Qyteti i Shkupit ndan 2 milionë euro, ndërsa Komuna e Sarajit duhet të zgjidh çështjet pronësore për rrugën e Matkës

Komuna e Sarajit ka vendosur të zgjidh çështjet pronësore juridike në lidhje me ndërtimin e rrugës në Matkë, pas vendimit të Qytetit të Shkupit për financimin e kësaj rruge, transmeton Portalb.mk.

“Komuna e Sarajit do të angazhohet rreth përgatitjes së projektit dhe kontesteve të mundshme pronësore-juridike”, premtojnë nga Komuna.

Ata vlerësojnë se me ndërtimin e kësaj rruge do të zgjidhet problemi për banorët e asaj pjese dhe turistët që vijnë nga qytete dhe shtete të ndryshme.

“Qyteti i Shkupit do të ndaj mjete financiare në vlerë prej 124.621.244 denarë me TVSH, për vitet 2023, 2024, 2025”, njoftojnë nga Komuna.

Ndryshe, Qeveria me propozim të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në shkurt të vitit 2023 ka përcaktuar tekstin e Projektligjit për shpalljen e Kanionit të Matkës monument natyre.

“Theksohet se pasuria e vlerave natyrore dhe kulturore e bën Kanionin e Matkës një nga objektet më përfaqësuese të natyrës në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe karakterizohet nga një trashëgimi e jashtëzakonshme natyrore, veçanërisht me habitate dhe specie të rëndësishme kombëtare dhe rëndësi evropiane”, thuhet në kumtesë.

Qëllimi i Projektligjit, siç është paralajmëruar, është mbrojtja e karakteristikave gjeologjike, gjeomorfologjike, hidrologjike, floristike dhe faunike, të cilat janë të një rëndësie të veçantë për mbrojtjen e natyrës.