Qytetarët në Tetovë mund t’i paraqesin dëmet nga reshjet deri të premten

Të gjithë qytetarët e Komunës së Tetovës që kanë pësuar dëme në prona dhe bujqësi nga reshjet dhe stuhia, nga sot (1 korrik) deri të premten (7 korrik) mund të paraqesin kërkesë për dëmshpërblim në komunë, shkruan Portalb.mk.

Për të kryer këtë proces, qytetarët në arkivin e Komunës së Tetovës duhet të dorëzojnë:

  • Fletë-pronësinë ose dokumentacion tjetër që provon pronësinë e pronës së prekur,
  • Fotografi të ndërtesës së dëmtuar,
  • Kopje të kartës së identitetit,
  • Kopje të llogarisë së transaksionit.

“Pas shqyrtimit dhe vlerësimit të kërkesave nga Komisioni i përbërë për këtë qëllim, ato do të paraqiten për miratim në Këshillin e Komunës së Tetovës”, thonë nga Komuna e Tetovës.

Ky vendim vjen pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit Komunal që u mbajt më 29.06.2024.

Sipas informatave, deri më tani në Komunën e Tetovës janë paraqitur 160 raste të dëmeve.

Kompensim për dëmet në bujqësi ka premtuar edhe ministri i Bujqësisë, Cvetan Trupunovski pas vizitës së disa pjesëve të dëmtuara në Tetovë.

Kujtojmë që më 23 dhe 27 qershor Tetova dhe rrethina u kapluan nga reshjet e dendura, stuhia dhe breshëri, të cilat shkaktuan përmbytje dhe dëme të mëdha në pronat e qytetarëve, bujqësi dhe të tjera.