Përfaqësuesi i Doganës dëshmoi para gjykatës nëse autobusi i “Besa Trans” ka pasur certifikatë të licencës

Sot vazhdoi gjykimi për rastin “Besa Trans në të cilin kompania si person juridik dhe pronari i kompanisë Bekim Haxhiu akuzohen për falsifikimin e licencës së autobusit i cili në orët e para të 23 nëntorit të vitit 2022, duke ardhur nga Stambolli për në Shkup, në autostradën “Struma” të Bullgarisë është aksidentuar dhe më pas është djegur, ku si pasojë kanë humbur jetën 45 persona, ndërkaq 7 të tjerë janë lënduar, njofton Portalb.mk.

Gjykimi sot formalisht filloi nga e para pasi që kanë kaluar 90-të ditë nga mbajtja e seancës së fundit, për këtë shkak u desh që gjykatësi sërish t’i identifikojë të akuzuarin dhe përfaqësuesin e kompanisë, ndërkaq prokurori në marrëveshje me avokatin e të akuzuarit, u pajtuan që të mos lexohet sërish aktakuza pasi që është e njëjtë dhe nuk ka kurrfarë ndryshimi, por vetëm u prezantua shkurt.

Në vend të përfaqësuesit të personit juridik “Besa Trans”, në seancë erdhi Hajredin Muça, të cilit i është ndarë dhe avokat sipas detyrës zyrtare.

Edhe Muça, por edhe pronari i kompanisë Bekim Haxhiu u deklaruan sërish para gjykatës se e dinë se për çfarë akuzohen, por nuk ndihen fajtor për veprën me të cilën ngarkohen.

Gjykimi vazhdoi me deklaratën e përfaqësuesit të Doganës, Dragan Vasilevski, i cili foli për atë se çfarë sistemi përdoret për evidentimin e autobusëve gjatë kalimit të kufirit dhe çfarë dokumente duhen që të kalojë një autobus.

A ka Dogana sistem për evidentimin e daljes së autobusëve jashtë kufirit, e pyeti përfaqësuesin e Doganës, prokurori Vlladimir Milloshevki.

Po, ia ktheu Vasilevski, duke shpjeguar se sistemi është elektronik dhe i njëjti quhet EKSIM.

Prokurori e pyeti Vasilevskin nëse autobusi i aksidentuar, me targa SK0284BA ka qenë i evidentuar gjatë daljes nga kufiri.

“Besa trans, në sistem është evidentuar disa herë, pasi është transportues i rregullt, ekziston evidencë që ka dalë”, tha përfaqësuesi i Doganës.

Vasilevski i numëroi të gjitha dokumentet të cilat nevojiten për kalimin e autobusit jashtë vendit

“Për të kaluar një autobus, duhet të ketë: Llojin e lejes (eksport, import…), emri i transportuesit, numri amë i transportuesit, numri i lejes, targat, numri i certifikatës së licencës, emri i shoferit, certifikata, lista e udhëtarëve, relacioni i transportit dhe vendi ku është regjistruar transportuesi”, tha Vasilevski, pas çka prokurori tha se nuk ka pyetje shtesë.

Asmir Alispahiq, avokat i pronarit të Besa Trans, vazhdoi me pyetje të kryqëzuara ndaj përfaqësuesit të Doganës.

“A do të thotë se nëse një transportues, nëse nuk e ka njërin prej këtyre dokumenteve, nuk ta kalojë kufirin”, pyeti Alispahiq, ndaj çka Vasilevski u përgjigje me “po”.

“Thatë që për të kaluar një autobus nënkupton që duhet të ketë numër të licencës për kryerjen e transportit”, vazhdoi me pyetjen tjetër Alispahiq, për të cilën, sërish Vasilevski, u përgjigj sërish me “po”.

Alispahiq vazhdoi me pyetjen tjetër, duke i thënë Vasilevskit nëse me këtë nënkupton se “Besa Trans” ka certifikatë, pas çka prokurori reagoi duke kërkuar që pyetja të mos lejohet pasi siç tha ai, në dëshminë e përfaqësuesit të doganës askund nuk ka dalë origjinaliteti i certifikatës.

Megjithatë, gjykata e lejoi pyetjen.

“Nuk e di, pasi unë si dëshmitar nuk mund të jap konkluzione. Unë mund të them se nëse e kanë kaluar kufirin, domethënë që i kanë plotësuar kushtet”, tha përfaqësuesi i Doganës, Dragan Vasilevski, ndërkaq avokati Alispahiq deklaroi se nuk ka pyetje shtesë.

Për sqarim, autobusi i cili është aksidentuar nuk ka pasur certifikatë të licencës për transport ndërkombëtar, por gjatë kalimit të kufirit e ka përdorur certifikatën e një autobusi tjetër, ndërkaq Dogana e cila është dashur ta kontrollojë – e ka lëshuar. Prokuroria akuzon pronarin dhe “Besa Transin” se certifikata është falsifikuar, ndërkaq teza e mbrojtjes është se nuk ka falsifikim të dokumenteve në çështje – vepër për të cilën akuzohet drejtuesi dhe kompania. Ata pretendojnë se nuk është bërë dokument i rremë dhe as nuk është ndryshuar licenca ekzistuese për t’u përdorur si e vërtetë.

Prokuroria dhe mbrojtja nuk e pyetën se si mundet ta lëshojë Dogana autobusin me certifikatë të autobusëve tjerë, e cila është një prej çështjeve kyçe.

Sipas aktakuzës, 41-vjeçari Bekim Haxhiu, si pronar i “Besa Trans” nga fshati Rashçe, përmes shoferëve që drejtonin autobusin, ka përdorur certifikatë licence që nuk është lëshuar nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve. Me certifikatën e falsifikuar të licencës për qarkullim ndërkombëtar, autobusi është larguar 20 herë nga vendi vitin 2021 nga data 10 janar deri në aksidentin e nëntorit.

Drejtoria Doganore një ditë pas aksidentit informoi se pas kontrolleve të kryera, është vërtetuar se autobusi i “Besa trans” – Shkup i cili është djegur në autostradën në Bullgari, nuk ka qenë fare i evidentuar se ka dalë jashtë shtetit. Për këtë dy doganierë janë suspenduar nga puna për shkak veprimit të paligjshëm, megjithatë autoritetet shtetërore nuk kanë njoftuar për kurrfarë ndjekje penale ndaj doganierëve të cilët kanë keqpërdorur detyrën.

Gjykimin e udhëheq gjyqtari Ivica Stefanovski, përfaqësues i prokurorisë është prokurori publik Vlladimir Miloshevski.

Aksidenti në fjalë, ndodhi më 23 nëntor të vitit të kaluar në orët e para të mëngjesit, kur autobusi “Besa Trans”, i cili po kthehej nga Stambolli me turistë, u përplas në rrethojën e autostradës Struma, në afërsi të fshatit bullgar Bosnek. Në mesin e 45 të vdekurve ishin 12 fëmijë, ndërsa shtatë mbijetuan.

Nga seancat paraprake:

Gjithçka në lidhje me rastin, lexojeni dosjen e përgatitur nga Portalb.mk: Një vjet nga aksidenti i autobusit në Bullgari, gjithçka që ndodhi në tragjedinë ku humbën jetën 45 persona