Radev: Do të donim ta shihnim Maqedoninë në BE sa më shpejt të jetë e mundur

Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë pritur me dekada dhe po zbatojnë reforma të vështira në ekonomi, administratë dhe sundim të ligjit. Nuk duhet t’i harrojmë ato, ndërsa fokusi ynë është në Ukrainë për shkak të veprimeve ushtarake – thotë ish-presidenti bullgar Rumen Radev në një intervistë me gazetën gjermane Berliner Zeitung, transmeton Portalb.mk.

Lidhur me Maqedoninë e Veriut konkretisht, Radev është i bindur se negociatat për vendin me BE-në mund të fillojnë pasi bullgarët të përfshihen në Kushtetutë.

“Sipas konsensusit evropian të korrikut 2022, RMV duhet të ndryshojë kushtetutën e saj dhe t’i përfshijë bullgarët në mënyrë të barabartë me popujt e tjerë shtetformues, dhe vetëm atëherë mund të fillojnë negociatat për anëtarësim në BE. Është një proces i vështirë, por i domosdoshëm dhe ne do të donim ta shihnim RMV-në në BE sa më shpejt të jetë e mundur. Ne nuk duam kufij dhe kalime kufitare, por duam që njerëzit në të dyja anët e kufirit të jenë në gjendje të jetojnë, të punojnë dhe të komunikojnë lirisht së bashku”, tha Radev në një intervistë me Berliner Zeitung.

Nxitimi rrezikon të minojë parimet evropiane dhe Ukraina ka ende shumë punë për të bërë për të përmbushur kriteret e nevojshme për anëtarësim në BE, shton Radev në lidhje me integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Ukrainës.

Kujtojmë se, lidhur me anëtarësimin në BE, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski duket se ka ndryshuar qëndrim: nga një person që nuk pranonte ndryshime kushtetuese pa garanci të qarta, në një që tashmë shprehet më lehtësisht se ato janë të domosdoshme. Në një paraqitje në TV Kanal 5, ai tha se ekziston një mundësi që Maqedonia e Veriut të bëhet pjesë e bllokut, por pa të drejtë vote, gjë që do të ndodhte në vitin 2027, si pjesë e një skenari që lidhet me planin e paqes për Ukrainën. Deklarata e kryeministrit vjen një ditë pasi presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se pajtohet që Serbia të bëhet pjesë e BE-së pa të drejtë vote.

Kur u pyet nëse kushtet përfshijnë ndryshime kushtetuese, ai tha se “supozon se do të jetë kështu, sepse kjo u miratua nga qeveria e mëparshme”.

Deklaratat e tilla përbëjnë ndryshim drastik të qëndrimit të kryeministrit. Jo më larg se më 5 shkurt, kryeministri Hristijan Mickoski në RTVM tha se qëndrimi i Qeverisë për ndryshimet kushtetuese mbetet i pandryshuar dhe ato nuk do të ndodhin pa garanci të qarta se procesi i integrimit evropian nuk do të shoqërohet me bllokada dhe kushte të reja dypalëshe.

Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.

Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet. 

Ndërkohë, qëndrimi i Qeverisë për ndryshimet kushtetuese mbetet i pandryshuar dhe ato nuk do të ndodhin pa garanci të qarta se procesi i integrimit evropian nuk do të shoqërohet me bllokada dhe kushte të reja dypalëshe.