RMV, deri tani është miratuar apanazhi i 29 deputetëve nga përbërja paraprake parlamentare

Njëzet e nëntë deputetë nga përbërja e fundit parlamentare morën miratimin nga Komisioni parlamentar për Zgjedhjet dhe Emërimet për të marrë apanazh. Deri më tani janë miratuar kërkesat e 29 deputetëve nga përbërja paraprake e parlamentit, ndërsa kërkesa të tjera janë dorëzuar dhe janë duke u shqyrtuar, transmeton Portalb.mk.

Nga gjithsej 29 deputetë që deri më tani kanë kërkuar dhe iu është dhënë apanazhi, 26 do ta marrin kompensimin gjatë një viti kalendarik, pra 12 muajve. Të drejtën e apanazhit për një vit do ta shfrytëzojnë Zhaklina Lazarevska, Sonja Mihajlovska, Nenad Kociq, Marija Georgievska, Sanela Shkriel, Darko Kaevski, Marija Kostadinova, Marija Angelova, Emilia Rambabova, Lupço Balkovski, Belkisa Zeqiri, Daniela Kadri Koleva, Adnan Neziri, Lolita Ristova, Dime Velkovski, Artina Qazimi, Marija Koçovska, Muhamed Kadriov, Igor Janushev, Maja Moraçanin, Bobi Mojskoski, Kastriot Rexhepi, Laze Tanevski, Martin Kostovski dhe Mirçe Axhiovski.

Miroslav Jovanoviq nga partia serbe në Maqedoni do të marrë apanazh vetëm për dy muaj, pra deri sa të fitojë të drejtën e pensionit. Deri në marrjen e të drejtës së pensionit, Abdullah Saliu nga Aleanca për Shqiptarët do të marrë apanazhin për gjashtë muaj, ndërsa ish-deputeti Remzi Mehmedi për nëntë muaj.

57 deputetë kanë të drejtë apanazhi nga përbërja paraprake  parlamentit pasi nuk janë pjesë e përbërjes së re. Afati për paraqitjen e kërkesës për apanazh përfundon më 28 qershor.

Sipas Ligjit për pagat dhe kompensimet tjera të deputetëve dhe personave të tjerë të zgjedhur dhe të emëruar, deputeti merr apanazh tre mujor nëse ka mbajtur pozitën gjashtë muaj, apanazh në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh marrin deputeëtë që kanë qenë në detyrë nga gjashtë muaj e një ditë deri në 12 muaj, një deputeti i jepet një apanazh nëntë muajsh nëse ka mbajtur detyrën për 12 muaj dhe një ditë deri në 24 muaj, ndërsa një deputeti i jepet apanazh një vjeçar nëse ka mbajtur detyrën për 24 muaj e një ditë më shumë.

Apanazhi është në masën e pagës së deputetëve dhe paguhet nga Kuvendi.

Apanazhi, apo kompensimi financiar gjatë kohë në RMV është temë e diskutueshme duke pasur parasysh se funksionarët marrin para në kurriz të shtetit, edhe pasi që të ndalojnë kryerjen e funksionit.