnë me konsum në bllokun e parë dhe të dytë, kostoja e energjisë elektrike do të rritet për 0.4 për qind. Për tetë përqind të familjeve që kanë konsum në bllokun e tretë, kostoja mujore do të rritet me 0,48 përqind dhe për 4 përqind të familjeve që hyjnë me konsum në bllokun e katërt, kostoja do të rritet me 0,57 përqind.

Në tenderin e shpallur paraprakisht nga furnizuesi universal “EVN Home”, çmimi nga ShA EMV prej 60 euro për megavat orë është pranuar për të mbuluar 85 përqind të nevojave të tregut të rregulluar, ndërsa për pjesën e mbetur prej 15 përqind janë pranuar tri oferta, por asnjë nuk u pranua sepse ofertat ishin më të larta se çmimet aktuale të tregut.

Ndryshimet në Ligjin për Energjetikë, nga ana tjetër, janë miratuar të hënën në seancë plenare. Me këtë zgjidhje ligjore, sipas propozuesve, sigurohet një furnizim i besueshëm, i sigurt dhe i vazhdueshëm me energji elektrike për amvisëritë dhe konsumatorët e vegjël.

Kryeministri Hristijan Mickoski para pak kohësh në një deklaratë për media tha se nuk pret rritje r çmimit të energjisë elektrike, duke theksuar se janë përmbushur të dyja kushtet – janë miratuar ndryshimet në Ligjin për energjetikë dhe furnizuesi univesal i ka optimizuar sasitë në mënyrë që të mos ketë rritje të madhe të çmimit të energjisë elektrike.

Çmimi  i energjisë elektrike duhet të jetë i vlefshëm deri në fund të vitit.

Ndryshimi i fundit i çmimit të energjisë elektrike ishte në janar të këtij viti. Sipas vendimit të KRRE-së, energjia elektrike për ekonomitë familjare u ul me 5,16 përqind nga 1 janari për bllokun e parë, për bllokun e dytë dhe tarifa e lirë mbeti e njëjtë, për bllokun e tretë u shtrenjtua me 2,88, ndërsa për blloku i katërt me 1. 86 përqind. Për të gjitha amvisëritë u vendos tarifa për qasje në rrjet prej 200 denarë në muaj.