QKC: Qeveria dhe komunat në RMV sakrifikuan projekte prej 220 milionë eurosh për të ulur shpenzimet nga kriza energjetike

Për mbulimin e shpenzimeve shtesë të imponuara nga kriza energjetike në vitin 2022, qeveria dhe komunat sakrifikuan një total projektesh të rëndësishme për qytetarët me vlerë së paku 220 milionë euro, thuhet në një nga konkluzionet e hulumtimit të fundit për pasojat e rritja e kostove buxhetore nga kriza në vitin 2022 në fushat që ndikojnë në jetën e qytetarëve, të Qendrës për Komunikim Civil (QKC), Shoqatë së Këshilltarëve Tatimorë dhe Aktivo, transmeton Portalb.mk.

Hulumtimi mbi pasojat e rritjes së kostove buxhetore nga kriza në vitin 2022 është i ndarë në nivel kombëtar dhe komunal.

Kështu, sipas hulumtimeve, qeveria sakrifikoi projekte prej së paku 170 milionë euro, si: renovimi i objekteve shëndetësore, blerja e pajisjeve mjekësore, ndërtimi i kopshteve dhe shtëpive për të moshuarit, ndërtimi i rrugëve, rindërtimi i konvikteve studentore, si dhe projekte për përmirësimin e mjedisit jetësor. 50 milionë euro të tjera projekte kapitale duhej të realizoheshin nga autoritetet lokale.

“Për të mbuluar ndikimin e krizës energjetike në investime kapitale në vitin 2022, rreth 28% e shpenzimeve kapitale, pra 130 milionë euro, janë shpenzuar për pagesa që nuk mund të reduktohen në kategorinë “kapitale”, si p.sh. pagesat ndaj SHA Elektrana për tejkalimin e krizës energjetike, si dhe pagesat e garancisë me këste për kreditë për ndërmarrjet shtetërore”, thuhet në hulumtim.

Totali i obligimeve financiare të raportuara të subjekteve buxhetore vetëm në vitin 2022 janë rritur për 186 milionë euro të tjera, pra me 30 për qind, duke arritur në shumën totale prej 800 milionë euro.

Hulumtimi po ashtu thotë se për dallim nga zvogëlimi i projekteve me rëndësi për qytetarët, autoritetet vendore janë sjellë sikur nuk ka pasur krizë sa i përket shpenzimeve të udhëtimit, pagave, shërbimeve kontraktuale dhe punësimit të përkohshëm, të cilat në vitin 2022 madje janë rritur.

Investimet në infrastrukturën rrugore me Buxhetin e vitit 2022 fillimisht ishin parashikuar në 96 milionë euro, për t’u shfuqizuar plotësisht, si dhe reduktim të fondeve ka pasur edhe për projektet e ujësjellësit dhe kullimit të ujërave të zeza. Më tej, reduktim i madh i mjeteve është shënuar edhe në reformat e IEVP, përkatësisht nga 4.6 milionë euro të planifikuara fillimisht janë realizuar vetëm 127 mijë euro. Në vitin 2022 nuk është blerë pajisja e planifikuar e TI-së e Drejtorisë së të Ardhurave Publike (DAP), as nuk është bërë përmirësimi i pajisjeve ekzistuese dhe konsolidimi i bazave të të dhënave në vlerë 800 mijë euro.

“Institucionet treguan nivel jashtëzakonisht të ulët të llogaridhënies në raport me projektet e planifikuara dhe të parealizuara, gjë që në situata të caktuara ngre dyshime për fshehjen e vetëdijshme të informacionit nga publiku”, thuhet në hulumtimin e Qendrës për Komunikime Civile.