Reagime për vrasjen e 31-vjeçares: RMV po bëhet vend i rrezikshëm për gratë, dhuna në shkolla po bëhet epidemi sociale

Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi ka reaguar ashpër pas vrasjes së një gruaje 31-vjeçare në Manastir, duke e cilësuar rastin si femicid dhe si një tjetër dëshmi të përkeqësimit të sigurisë për gratë në Maqedoninë e Veriut. Sipas informacioneve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, gruaja është vrarë me thikë nga bashkëshorti i saj mëngjesin e sotëm, ndërsa sulmi ka ndodhur në një situatë ku viktima dhe autori nuk jetonin bashkë. Viktima ka ndërruar jetë në vend nga plagët e marra. Në reagimin e tyre, organizatat e shoqërisë civile theksojnë se ky nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një trendi shqetësues të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje në vend, transmeton Portalb.mk.

“Ky është një tjetër alarm se Maqedonia po bëhet një vend gjithnjë e më i rrezikshëm për të jetuar për gratë”, thuhet në reagim, ku theksohet se rritja e rasteve të femicidit gjatë vitit 2026 tregon se mbrojtja institucionale mbetet e pamjaftueshme.

Sipas Rrjetit, pavarësisht ndryshimeve ligjore dhe strategjive të miratuara, në praktikë nuk është shënuar përmirësim në mbrojtjen e viktimave, ndërsa institucionet, sipas tyre, shpesh dështojnë në parandalimin dhe reagimin në kohë.

Organizatat gjithashtu shprehin shqetësim për numrin në rritje të rasteve të dhunës mes të rinjve në shkolla, disa prej të cilave kanë përfunduar me lëndime serioze, duke e cilësuar situatën si “epidemi sociale të dhunës”.

Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi kërkon hetim urgjent, të plotë dhe transparent për rastin në Manastir, përfshirë verifikimin nëse ka pasur raportime të mëparshme për dhunë ndaj viktimës. Në rast se konstatohen lëshime institucionale, kërkohet përgjegjësi dhe sanksionim i zyrtarëve përgjegjës.

Po ashtu, kërkohet rritje urgjente e investimeve në shërbime të specializuara për viktimat e dhunës, forcim i kapaciteteve në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe qendrat për punë sociale, si dhe programe parandaluese në arsim për uljen e dhunës tek të rinjtë.

“Jeta e grave dhe fëmijëve nuk duhet të përfundojë si statistikë për shkak të mosveprimit institucional”, theksohet në reagim.

Mëngjesin e sotëm, MPB njoftoi se një burrë tridhjetë e tre vjeçar nga Manastiri, A. R., e ka vrarë me thikë gruan e tij herët këtë mëngjes. Nga plagët e marra, 31-vjeçarja A. V. nga Manastiri vdiq në vend. Vdekja u konfirmua nga një mjek nga Shërbimi i Urgjencës Mjekësore.