QMK: Pas reshjeve të dendura, uji në Kumanovë nuk është i pijshëm

Pas reshjeve të mëdha të djeshme, Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK) paralajmëroi mëngjesin e sotëm se uji nga ujësjellësi i Kumanovës nuk duhet të përdoret për pije, transmeton Portalb.mk.

Shpërndarja e ujit përmes sistemit të transmetimit në qytet është ndërprerë dhe kjo situatë do të zgjasë deri në tejkalimin e plotë të saj, pra derisa autoritetet të konfirmojnë se uji është i pijshëm.

QMK-ja bën me dije se mëngjesin e sotëm është kërkuar nga Departamenti për Operacione dhe Koordinim që të koordinohet ndërmjet institucioneve për të tejkaluar, siç thuhet, problemin e madh me ujësjellësin e qytetit të Kumanovës.

Siç informojnë nga QMK-ja, reshjet e dendura të shiut dhe breshrit të djeshëm në rajonin e Likovës kanë shkaktuar rritje të nivelit të Rekës së Likovës, gjë që ka ndikim në sistemin e ujësjellësit të stacionit filtrues të NP “Ujësjellësi”, Kumanovë.

“Sipas informacioneve nga përgjegjësi i stacionit të filtrimit, kemi të bëjmë me një sasi mbi 10 mijë metër kub ujë të turbullt që ndikon në procesin e pastrimit dhe dërgimit te qytetarët. Për ato arsye, për momentin uji në sistemin e transmetimit  është i turbullt dhe shpërndarja për qytetarët është ndërprerë, e cila me gjasë do të zgjasë gjatë gjithë ditës së sotme, nëse është e nevojshme edhe deri në momentin kur situata të tejkalohet”, thuhet në informacionin nga Qendra e Menaxhimit të Krizave.

Nga aty shtojnë se menjëherë është kërkuar nga shërbimet inspektuese dhe nga Qendra për Shëndet Publik në Kumanovë që të bëjnë inspektim në vend, marrjen e mostrave për analizë dhe marrjen e vendimit të duhur për veprime të mëtutjeshme.

“Njëkohësisht Komuna e Kumanovës është njoftuar për veprime të mëtutjeshme, në drejtim të ndërmarrjes së masave dhe aktiviteteve për tejkalimin e situatës në interes të qytetarëve dhe për momentin është vendosur komunikim me mediat me qëllim t informimit të qytetarëve nga Kumanova”, thonë nga QMK.

Sot saktësisht në mesditë, shton Qendra, është njoftuar se shtabi komunal do të takohet me të gjithë përfaqësuesit e institucioneve në Komunën e Kumanovës lidhur me gjendjen.

Kujtojmë se mbrëmë në disa rajone të vendit ka pasur reshje të dendura të shiut.