RMV, asnjë denoncim te oficeri i antikorrupsionit në USHKM, mendojnë se korrupsioni është “normalizuar”
Në mandatin trevjeçar të oficerit të antikorrupsionit të universitetit më të vjetër në shtet – “Shën Kirili dhe Metodi” (USHKM), profesori Gordan Kallajxhiev nuk ka marrë asnjë denoncim, ndërsa gjithashtu edhe profesoresha Gordana Llazhetiq, e cila është në këtë pozitë nga prilli i këtij viti. Studentët, madje, mendojnë se korrupsioni ekziston, por që i njëjti është “normalizuar”, shkruan Meta.mk, njofton Portalb.mk.
Sipas programit për antikorrupsion, i publikuar në sajtin e USHKM-së, nën korrupsion nënkuptohet “çdo veprim ose lëshim që do ta bëjë ndonjë anëtar i komunitetit universitar gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tij dhe detyrës së punës, ndërsa për të njëjtën për kthim kërkon ose merr ndonjë dobi ose interes për veten ose për ndonjë person tjetër, çdo shkelje e ushtrimit të funksionit të përzgjedhur në organet dhe trupat e USHKM-së dhe njësitet e USHKM-së, rregullat e përcaktuara për realizim të kolokiumeve dhe provimeve, vlerësim të eseve dhe punimeve seminarike, mbrojtje të tezave të diplomave dhe masterave dhe disertacioneve të doktoraturës, përzgjedhje për tituj etj., për shkak të një përfitimi, komoditeti, avantazhi ose interesi tjetër material ose jomaterial të premtuar, ofruar, dhënë, kërkuar, pranuar ose pritur nga ana e ndonjë anëtari të komunitetit universitar, qoftë të jetë për veten ose për dikë tjetër”.
Si person i autorizuar për pranim të denocimeve për korrupsion zgjidhet nga radhët e profesorëve të rregullt, ndërsa denoncimi mund të dorëzojë secili anëtar i komunitetit akademik. Dorëzuesi mund të kërkojë mbrojtje të identitetit gjatë procedurës.
Deri tani Universiteti i ka informuar të gjithë studentët përmes mejlit se ka emëruar oficer për antikorrupsion. Informatat ndodhen edhe në ueb-faqen e USHKM-së, ndërsa denoncim mund të dorëzohet në mejlin [email protected].
Profesori Gordan Kallajxhiev, i cili ishte në këtë pozitë tre vite, për Meta.mk thotë se ka paqartësi rreth kompetencave të oficerit. Ai konsideron se oficeri nuk ka autorizime mjaftueshëm të qarta për shkak se nuk është e përcaktuar se deri në cilët dokumente guxon të ketë qasje, ndërsa te të cilët jo, e as nuk është testuar në ndonjë rast konkret.
“Kur do të testoheshin kompetencat në procedurë, do të vërtetoheshin mangësitë”, thotë ai, duke shpjeguar se esenca përndryshe është e qartë: “duhet të kesh qasje deri në të dhëna të besueshme që të sjellësh vendim. Vendimi përfundimtar, megjithatë nuk është i oficerit, por i Rektoratit”.
Për atë që nuk ka denoncime, Kalljxhiev mendon se nuk ka kushte të mëdha për korrupsion, për shkak se kriteret për regjistrim dhe dhënie të provimeve janë më të ulëta nga më parë.
“Sot studentët relativisht lehtë përfundojnë grad arsimi. Megjithatë, nuk mund të pohoj se nuk ka ose nuk ekziston korrupsioni, por mendoj se tregimi është ekzagjeruar”, thotë ai duke shtuar se profesorët nuk kanë aq shumë pushtet për të abuzuar sa dikur.
Kallajxhiev konsideron se nevojitet hulumtim serioz me kritere shkencore që të konfirmohen dukuri më reale të korrupsionit për shkak se, siç thotë ai, “kemi problem me perceptimin”.
Ai mendon se situata thekson probleme të tjera të cilët i kanë margjinalizuar të korruptuarit.
“Më mirë të ketë ndonjë dozë korrupsioni, ndërsa kriteret për regjistrim dhe mësim të jenë më të rrepta sesa të mos ketë korrupsion sepse të gjithë i kalojnë provimet lehtë”, na shpjegoi profesori.
Për të njëjtin problem, profesoresha Gordana Llazhetiq e cila është në këtë pozitë nëntë muaj, për Meta.mk thotë se në qoftë se do të kishte pasur të paktën një rast, do të dinim mendimet e studentëve bazuar në atë rast.
“Është paushalle të flas pa ndonjë rast. Ne si oficerë nuk mundemi të ndikojmë tek studentët që të denoncojnë pa se ditur se si mendojnë”, tha ajo.
Meta.mk ka biseduar edhe me disa studentë të USHKM-së lidhur me atë se nëse ka korrupsion dhe se pse nuk denoncohet. Shumica mendojnë se korrupsioni në arsimin sipëror nuk është incident i izoluar, por problem sistematik me rrënjë të thella. Ai manifestohet nëpër forma të ndryshme, nga “të gjindurit” në provime dhe favorizim, deri te ryshfeti i hapur, por rrallë përmendet publikisht.
“Nuk ekziston segment në të cilin korrupsioni nuk ka lëshuar rrënjë. Duke u rritur në sistem të këtillë, ndjenja jonë e njohjes së problemit është zbehur”, thotë një student nga Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Teknologjive të Informacionit (FIETI), dhe shton se apatia tek të rinjtë është pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së vullnetit institucional për reforma thelbësore.
Studentë nga Fakulteti Juridik “Justiniani i Parë” thonë se korrupsionin më së shpeshti e njohin studentët, por pjesërisht është “mirë i fshehur”. megjithatë, denoncimi mbetet thuajse joekzistues.
Përvoja të ngjashme ndajnë edhe studentë nga Fakulteti Matematikoro_natyror, të cilët thonë se korrupsioni më së shpeshti fshihet pas “funksionimit normal” të sistemit, përmes kritereve të paqarta për vlerësim dhe trajtim të ndryshëm të studentëve.
Edhe pse formalisht ekzistojnë mekanizma për mbrojtje të integritetit akademik, studentët vlerësojnë se ato rrallë funksionojnë në praktikë. “Problemi nuk është se nëse ka resurse, por që nëse me të vërtetë ekziston vullnet që të përdoren”, thekson një student nga Fakulteti Juridik.
Ndryshe, problematikë tjetër e madhe dhe jo e raportuar në universitetet e RMV-së mbeten ngacmimet seksuale nga profesorët.