RMV, është tërhequr nga komisioni parlamentar amë propozimi për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve Publikë

Është tërhequr propozimi për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve Publikë që Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime e ka dorëzuar në Kuvend më 5 nëntor, thuhet në letrën që kryetari i Kuvendit Afrim Gashi ua ka dërguar sot deputetëve. Ky propozim u fut në rendin e ditës si pika e 8-të e seancës parlamentare të planifikuar për më 12 nëntor, transmeton Portalb.mk.

“Ju njoftoj se letra e kryetarit të Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime është dorëzuar në formë elektronike, me të cilën njoftohet se tërheq propozimin për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve Publikë”, ka thënë Gashi.

Paraprakisht deputeti i VMRO-DPMNE-së, Gjorgija Sajkoski, kryetar i Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime, e ka njoftuar Gashin se po e tërheq propozimin për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve Publikë.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar sot se Ardian Demiri, deputeti i Lëvizjes Demokratike të Izet Mexhitit, pjesë e koalicionit “VLEN” është propozuar për anëtar të Këshillit të Prokurorëve dhe u ka bërë thirrje deputetëve që të mos të pranojë partizim në Këshillin e Prokurorëve.

Ata theksuan se kjo është një tentativë për partizim brutal të gjyqësorit dhe Prokurorisë përmes ndërhyrjeve partiake në Këshillin e Prokurorëve.

Si dëshmi e afërsisë mes Ardian Demirit dhe Izet Mexhitit, BDI-ja publikoi foto të tyre së bashku.

Dy anëtarët e rinj të Këshillit të Prokurorëve morën dritën jeshile nga komisionet parlamentare dhe deputetët duhet të konfirmojnë përzgjedhjen e tyre. Filtrat e Komisionit, siç thuhet në tekst, i kanë kaluar avokati strugan Ardian Demiri dhe hetuesi nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Vedat Salihi.

Sipas Ligjit për prokurorët publikë, anëtarë të Këshillit të Prokurorëve zgjidhen profesorë universitarë të drejtësisë, avokatë, ish-gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, gjyqtarë ndërkombëtarë dhe juristë të tjerë të dalluar.

Kuvendi para dy muajsh publikoi shpalljen për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve Publikë nga radhët e komuniteteve etnike.