RMV, është shënuar rritje e rasteve pozitive me Covid-19, KSI kërkoi nga qytetarët të respektojnë masat parandaluese

Komisioni për Sëmundjet Infektive në mbledhjen e fundit konstatoi se ka pasur rritje të rasteve pozitive me Covid-19 në krahasim me javën e kaluar, dhe me këtë rast i rikujton qytetarët që të respektojnë masat e përgjithshme për parandalimin e infeksioneve respiratore, transmton Portalb.mk.

Ndër masat që kërkohen të respektohen janë: shmangni grupimin dhe qëndrimin e zgjatur në dhoma të mbyllura, ajrosjen e rregullt të dhomave, larjen më të shpeshtë të duarve dhe shmangien e kontaktit të ngushtë me personat e sëmurë.

“Si për kujtesë, vaksinimi është mënyra më efektive për të mbrojtur kundër një forme të rëndë të sëmundjes.
Në takim, komisioni rikonfirmoi rekomandimin se testimi për Covid nuk është kusht për pranim në një institucion shëndetësor. Për Covid duhet të testohet vetëm sipas indikacioneve, pra nëse pacienti ka simptoma karakteristike të Covidit”, thonë nga KSI.

Komisioni thekson se pacientët duhet të trajtohen për sëmundjen themelore në institucionin e duhur shëndetësor, edhe nëse janë COVID pozitiv, institucioni shëndetësor duhet të sigurojë kushte për të minimizuar rrezikun e përhapjes së sëmundjes tek pacientët dhe stafi mjekësor duke i izoluar nga pacientët pozitivë.

“Komisioni për Sëmundjet Infektive monitoron nga afër situatën dhe në varësi të ndryshimeve do të nxjerrë rekomandimet e duhura”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, që para disa ditësh u bë e ditur se numri i personave të infektuar me Covid-19 në vend po rritet, por nuk kemi forma të rënda të sëmundjes, pothuajse të gjitha rastet trajtohen në baza ambulatore.