RMV, gjithnjë e më pak po lindin fëmijë, rënie për nëntë përqind në krahasim me vitin e kaluar (Infografik)

Shtimi natyror në RMV vazhdon të jetë negativ. Numri i lindjeve është dukshëm në rënie, tregojnë të dhënat nga Enti Shtetëror i Statistikave, transmeton Portalb.mk.

Sipas të dhënave të publikuara sot, në tremujorin e dytë të vitit 2023, numri i lindjeve të gjalla është 4,019 fëmijë dhe në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar numri i tyre është zvogëluar për 8,9 përqind.

Numri i personave të vdekur në tremujorin e dytë të vitit 2023 ka shënuar rënie për 0,5 përqind në krahasim me tremujorin e dytë të vitit 2022, gjegjësisht kanë vdekur 4,730 persona,  gjashtë prej tyre foshnja. Shtimi natyror është negativ, për -711 persona, gjegjësisht për aq persona numri i të lindurve është më i vogël nga numri i personave të vdekur.

Trendi i këtillë nuk vlen vetëm për tremujorin e dytë të këtij viti. Meta.mk i ka analizuar edhe raportet e Entit Shtetëror të Statistikave për gjashtë muajt e para të viteve  2021, 2022 dhe 2023, dhe numrat tregojnë se numri i fëmijëve të lindur të gjallë është në rënie, ndërkaq është në rënie dhe numri i personave të vdekur por edhe numri i foshnjave të vdekura.

Pra në gjashtë mujorin e parë të këtij viti kanë vdekur 11 foshnja, numër i cili është për tre herë më i ulët nga periudha e njëjtë të viteve të kaluara, kur për gjashtë muaj kanë vdekur 34 foshnja.

Për të njëjtën periudhë, në rënie është edhe numri i personave të vdekur, gjegjësisht në gjashtë muajt e para të këtij viti ky numër është 9,963. Vitin e kaluar, në periudhën e njëjtë ky numër ka qenë 12,187 persona, përderisa në vitin 2021 vdekshmëria ka qenë më e lartë në gjashtë muajt e para dhe ka arritur deri në 14,421.

Shtimi natyror i popullsisë, 6 muajt e parë të viteve 2021, 2022 dhe 2023, Infograf
Shtimi natyror i popullsisë, 6 muajt e parë të viteve 2021, 2022 dhe 2023, Infograf