RMV, hyri në procedurë parlamentare Ligji për konfiskimin e pasurisë së fituar përmes korrupsionit

Ministria e Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut njoftoi sot se ka hyrë në procedurë parlamentare projektligji, i cili mundëson konfiskimin e pasurisë së fituar me korrupsion, pa mos u përcaktuar përgjegjësia penale, shkruan Portalb.mk.

“Me ligjin e ri, propozues i të cilit është Ministria e Drejtësisë, Zyra për Kthimin e Pronës (ZKP), do të ketë kompetencë për marrjen e informacioneve dhe të dhënave për gjetjen dhe identifikimin e të ardhurave dhe pronës tjetër ose përfitimit pronësor në vend ose jashtë vendit lidhur me shtetasin vendas ose rezidentin në Republikën e Maqedonisë së Veriut, personin pa shtetësi ose të huaj, si dhe për nevojat e procedurës për konfiskim pa përcaktimin e përgjegjësisë penale të rregulluar në përputhje me ligjin, që kanë rrjedhë ose janë të lidhura me vepra penale të përfshira me nenin 6 të këtij ligji”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Me miratimin e tij dhe funksionimin e ZKP-së në përputhje me standardet ndërkombëtare, do të ndërmerren aktivitete të rëndësishme për marrjen e informacionit dhe të dhënave për gjetjen dhe identifikimin e të ardhurave dhe përfitimeve të tjera pronësore brenda ose jashtë vendit, theksuan nga ministria.

Kujtojmë se kërkesa për konfiskimin dhe evidentimin e pronës së zyrtarëve të korruptuar, bën dhe ka bërë në vazhdimësi edhe Bashkimi Evropian, të njëjtën e përsëriti edhe në raportin e 19 tetorit të vitit të kaluar. Në të thuhet se për një vit, konfiskimi i pasurive kriminale është zbatuar ndaj 41 personave në 19 raste në aktgjykime të shkallës së parë. Sipas raportit, konfiskimi i pasurive kriminale duhet të bëhet përparësi strategjike në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe korrupsionit të nivelit të lartë në vend. Mjetet e vendit për ngrirjen, menaxhimin dhe konfiskimin e pasurive kriminale sipas BE-së nuk janë mjaft efektive, prandaj nevojitet një fokus i vërtetë për të ardhurat kriminale të personave publik.