RMV, masat dhe rekomandimet qeveritare për mbrojtje nga temperaturat e larta do të vlejnë edhe nesër

Qeveria shqyrtoi dhe miratoi Informacionin për zgjatjen e masave shtesë parandaluese për shkak të valës së të nxehtit edhe për të enjten. Masat parashikojnë lirimin nga detyra për grupet më të ndjeshme të popullsisë: gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç më datë 15.08.2024 (e enjte), transmeton Portalb.mk.

Në të njëjtën periudhë, punëdhënësit duhet të riorganizojnë aktivitetet e punës së punëtorëve të ndërtimit dhe punëtorëve që punojnë jashtë, duke shmangur ndërtimet dhe aktivitetet e tjera të punës në natyrë në periudhën nga ora 11:00 deri në orën 17:00.

“Duke pasur parasysh faktin se disa procese të rrezikshme prodhuese dhe teknologjike mund të paraqesin rrezik shtesë për shëndetin e punëtorëve të ekspozuar, punëdhënësve u kujtohet detyrimi i tyre për të respektuar rregulloret ligjore në këtë fushë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Në ambientet e kujdesit për fëmijët (kopshtet) rekomandohet që të mos praktikohet aktiviteti fizik dhe të mos nxirren fëmijët jashtë në mes të orës 11:00 dhe 17:00.

Në të njëjtën kohë, njësitë e vetëqeverisjes lokale, Kryqi i Kuq dhe Qendrat për Çështje Sociale në rajonet e prekura nga vala e të nxehtit janë thirrur për të ofruar ndihmë për personat e vetmuar, të moshuar, të dobët dhe të pastrehët.