Qeveria e re në RMV dhe Presidenca nuk duhet të vihen në pozitë të rikthimit të ndonjë veto te re greke

Maqedonia e Veriut si anëtare e NATO-s dhe kandidate për Bashkimin Evropian, duhet me doemos tu përmbahet marrëveshjeve të nënshkruara me fqinjët që të qëndrojë në kursin e nisur të politikës së jashtme, në kë kundërtën, vendi rrezikon të hyjë në krizë të re diplomatike. Kështu shprehen për Portalb.mk njohësit e çështjeve ndërkombëtare në lidhje me betimin e presidentes së shtetit, Gordana Sijlanovka Davkova, e cila nuk e përmendi emrin kushtetues të vendit.

Për profesorin universitar të shkencave sociale, Murat Aliu, akti i betimit të presidentes përbën një skandal, parë nga sytë e ndërkombëtarëve. Maqedonia e Veriut si anëtare e NATO-s dhe kandidate për integrimin në BE,  shpërfill emrin kushtetues, për të cilin obligohet sipas Marrëveshjes së Prespës.

“Realisht parë me sytë e bashkësisë ndërkombëtare, akti i betimit të presidentes së re të RMV-së, Gordana Siljanovska-Davkova përbën një skandal ndërkombëtar, pasi që është e pa tolerueshme që një presidente e një shteti anëtar NATO-s dhe kandidate për anëtarësim të plotë në BE, të mos respektojë një marrëveshje ndërkombëtare që ka nënshkruar RMV-ja.  Megjithatë edhe presidentja edhe mbështetësit e saj e kanë të qartë që kjo përben një shkelje të kushtetues dhe Marrëveshjes së Prespës si një marrëveshje ndërkombëtare e obligueshme”, deklaroi Murat Aliu.

Kompromisi për emrin kushtetues “Maqedonia e Veriut” ishte pjesë e tejkalimit të kontestit 30 vjeçar me Greqinë, dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës. Presidentja e RMV-së Davkova, pavarësisht se përfaqëson një subjekt shtetëror, në një kumtesë u tha se ka të drejtë ta përdorë termin “Maqedonia” si akt i së drejtës personale, ndërkaq eksperti i politikës ndërkombëtare, Selim Ibraimi vlerëson se deklarata e tillë është “shaka” serioze politike.

“Pavarësisht sqarimit nga Presidenca, presidentja patjetër duhet të respektojë detyrimet ndërkombëtare, dhe fundja vetë Kushtetutën e RMV-së. Ndryshe nuk ka se si vlerësohet si vetëm një “shaka” politike serioze që buron nga e kaluara e saj dhe fushata parazgjedhore me pasoja të brendshme e të jashtme”, deklaroi Ibraimi.

Në një analizë që zhvilloi redaksia Portalb.mk në mediat greke, përkatësisht gazetës Kathimerini, në vendin fqinj vërehet shqetësimi i vënë në pah, njashtu nuk përjashtohet mundësia e rikthimit të vetos dhe thellimit të krizës me Bullgarinë, në procesin e saj integrues drejtë BE-së dhe relacioneve me institucionet e partnerët ndërkombëtar.

“Qeveria e re dhe Presidenca me të gjitha format nuk duhet të vihen në pozitë të rikthimit të ndonjë veto te re greke. Hapi i parë janë ndryshimet kushtetuese ku qeveria e re duhet të punojë më shumë deri në vjeshtë. RMV duhet t’i shmanget situatave të tilla, e këtë mund ta bëjë vetëm nëse qëndron në kursin e nisur të politikës së jashtme,  shtetet fqinje, BE-në SHBA , NATO dhe institucionet ndërkombëtare”, shtoi Ibraimi.

Thellimi i krizës me Bullgarinë burimin e ka te ndryshimet kushtetuese, të cilat Qeveria e re, e udhëhequr nga mandatari nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Hrisitjan Mickoski duhet t’i realizojë që në ditët e para të qeverisjes. Duke pasur parasysh këtë, Murat Aliu, vlerëson se qëndrimet aktuale të presidentes në relacion me Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, do të acarojnë marrëdhëniet me Bullgarinë në të ardhmen.

“Burimi i krizës me Bullgarinë nuk është vetëm Marrëveshja e Prespës, por kërkesa e Bullgarisë për përfshirjen e pakicës bullgare në RMV në kushtetutën e vendit. Në këtë kontekst duke ditur qëndrimet e presidentes për këtë çështjes, është më se e qartë që në një të ardhme të afërt dhe mesme do të kemi marrëdhënie të acaruara edhe me Bullgarinë”, shtoi Aliu.

Kujtojmë se reagime të shumta nga faktori ndërkombëtar, fqinjët dhe vendase u drejtuan në adresë të presidentes Siljanovska Davkova pas mospërmendjes së emrit kushtetues në betimin e saj ditën që mori mandatin.