QGjH: Ministria e Mjedisit ka toleruar në mënyrë të paligjshme ndotësit për dekada

Ministria e Mjedisit, duke u përpjekur të mbulojë një krim, ka pranuar një tjetër! Ajo ka pranuar se për dekada me radhë ka toleruar në mënyrë të paligjshme ndotësit, se edhe pse nuk ekziston asnjë ligj që e lejon helmimin të trajtohet si sekret afarist, institucionet e kanë lejuar një gjë të tillë dhe se me ligjin e ri kriminal po e legalizojnë vetë këtë veprim të dëmshëm, thonë nga “Qyteti i Gjelbër Human”, transmeton Portalb.mk.

Industria, sipas tyre, prej kohësh e ka shfrytëzuar të drejtën e sekretit afarist për të fshehur informacionet për djegien dhe emetimet, gjë që sipas Ministrisë së Mjedisit ka qenë e mundësuar nga ligje dhe akte nënligjore.

“Cilat janë ato akte? Ku janë? Sepse, përveç Ligjit për duhanin, nuk ekziston asnjë akt tjetër ku ndotja apo çfarëdo dëmi ndaj mjedisit, jetës dhe shëndetit të njerëzve dhe kafshëve mund të konsiderohet sekret afarist”, theksojnë ata.

Ndërkohë që Ministria dhe institucionet e tjera përpiqen të krijojnë përshtypjen se ndotësit më të mëdhenj janë amvisëritë, nga deklaratat e fundit del se për dekada janë fshehur krime mjedisore në dëm të shëndetit të të gjithë qytetarëve.

Nga “Qyteti i Gjelbër Human” kërkojnë që Prokuroria të nisë menjëherë hetim me detyrë zyrtare për rolin institucional në fshehjen e ndotjes, të përcaktojë se kush, kur dhe me urdhër të kujt ka lejuar që ndotja të fshihet nga publiku, si dhe të vendosë përgjegjësi penale për të gjithë të përfshirët që për dekada kanë lejuar që këto “sekrete afariste” t’i paguajmë me mushkëritë tona, me shëndetin e fëmijëve tanë dhe me një mjedis të shkatërruar.

“Ne kërkojmë transparencë të plotë të të gjitha të dhënave për emisionet, pa asnjë përjashtim! E drejta për një jetë të shëndetshme na garantohet me Kushtetutë”, shtojnë nga kjo iniciativë.