RMV, Ministria e vazhdoi deri të martën afatin për subvencionimin e projekteve në kulturë
Deri më 5 nëntor në ora 16:00 do të mund të aplikohet në Ministrinë për Kulturë dhe Turizëm për financimin e projekteve të ndryshme për vitin 2025, transmeton Portalb.mk.
“Për shkak të problemeve teknike që kanë ndodhur në mbingarkimin e sistemit, afati për aplikim në Konkurset vjetore për financimin e projekteve me interes nacional në sfera të caktuara dhe aktiviteteve kulturore për vitin 2025, shtyhet deri më 5 nëntor (e martë), deri në orën 16:00”, raportoi Ministria.
Të drejtë pjesëmarrje kanë personat juridikë dhe fizikë që janë shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa nuk kanë të drejtë të marrin pjesë institucionet nacionale nga fusha e kulturës.
“Në fushën e letërsisë dhe botimeve, personat juridikë mund të konkurrojnë me maksimum 10 (dhjetë) projekte ndërsa personat fizikë me 1 (një) projekt”, sqarohet në Konkurs.
Fillimisht afati për aplikim ka qenë deri më 31 tetor në ora 15:30.
Të interesuarit do të mund të aplikojnë përmes adresën uslugi.gov.mk, ndërsa udhëzimet për aplikim mund të gjenden këtu.