RMV, nga 1 marsi do të ketë rregulla të reja për pagesat me kartelë dhe celular: Çfarë duhet të dini?

Nga 1 marsi i vitit 2026, mënyra se si qytetarët e Maqedonisë së Veriut i konfirmojnë pagesat në internet ose përmes telefonit do të ndryshojë. Shoqata Bankare e Maqedonisë (SHBM) njoftoi se bankat do të fillojnë zbatimin e një sistemi të ri sigurie, i quajtur (Strong Customer Authentication (SCA)), i cili synon të mbrojë paratë tuaja nga vjedhjet dhe mashtrimet digjitale, njofton Portalb.mk.

Ky ndryshim vjen si detyrim nga Ligji i ri për Shërbimet Pagesore, i cili i përshtat rregullat e Maqedonisë së Veriut me ato të Bashkimit Evropian.

Çfarë është “Autentifikimi i Përforcuar”?

Kur bëni tani blerje online ju vjen një kod me SMS të cilin e shkruani në faqen e internetit. Me rregullat e reja, kjo nuk do të mjaftojë. Që një pagesë të quhet e sigurt, ju duhet të vërtetoni se jeni “pronari i vërtetë” përmes dy nga tre metodat e mëposhtme:

  1. Diçka që vetëm ju e dini: Për shembull, një fjalëkalim (password) ose një kod PIN.

  2. Diçka që vetëm ju e keni: Për shembull, telefoni  juaj celular ku ju vjen njoftimi, ose kartela juaj bankare.

  3. Diçka që jeni vetë ju (biometria): Kjo është pika më moderne, përdorimi i shenjës së gishtit ose skanimi i fytyrës (Face ID) përmes telefonit tuaj.

Çfarë do të ndryshojë?

Nëse deri tani keni përdorur kodet që vijnë me SMS, ato gradualisht do të zëvendësohen me metoda më të avancuara. Për shembull, kur të blini diçka online, në telefonin tuaj do të shfaqet një njoftim (push notification) nga aplikacioni i bankës suaj, ku do t’ju kërkohet të vendosni gishtin ose të skanoni fytyrën për të lejuar pagesën.

Çdo bankë do të ketë modelin e vet. Disa mund të përdorin shenjat e gishtave, të tjerat pajisje të vogla (token) ose kode të gjeneruara nga aplikacioni. Bankat janë të detyruara t’i informojnë klientët e tyre individualisht se si do të veprohet.

Pse po bëhet kjo?

Qëllimi kryesor është siguria e kartelave dhe transaksioneve. Edhe nëse dikush jua vjedh numrin e kartelës, ai të mos mund t’i shpenzojë paratë tuaja, sepse nuk do të ketë gishtin tuaj ose telefonin tuaj për ta autorizuar blerjen.