RMV-ja do qëndrojë me Ukrainën, krerët shtetëror me mesazhe në dy vjetorin e agresionit rus

Maqedonia e Veriut do vazhdojë të mbështesë Ukrainën në luftën për sovranitetin e saj përballë agresionit rus. Ky ishte mesazhi kryesor të cilin e përcollën krerët e shtetit në konferencën “Ukraina – dy vjet heroizëm” të organizuar nga Ambasada e Ukrainës në Republikën e Maqedonisë së Veriut në bashkëpunim me organizatën joqeveritare CIVIL , e cila u mbajt me rastin e dy vjetorit që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë, transmeton Portalb.mk.

Presidenti i vendit, Stevo Pendarovski theksoi se kjo luftë është kërcënimi më i madh për paqen dhe sigurinë evropiane, rezultati i së cilës do të ndikojë në rendin, jo vetëm të kontinentit tonë, por edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare në vitet në vijim.

“Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar as dy vjet që nga fillimi i agresionit. Së bashku me aleatët në Aleancën e NATO-s, ne po bëjmë vazhdimisht përpjekje që ndihma për Ukrainën, për të cilën ajo ka më shumë nevojë, të mos vonohet për shkak të dinamikës së brendshme politike në vendet aleate. Suksesi i Ukrainës sot nuk varet vetëm nga vullneti dhe potenciali i ushtrisë ukrainase, por edhe nga ndihma financiare, logjistike dhe mbi të gjitha ushtarake që ajo duhet të marrë. Çdo llogaritje e ndryshme në këtë kontekst do të çojë në vuajtje edhe më të mëdha, shkatërrim në Ukrainë dhe pasiguri për të gjithë ne”, tha Pendarovski.

Ai mes tjerash theksoi se në këtë luftë, RMV-ja do të vazhdojë të jetë në anën e duhur deri në paqen që do të jetë në vullnetin e popullit ukrainas dhe që do të sigurojë stabilitet dhe prosperitet afatgjatë jo vetëm të Ukrainës, por edhe të kontinentit evropian.

Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani theksoi se RMV-ja do të vazhdojë të qëndrojë në anën e Ukrainasve dhe do japë mbështetjen e duhur për të mbrojtur dhe rindërtuar vendin.

“Maqedonia e Veriut e mbështet Ukrainën si në planin politik ashtu edhe në atë operativ dhe do të vazhdojë ta mbështesë deri sa të ketë nevojë. Ukraina ishte një nga prioritetet tona të kryesimit tonë me OSBE-në, ShBA-Kartën e Adriatikut (A5) dhe PBEJL, gjatë vitit që lamë pas”, tha Osmani.

Përkrahje ndaj Ukrainës përcolli edhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq.

“Mbështetja për Ukrainën nuk është një shpenzim, por një investim në të ardhmen e një kombi të madh dhe të guximshëm, por edhe një investim në sigurinë, stabilitetin dhe paqen tonë. Ukraina po lufton për lirinë dhe integritetin territorial të shtetit, por edhe lirinë dhe paqen në të gjithë botën”, tha Mariçiq.

Në konferencë folën edhe ambasadorja e Ukrainës, si dhe përfaqësues të shumtë të trupit diplomatik nga vendi.

Kujtojmë që Rusia agresionin e saj në Ukrainë e filloi me 24 shkurt 2022.