RMV, fëmijët që qëndrojnë në spital më shumë se tre javë, mësimet do t’i ndjekin online

Për të shmangur ndërprerjen e procesit arsimor të nxënësve që kanë probleme më serioze shëndetësore dhe që janë duke u trajtuar në spital për më shumë se tre javë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Shoqatën SANO, e cila ndihmon fëmijët që vuajnë nga kanceri ose sëmundje të tjera malinje dhe kronike, po prezanton arsimin formal në institucionet shëndetësore nga shtatori, transmeton Portalb.mk.

Në varësi të gjendjes së tyre shëndetësore, fëmijët do të jenë në gjendje të marrin pjesë në mësime online në klasën e tyre, të organizojnë mësime individuale ose të marrin materiale dhe të bëjnë detyra shtëpie përmes komunikimit asinkron.

“Fëmijët me sfida serioze shëndetësore shpesh përballen me sfida shtesë arsimore. Fatkeqësisht, në Klinikën e Fëmijëve gjithmonë ka fëmijë që i nënshtrohen trajtimit afatgjatë, prandaj nuk mund të ndjekin mësime të rregullta. Megjithatë, për këtë ekziston një zgjidhje, dhe Qeveria e re, me mbështetjen e sektorit të shoqërisë civile, e ka përcaktuar dhe rregulluar atë në mënyrë sistematike, dhe që tani e tutje nuk do të jetë më si në të kaluarën, kur në fakt kishte një padrejtësi, ose do të thoja diskriminim ndaj fëmijëve me sfida serioze shëndetësore”, tha ministrja Vesna Janevska, e cila, së bashku me Marija Vuk nga Shoqata SANO dhe ministrin Azir Aliu, vizituan sot Klinikën për Sëmundje të Fëmijëve.

Siç u njoftua, çdo fëmijë në moshë shkollore që është vendosur në Klinikën për Sëmundje të Fëmijëve për më shumë se tre javë, ndërsa zgjat viti shkollor, do të jetë në gjendje të bashkohet me mësimet në klasën e tij online, ose mësuesi do të organizojë mësime individuale në varësi të gjendjes shëndetësore të nxënësit, sipas një kurrikule të përshtatur për gjendjen e tij.

Do të përdoren të njëjtat mjete digjitale të përdorura nga nxënësit e tjerë, EDUINO dhe platforma dihjitale interaktive e teksteve shkollore.

Shkollat t’u sigurojnë fëmijëve pajisje elektronike

Siç shpjegohet nga Ministria e Arsimit, shkolla në të cilën është regjistruar nxënësi mund t’i sigurojë atij një pajisje elektronike, nga fondi i kompjuterëve-tabletëve që Ministria e Arsimit ka siguruar dhe shpërndarë në shkolla.

Nëse shkolla ka potencial të mjaftueshëm stafi, mësuesi mund ta vizitojë edhe nxënësin në institucionin shëndetësor dhe ta zhvillojë mësimin atje, por kjo përsëri varet nga gjendja dhe aftësitë e nxënësit.

Ministri i Shëndetësisë Aliu tha se kjo iniciativë është një hap drejt përfshirjes së plotë të fëmijëve të sëmurë dhe kthimit të tyre më të shpejtë në shkollë.

“Për ne, gjëja më e rëndësishme është kujdesi i plotë për fëmijët – jo vetëm shërimi i tyre, por edhe zhvillimi i tyre arsimor dhe psikosocial”, tha Aliu.

Për drejtorin e Klinikës për Sëmundjet e Fëmijëve, Rexhep Memedi, përfshirja e fëmijëve nga spitali në arsimin formal do të thotë gjysmë shëndet, pra një kalim më i lehtë i rrugës afatgjatë të trajtimit.

Marija Vuk, presidente e SANO-s, tha se shoqata qytetare po nis një fushatë publike për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me edukimin e fëmijëve në trajtim afatgjatë.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) nga ana tjetër do të analizojë nëse dhe sa nxënës të lënduar në zjarrin në Koçan do të duhet të mësojnë në shtëpi që nga fillimi i vitit të ri shkollor.

Këtë e deklaroi sot ministrja përkatëse Vesna Janevska, e cila njoftoi futjen e arsimit fillor formal për fëmijët me kancer që po kalojnë trajtim afatgjatë spitalor në Klinikën për Sëmundjet e Fëmijëve në Shkup.

“Tani është verë, do të analizojmë, nëse ka nevojë, ata patjetër do të përfshihen, megjithëse nuk jam e sigurt se ka shumë. Ata që po mbaronin vitin e katërt, disa tashmë e kanë dhënë provimin e maturës, mendoj se një ose dy fëmijë kanë mbetur për të dhënë provimin e maturës tani”, tha ministrja Janevska.

Duke promovuar projektin për arsim fillor formal për fëmijët që kalojnë trajtim afatgjatë spitalor, ministrja tha se deri më tani janë bërë lëshime dhe diskriminime serioze ndaj tyre. Kur u pyet nëse, përveç kushteve spitalore, fëmijët që po trajtohen në shtëpi do të kenë edhe këtë lloj arsimimi, ajo u përgjigj se projekti parashikon që i njëjti parim të zhvillohet në shtëpi.