RMV, nuk do të ketë pushim pranveror për nxënësit, viti i ri shkollor do të fillojë më 2 shtator

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, informoi se në vitin e ardhshëm shkollor nuk do të ketë pushim pranveror për nxënësit. Anketat përfundimtare të prindërve treguan se ata nuk duan, por të njëjtën gjë mendojnë edhe nxënësit më të rritur, transmeton Portalb.mk.

“Këtë vit nuk do të ketë pushim pranveror”, tha Janevska në një deklaratë për media, duke shtuar se viti shkollor do të fillojë më 2 shtator, e hënë.

E pyetur nëse MASh po shqyrton një mundësi tjetër për pushim të shkurtër për nxënësit, Janevska thotë se për momentin nuk ka një gjë të tillë.

“Kemi bërë anketë legjitime dhe qytetarët kanë shprehur nevojat e tyre”, shtoi ministrja.

Më herët, Ministria e Arsimit dhe Shkencës publikoi një anketë nëse është e nevojshme të organizohet pushim pranveror.

“Duke pasur parasysh qëndrimet e ndryshme në opinion lidhur me pushimin pranverore në arsimin fillor dhe të mesëm vitin e kaluar shkollor, dhe për të vendosur në mënyrë transparente nëse do të organizohet edhe në vitin shkollor 2024/2025, ministria u dërgoi pyetësor shkollave, dhe e njëjta është në dispozicion edhe për të gjithë publikun në këtë link, në mënyrë që të gjithë të interesuarit – mësues, nxënës, prindër/kujdestarë të japin mendimin e tyre personal”, thuhet në njoftimin e ministrisë përkatëse.

Vitin e kaluar shkollor, shkollat ​​fillore dhe të mesme ishin në pushim pranveror nga e hëna, 29 prill deri më 6 maj. Për herë të parë ka pasur ndryshim në kalendarin shkollor, kështu që viti 2023/2024 për nxënësit e shkollave fillore ka përfunduar më 17 qershor, ndërsa për nxënësit e shkollave të mesme, si vitet e kaluara, më 10 qershor.