RMV, Fakulteti i Drejtësisë i UEJL-së fitoi në garat mbarëkombëtare në gjykim të simuluar në Tiranë

Skuadra e Fakultetit të Drejtësisë së UEJL-së e përbërë nga studentët Gentiana Reka Hasipi, Elona Zendeli, Era Gjakova dhe Flutura Xhemaili, nën udhëheqjen dhe përgatitjen e profesoreshës Vedije Ratkoceri, është shpallur fituese në garat mbarëkombëtare në gjykim të simuluar të mbajtura më 30 dhe 31 mars, në Tiranë, transmeton Portalb.mk.

Garat u organizuan për herë të dytë radhazi nga Fondacioni Halimi, me mbështetjen e Ambasadës së Holandës në Tiranë.

Në këtë edicion të garave pjesëmarrëse ishin 16 skuadra të fakulteteve të drejtësisë nga Republika e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

akulteti i Drejtësisë i UEJL-së fitoi në garat ndërkombëtare në gjykim të simuluar në Tiranë. Foto: UEJL
Fakulteti i Drejtësisë i UEJL-së fitoi në garat ndërkombëtare në gjykim të simuluar në Tiranë. Foto: UEJL

Pas përgatitjes disamujore dhe tre raundeve të ballafaqimit verbal, UEJL me sukses arriti në finale, ku u ballafaqua dhe ngadhënjeu ndaj Universitetit të Elbasanit ”Aleksandër Xhuvani”.

Juria, e cila vlerësoi perfomacën e skuadrave, përbëhej nga gjykatësit: Gerd Hoxha, Betim Jahja, Aulona Bodo dhe Prof. Fejzulla Berisha.

Garat janë zhvilluar në dy faza, në fazën e përgatitjes dhe parashtrimit të shkresave për rastet gjyqësore përkatëse, në të cilën fazë disa nga fakultetet edhe u diskualifikuan dhe në fazën e dytë dhe përfundimtare, ku pjesa tjetër e skuadrave kanë vijuar me gjykimin e simuluar verbal.

Skuadra e UEJL-së kishte paraqitje të mirë në të gjitha raundet dhe u vlerësua lartë nga juria për përgatitjen profesionale, hulumtimin e bërë dhe nivelin e lartë të shkresave të dorëzuara, prezantimin oral, bashkëpunimin e skuadrës si dhe gatishmërinë dhe mënyrën e përgjigjes ndaj pyetjeve të parashtruara si nga skuadrat kundërshtare ashtu edhe nga juria.