Reagime pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së: “Vendim i papranueshëm dhe i padrejtë”

Pas shpalljes së aktgjykimit në Hagë, kanë nisur reagimet në Kosovë dhe Shqipëri. Dhomat e Specializuara dënuan Hashim Thaçin me 25 vjet burg, Jakup Krasniqin me 25 vjet, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet burg. Gjykata i shpalli fajtorë për disa pika të krimeve të luftës, ndërsa i shpalli të pafajshëm për gjashtë pika të krimeve kundër njerëzimit, për mungesë provash të mjaftueshme, raporton Portalb.mk.

Qytetarë janë mbledhur në Prishtinë, ndërsa në mesin e mesazheve të përsëritura ishte “Jo në emrin tim”.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas vendimit të turpshëm që mori sot Gjykata Speciale në Hagë, me dënimin e ish-krerëve të UÇK-së. Në një reagim në rrjete sociale, Kurti ka thënë se ky dënim është padrejtësi që nuk pranohet.

“Shpallja fajtorë dhe dënimi kaq i rëndë për ish-krerët e UÇK-së është një padrejtësi e papranueshme, ndëshkim i madh dhe i dëmshëm. Advertisement “Aktgjykimi i sotëm i Dhomave të Specializuara rrëzoi pretendimin më të rëndë që ka mbetur në aktakuzë se UÇK-ja kishte kryer një sulm të gjerë dhe sistematik kundër një popullsie civile, u pa qartë se ky proces nuk kishte për gjykim pastërtinë e luftës së UÇK-së”, tha Kurti.

Vajza e Jakup Krasniqit, Gresë Krasniqi, e ka cilësuar vendimin si të padrejtë, duke shprehur besimin në pafajësinë e babait të saj dhe të bashkëakuzuarve Thaçi, Veseli dhe Selimi.

Reagim ka pasur edhe nga kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini. Ai i ka cilësuar dënimet ndaj Thaçit, Krasniqit, Veselit dhe Selimit si tronditëse.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar me nje postim ku shkruan “Marre”. Ai kishte shprehur publikisht mbështetjen e tij për ish-krerët e UÇK-së edhe para shpalljes së aktgjykimit, duke e cilësuar procesin si “farsë” dhe duke kërkuar lirinë e tyre.

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka cilësuar vendimin si “të papranueshëm dhe të padrejtë”, duke thënë se beteja për drejtësi duhet të vazhdojë në shkallën e dytë.

“Vendimi i sotëm me dënim për udhëheqësit e UÇK-së në emër të popullit të Kosovës është i papranueshëm dhe i padrejtë. Beteja për drejtësi duhet të vazhdojë, kjo betejë duhet të fitohet në shkallën e dytë”, tha Haradinaj në një video të publikuar në rrjetet sociale.

Ai u bëri thirrje qytetarëve për qetësi dhe tha se dëmtimi i pronës publike dhe i jetës së qytetarëve nuk i shërben Kosovës.

Ndërkohë, vëllai i Hashim Thaçit, Gani Thaçi, ka thënë se familja mbetet e bindur në pafajësinë e ish-presidentit dhe se pret procedurën e apelit.

Në Kosovë, kundërshtime ndaj procesit dhe vendimit janë shprehur edhe nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dhe përfaqësues të PDK-së. Bedri Hamza, para shpalljes së aktgjykimit, kishte deklaruar se Kosova do ta kundërshtonte çdo vendim që ai e konsideronte të padrejtë.

Aktgjykimi i sotëm është i shkallës së parë dhe palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Dhomave të Specializuara.