RMV-ja feston pavarësinë, krerët e shtetit me thirrje për unitet

Republika e Maqedonisë së Veriut sot shënon 32-vjetorin e pavarësisë Përmes referendumit të 8 shtatorit të vitit 1991 vendi u shkëput nga Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë, qytetarët vendosën për shet të pavarur dhe sovran. Sot, vendi është anëtar i NATO-s dhe shtet aspirues për në BE .Kjo ditë në vend do të shënohet me organizime të ndryshme, ndërkaq krerët shtetëror dhe politikanët kanë shprehur urimet e tyre, transmeton Portalb.mk.

Aktivitete të shumta për Pavarësinë

Me rastin e 8 Shtatorit, Qeveria nën moton “Lajmëtar i Lirisë” organizon ngjarje dhe aktivitete ceremoniale dhe kulturore në mbarë vendin.

Në orën 10:00, delegacioni qeveritar i do të vendosë lule të freskëta në vendpushimet e përjetshme të ish-presidentëve të vendit, Kiro Gligorov dhe Boris Trajkovski, në Alenë e kolosëve në Varrezat e qytetit “Butel” në Shkup.

Në orën 10:45, kryeministri dhe ministri i Shëndetësisë në SPQ “8 Shtatori”, do të marrin pjesë në prezantimin e pajisjeve dhe aparateve të reja.

Shënimi i Ditës së Pavarësisë do të vazhdojë në Parkun e Qytetit në Shkup, në zonën afër lokacionit “Guaca”, ku do të mbahen ushtrime demonstruese taktike të njësive të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe MPB-së. Në lokacionin “Guaca” është paraparë një program kulturo-artistik.

Gjatë ditës, në të njëjtin lokacion, të gjithë të interesuarit do të kenë mundësinë të jenë pjesë e një sërë aktivitetesh sportive të organizuara në bashkëpunim me Agjencinë për Rini dhe Sport.

Nga ora 11:00, në të gjithë vendin do të nisë manifestimi kulturor “Ditë e hapur për qytetarët”, që mundëson hyrjen falas për qytetarët në institucionet kulturore, muzetë dhe galeritë në të gjithë Republikën.

Në Muzeun e Luftës së Maqedonisë për Pavarësi, më 8 shtator në ora 12:00, kuarteti harqesh “Luj” nga “Ilija Nikolovski-Luj” nga Shkupi do të mbajë koncert në të cilin do të jenë vepra të Ravelit, Dvorzhák, Piazzolla dhe të tjerë.

Festës i bashkohet edhe Opera dhe Baleti Nacional me një koncert të arieve të njohura operistike, i cili do të mbahet para Institucionit më 8 Shtator në orën 20:00.

Në orën 18:00 do të shfaqet një nga filmat dokumentar maqedonas më të vlerësuar, “Toka e Mjaltit”, me regji të Tamara Kotevskës dhe Ljubomir Stefanovit. Në orën 20:00 do të shfaqet filmi “Shëruesi”, i cili është filmi i parë debutues artistik i regjisorit dhe skenaristit Gjorçe Stavreski.

Ndryshe, trazirat politike në fillim të viteve të nëntëdhjeta të shekullit njëzet çuan në shpërbërjen e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, pjesë e së cilës ishte vendi. Më pas, në referendumin që u mbajt më 8 shtator të vitit 1991, qytetarët u deklaruan për shtet të pavarur dhe sovran. Me çka Maqedonia shpalli pavarësinë.

Urimet e krerëve të shtetit

Presidenti i vendit, Stevo Pendarovski ka thënë se sot na duhet një përpjekje e re kolektive, por në të njëjtën kohë, karakteri i asaj përpjekjeje duhet të jetë i përshtatshëm me kohën në të cilën jetojmë.

“Sot nuk na kërkohet të tregojmë heroizmin. Sot na kërkohet të kemi institucione funksionale, ligje që zbatohen njësoj për të gjithë dhe reforma sociale nga të cilat do të përfitojnë qytetarët dhe jo vetëm ata që janë të privilegjuar.

“Qëllimi i ekzistencës së republikës është të arrijmë së bashku atë që nuk mund ta arrijmë veçmas – lirinë, drejtësinë, mirëqenien ekonomike dhe bashkëjetesën. Ashtu si çdo sukses i deritanishëm i shtetit maqedonas është rezultat i përpjekjeve të përbashkëta, ashtu edhe pothuajse çdo dështim sistematik është pasojë e devijimit nga ai parim. Është koha të konfirmojmë se jemi të aftë në praktikë dhe jo vetëm me fjalë, të përballojmë problemet serioze me të cilat po përballemi në tunelin e gjatë të tranzicionit që nuk mund ta përfundojmë. Vetëm kështu do ta ruajmë farën e shpresës se pas më shumë se 3 dekadash do të kemi më në fund një Maqedoni evropiane dhe demokratike në të cilën të rinjtë do të duan të jetojnë dhe të përparojnë”, thuhet mes tjerash në urimin e Pendarovskit.

Sipas kryeministrit të vendit, Dimitar Kovaçevskit 8 Shtatori i sotshëm, bën thirrje për vendimmarrje të lirë si detyrë demokratike, për një jetë më të mirë për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm.“Me vendime të arsyeshme dhe të guximshme, vendi ynë e arriti pavarësinë në mënyrë paqësore dhe në të njëjtën kohë e ruan unitetin e tij.  Nëse ndonjëherë  të ishte koha e duhur: të sigurojmë standardin e jetesës që dëshirojmë, cilësinë e jetës që meritojnë të rinjtë tanë, të jetojnë në një vend ku sundon e drejta funksionale, në një mjedis ekologjikisht të pastër, të gjelbër, një vend të pavarur nga energjia, me bujqësi konkurruese, me mundësi për të hyrë në tregun evropian prej gjysmë miliardë banorësh – kjo është sot. Qytetarët sot duan të jetojnë në një vend kaq modern, i cili është pjesë e Bashkimit Evropian”, tha mes tjerash Kovaçevski.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi në urimin e tij tha se është koha e fundit që të jemi të gjithë të përgjegjshëm, me shikim të kthjellët dhe vizion të qartë për ardhmërinë e cila nuk guxon të ketë kahe tjetër përveç asaj të sundimit të drejtës, respektimit të drejtave dhe obligimeve të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut e cila është shtëpi e përbashkët e të gjithëve.

“Ta ruajmë, ta zhvillojmë dhe përparojmë! Për ne, për qytetarët tanë dhe për të gjitha gjeneratat e ardhshme të cilat ardhmërinë e vet e shohin aty ku edhe natyrisht takojnë, në Republikën e Maqedonisë së Veriut, anëtare e plotfuqishme në NATO dhe në Bashkimin Evropian”, tha Xhaferi.

Urime nga partitë politike

Kryetari i VMRODPMNE-së, Hristijan Mickoski, në urimin e tij me rastin e festës së Pavarësisë, thotë se 8 shtatori është kurora e luftës së Maqedonisë për liri, shtet dhe pavarësi.

“Kjo ditë është realizimi i ëndrrave të mijëra djemve dhe vajzave nga Lufta e Ilindenit, nga Lufta Nacionalçlirimtare dhe nga të gjitha eposet në historinë e Maqedonisë, të cilët dhanë jetën për Maqedoninë. Amanetin e tyre e jetojmë sot dhe kemi obligim që t’ua lëmë gjeneratave të ardhshme pas nesh, sepse Maqedonia është shtëpia jonë”, thuhet në urimin nga Hristijan Mickoski.

Në urimin e tij, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti tha se çdo e arritur e këtij vendi ka vulën e kontributit të të gjithë popujve që jetojnë e veprojnë këtu me të njëjtat aspirata progresive.

“Sot le të kujtojmë edhe të gjitha tendencat dezorientuese, stërkëmbëzat e vendosura dhe skepticizimin e shumë forcave regresive të mposhtur me vepra, për të mos lejuar stagnimin dhe vonesat e panevojshme tani në çastet vendimtare për të ardhmen tonë evropiane. Kjo tokë është vendlindja jonë, prandaj bashkë nën frymëzimin e të arriturave të deritanishme, le të vazhdojmë hapërimin drejt  horizontit të Bashkimit Evropian, aty ku e kemi vendin”, tha Ahmeti.

Urime nga ndërkombëtarët

Sekretari shtetëror, Antoni Blinken në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, uroi popullin e Maqedonisë së Veriut për festimin e 32 vjetorit të pavarësisë.

“Shtetet e Bashkuara mbështesin Maqedoninë e Veriut në kryerjen e reformave për t’u integruar në Bashkimin Evropian dhe për të krijuar marrëdhënie gjithnjë e më të forta me vendet fqinje evropiane. Maqedonia e Veriut ka bërë hapa të mëdhenj për të siguruar prosperitetin e të gjithë qytetarëve të saj ndërsa përballet me sfidat globale, dhe ne qëndrojmë me ju në përpjekjet tuaja për të promovuar sundimin e ligjit. Ne mezi presim të forcojmë partneritetin tonë me Maqedoninë e Veriut dhe të avancojmë vlerat tona të përbashkëta demokratike në vitet në vijim”, tha Blinken.

Urime ka dërguar edhe ambasada e SHBA-ve në vend.

Edhe NATO-ja dërgoi urime përmes një postimi në platformën X (ish Twitter).

“Gëzuar Ditën e Pavarësisë . Jam krenar që i kam dërguar një letër nga Madhëria e Tij Mbreti Charles i Tretë Stevo Pendarovskit për të uruar festën e të gjithë qytetarëve dhe për të konfirmuar miqësinë e ngushtë mes Britanisë dhe RMV-së, veçanërisht këtë vit kur festojmë 30 vjet të marrëdhënieve diplomatike”, shkroi ambasadori i Britanisë së Madhe në vend, Matthew Lawson.

Ndryshe, trazirat politike në fillim të viteve të nëntëdhjeta të shekullit njëzet çuan në shpërbërjen e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, pjesë e së cilës ishte vendi. Më pas, në referendumin që u mbajt më 8 shtator të vitit 1991, qytetarët u deklaruan për shtet të pavarur dhe sovran. Me çka Maqedonia shpalli pavarësinë.