RMV, “në heshtje” u anuluan bursat për studentët e masterit dhe doktoraturës

Vetëm një vit pasi i miratoi, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) i anuloi bursat për studentët e regjistruar në ciklin e dytë dhe të tretë në institucionet e arsimit të lartë në vend. Edhe pse ishte lajmëruar se konkurse për këtë lloj bursash do të ketë, ministria kompetente si duket ka ndërruar mendje, pa e transmetuar publikisht vendimin, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Autoritetet, megjithatë, nuk hezituan në më shumë raste të mburren se shteti ofron bursa, të cilat në fakt tashmë as nuk ekzistojnë.

Një politikë e re e bursimit të studentëve dhe nxënësve lajmërohej me të madhe verën e vitit 2021, para fillimit të vitit akademik dhe shkollor. Ministrja e atëhershme e arsimit dhe shkencës, Milla Carovska, në më shumë evenimente i promovonte risitë e politikës shtetërore të bursimit të studentëve – përkrah rritjes së vlerës së bursave për studime pasdiplomike, udhëheqësia e MASH-it lajmëroi edhe kthim të mbështetjes financiare për studentët pasdiplomikë, e cila ishte anuluar para më shumë se dhjetë vitesh, por edhe për herë të parë ndarje të bursave për studentët e ciklit të tretë.

Konform ndryshimeve të programit të veprimtarisë shkencore-hulumtuese të MASH-it, u aplikuan 50 bursa për student të ciklit të dytë në vend nga fusha shkencore e shkencave matematikore-natyrore dhe shkencave tekniko-teknologjike. Këto bursa kishin vlerë prej 9.000 denarësh dhe jepeshin për nëntë muaj në vit.

Bursë mujore për herë të parë në historinë e vendit tonë filluan të marrin edhe doktorantët. Për ato ishin të parapara 15 bursa në vlerë prej 18.000 denarësh për dymbëdhjetë muaj në vit.
Ky vendim i guximshëm u përshëndet nga ana e studentëve, ndërsa Ministrja Carovska atëkohë shprehu shpresë se bursat e reja do të “motivojnë shumë të rinj që të angazhohen për më shumë sukses personal dhe prosperitet këtu në vendin e tyre, e me këtë do t’i ndihmojnë edhe ekonomisë së vendit dhe në përgjithësi shoqërisë që të shkojë para”.

“MASH-i dhe Qeveria vendosën që në mënyrë sinjifikative ta ndryshojnë politikën e bursimit të nxënësve dhe studentëve, me qëllim që tu dilet në ndihmë më shumë të rinjve, por edhe të marrin shuma mujore të rritura me të cilat me të vërtetë do ta ndjejnë mbështetjen që ua siguron shteti gjatë procesit arsimor. Në këtë drejtim, duke e dëgjuar zërin e atyre që vendosin të avancohen edhe në ciklet më të larta të studimeve në institucionet e arsimit të lartë në vend, vendosëm që për hetë të parë të aplikojmë bursa për doktorantë dhe ta kthejmë mbështetjen për pasdiplomikët e cila ishte e anuluar para dhjetra vitesh”, njoftuan nga MASH-i në vitin 2021.

Gëzimi i magjistërve dhe doktorantëve rreth ndihmës shtetërore në formë bursash megjithatë zgjati vetëm një vit – në vitin akademik 2021/2022. Në vitin aktual akademik MASH-i ka vendosur të mos shpallë konkurs për bursa për ciklin e dytë dhe të tretë të studimeve, edhepse në disa raste përfaqësues të qeverisë “mburreshin” me këtë masë.

Me sa duket, vendimi është sjellë në heshtje, pa u bërë i ditur për publikun dhe pa u sqaruar arsyet se pse magjistrët dhe doktorantët nuk do të motivohen më me mbështetje financiare.
Mungesa e konkurseve për bursat e lajmëruara, edhepse është duke kaluar muaji i tetë i vitit akademik, ishte arsye që Meta.mk t’i drejtohet Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës me pyetje se pse këto konkurse po vonojnë dhe mos vallë këto kategori bursash janë anuluar.

Shkresa që e morëm nga MASH-i nuk përmban një përgjigje konkrete ndaj pyetjeve të drejtuara, por nga shkrimi mund të konstatohet se bursat për magjistrët dhe doktorantët për këtë vit janë anuluar.

Anulimin e këtyre kategorive të bursave MASH-i e arsyeton me aplikimin e kategorive të reja të bursave për studime pasdiplomike, barazimin e bursave në vlerën më të lartë për të gjithë studentët dhe rritja e vlerës së ushqimit të subvencionuar studentor.

“Në këtë vit akademik, Ministria e Arsimit dhe Shkencës vendosi që ta rrisë mbështetjen financiare për studime deridiplomike në vend dhe në këtë drejtim u aplikuan kategori të reja të bursave si ato për studim në programet studimore nga fusha e shkencave bujqësore, pylltare dhe veterinare, të programeve studimore për përkthim nga gjuha maqedonase në gjuhën shqipe dhe anasjelltas, si dhe për studim në programet studimore në historinë e artit, arkeologji, artin figurativ dhe etnologji dhe antropologji. Në mënyrë plotësuese shfrytëzimi i mjeteve nga buxheti i dedikuar për mbështetje dhe avancim të standardit të studentëve është ridefinuar, për shkak të nevojës për pagesë të shumave të rritura për bursat e studentëve të cilët më parë merrnin shumë më të vogël për kategori të caktuar, e njëherit edhe për shkak të zgjidhjes së re ligjore për pagesë të racionit të subvencionuar studentor e cila parasheh kompenzim të rritur financiar në bazë ditore”, thuhet në përgjigjen e MASH-it.

Ministria e njëjtë në nëntor për Meta.mk informoi se në Programin për veprimtarinë shkencore-hulumtuese për vitin 2022 janë paraparë bursa për ciklin e dytë dhe të tretë të studimeve në vend dhe se “publiku do të informohet në mënyrë plotësuese rreth shpalljes (së konkurseve)”.

Për më tepër, ministri i arsimit Jeton Shaqiri në disa raste nga fillimi i vitit akademik 2022/2023 tha se MASH-i do t’u japë bursa studentëve të ciklit të dytë dhe të tretë.

“Kujdesi i vazhdueshëm kërkon edhe investim të vazhdueshëm të përbashkët dhe bashkëpunim. Njëherit, nga viti i kaluar dukshëm janë rritur shumat e bursave, mundësi për të konkuruar për bursa edhe këtë vit do të kenë studentët e ciklit të dytë dhe të tretë të studimeve”, lajmëroi ministri Jeton Shaqiri në tetor të vitit të kaluar.

Këtë lajmërim e përsëriti edhe në shkurt të këtij viti, në një eveniment të organizuar me rastin e ditës ndërkombëtare të grave dhe vajzave në shkencë më 11 shkurt.

“Nxënësit e shkollave të mesme që do të regjistrohen në studime të ciklit të parë, të dytë ose të tretë në univerzitetet e vendit ose ato prestigjioze të huaja, do të fitojnë bursa dhe mbështetje financiare nga buxheti i MASH-it por, kanë edhe mundësi të shfrytëzojnë bursa për studim dhe qëndrim shkencor-hulumtues në vende tjera”, tha në shkurt Shaqiri.

Përveç ministrit të arsimit, edhe kryeministri Dimitar Koveçevski nuk e lëshoi rastin të theksojë se shteti edhe këtë vit do t’i pajisë me bursa magjistrët dhe doktorantët.

“Tashmë prej një viti kemi aplikuar bursa për ciklin e tretë të studimeve në fushat shkencore të shkencave natyrore, matematikës dhe shkencave tekniko-teknologjike. Për këtë vit janë paraparë 50 bursa për studime të ciklit të dytë në vend nga fusha e shkencave matematikore-natyrore dhe shkencave tekniko-teknologjike, me bursë mujore prej 18.000 denarësh gjatë gjithë vitit”, tha kryeministri Kovaçevski gjatë vizitës në Univerzitetin “Goce Dellçev” në Shtip në fillim të vitit.

Bursimi i magjistrëve dhe doktorantëve këtë vit mbeti premtim i parealizuar dhe u shërbeu vetëm politikanëve gjatë mburrjes e standardi i studentëve po “avancohet”. Mbetet shpresa tek studentët se këto kategori bursash do të kthehen, ndërsa deri atëherë MASH-i duhet ta përmirësojë padrejtësinë ndaj atyre studentëve që merrin bursa më të ulëta, për çka Komisioni për parandalim dhe mbrojtje nga Diskriminimi konstatoi disktriminim indirekt.

Përndryshe, sipas të dhënave të fundit të Entit Shtetëror të Statistikës të publikuara në mars, titullin magjistër shkencash dhe specialist vitin e kaluar e kanë fituar gjithsej 1.883 persona, titullin doktor shkencash, nga ana tjetër, vitin e kaluar e kanë fituar 197 persona, ose për 2 përqind më pak se vitin paraprak.