Punonjësit e sektorit publik në RMV vuajnë nga shqetësimet në punë, nuk i raportojnë pasi kanë frikë (Video)

Portalb.mk kreu një anketë për shqetësimet në vendin e punës në sektorin publik në Maqedoninë e Veriut. Nga 45 persona që u përgjigjën në anketë, 24 janë shprehur se kanë përjetuar shqetësime verbale, fizike dhe gjinore në vendin e punës. Megjithatë, këto raste nuk i paraqesin për shkak të frikërave të ndryshme personale, politike dhe të tjera. Prokuroria dhe Ministria e Brendshme nuk kanë statistika për ngacmimet në vendin e punës. Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë së Veriut thekson se praktika ka treguar se zgjidhjet ligjore nuk ofrojnë kuadër ligjor të kënaqshëm për mbrojtje efektive nga ngacmimet në vendin e punës.

Shumë shqetësime, pak raportime

“Kërkim pune për të cilin nuk paguhem”, “diskriminim dhe mobing”, “ofendim etnik ndaj meje”. Këto janë vetëm disa nga shqetësimet e ngritura nga qytetarët në redaksinë e Portalb.mk gjatë muajit korrik 2024 përmes anketës anonime e cila ishte publike për qytetarët lidhur me shqetësimet në vendin e punës në sektorin publik në Maqedoninë e Veriut.

Anketa u plotësua nga 45 qytetarë punonjës nëpër institucione të ndryshme shtetërore në RMV.

24 qytetarë kanë thënë se kanë përjetuar ngacmime në vendin e punës, nga të cilët 13 janë burra dhe 11 gra.

2 të tjerë që vetë nuk kanë përjetuar ngacmim kanë deklaruar se kanë qenë dëshmitarë në rastin kur ndaj ndonjë kolegut të tyre është ushtruar ngacmim.

20 qytetarë kanë thënë se kanë përjetuar ngacmim verbal (vërejtje ofenduese, keqtrajtim emocional, frikësim, cenim i dinjitetit, integritetit, reputacionit dhe nderit; mbi bazë gjinore, fetare, përkatësie etnike, ideologjike, partiake…).

3 qytetarë kanë thënë se kanë përjetuar ngacmim gjinor (komente dhe propozime verbale të padëshiruara seksuale, thirrje të ndryshme të padëshiruara, gjuhë imponuese e trupit: shikimi, qëndrimi shumë afër, demonstrimi i gjesteve të ndryshme seksuale, ngacmimi emocional, vërejtjet dhe shakatë seksiste, ofenduese dhe diskriminuese, shpërndarja e thashethemeve seksuale për një person, prekje të padëshiruara/të imponuara të trupit, aktivitete seksuale, etj.).

1 qytetar ka thënë se ka përjetuar ngacmim fizik (rrahje, shtyrje, keqtrajtim).

Nga gjithsej 24 raste, vetëm 3 qytetarë i kanë raportuar këto ngacmime.

Ndërsa 21 të tjerët nuk i kanë raportuar për shkaqe të ndryshme: 14 si pasojë për shkaqe personale (pushim i detyrueshëm nga puna, degradim në pozitën e punës/mosrespektim, largim nga njësia/sektori, bulling); 8 si pasojë e shkaqeve politike (Rreziqet financiare (pushimi nga puna, degradimi, transferimi në një vend tjetër të punës) frika nga prishja e reputacionit); 3 për arsye të tjera.

21 qytetarë janë deklaruar se gjatë punësimit nuk kanë qenë të njoftuar me të drejtat e tyre, kodin etik dhe profesional, ndërsa 24 të tjerë kanë qenë të njoftuar.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Jo të gjithë janë të informuar me të drejtat e tyre

Nga Shoqata e Maqedonisë për Mbrojtje në Punë theksojnë se çdo ngacmim në vendin e punës duhet të raportohet menjëherë me dëshmi në shërbimin përkatës në çdo organizatë,

“Çdo kompani, publike apo private, duhet të hartojë një kod sjelljeje në vendin e punës me nene të përcaktuara saktë, duke shpjeguar se çfarë lejohet dhe çfarë jo, edhe nëse ka një kod veshjeje të përcaktuar, atëherë shërbimi për të drejtat e njeriut duhet të informojë të gjithë punonjësit (me shkrim dhe gojë) të njohin të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë e tyre dhe të caktojnë persona përgjegjës për këtë çështje. Mendoj se të gjithë nuk janë të informuar sa duhet për këtë çështje”, thanë nga Shoqata e Maqedonisë për Mbrojtje në Punë.

Inspektorati i Punës konstatoi parregullsi

Gjatë viteve 2023 dhe 2024, Inspektorët Shtetëror të Punës kanë kryer gjithsej 72 kontrolle të jashtëzakonshme dhe janë marrë 31 vendime me masë inspektimi paralajmërim për eliminimin e mangësive të konstatuara gjatë mbikëqyrjes për mosrespektim të nenit 11 dhe 12 të Ligjit për mbrojtjen nga ngacmimi në vendin e punës.

“Punëdhënësi duhet t’i njoftojë punëmarrësit me masat dhe procedurën në lidhje me mbrojtjen nga ngacmimi në vendin e punës dhe me të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë e punëdhënësit dhe punëmarrësit gjatë vetë punësimin dhe gjatë operacionit, si dhe të hartojë një listë të ndërmjetësve që do të ndërmjetësojnë ndërmjet palëve në rast ngacmimi në vendin e punës (punëdhënësi me 50 ose më shumë punonjës). Në të gjitha rastet është zbatuar vendimi i miratuar dhe procedura është ndërprerë në përputhje me ligjin”, thanë nga Inspektorati Shtetëror i Punës.

Zgjidhjet ligjore nuk ofrojnë kuadër ligjor të kënaqshëm për mbrojtje efektive nga ngacmimet në vendin e punës

Në Maqedoninë e Veriut, shqetësimet e tilla në vendin e punës mbrohen sipas ligjeve dhe rregulloreve të ndryshme, si për shembull Ligji për marrëdhënie të punës apo Ligji për mbrojtje nga ngacmimi në vendin e punës.

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë së Veriut (LSM) për Portalb.mk thekson se shqetësimet në vendin e punës janë fenomen negativ që ka pasoja të rënda në shëndetin fizik dhe mendor të punëtorëve, ulë produktivitetin dhe cilësinë e punës dhe më gjerësisht ndikon negativisht në prishjen e marrëdhënieve familjare dhe të shoqërisë në tërësi.

Nga aty theksojnë se sipas evidencës së shërbimit ligjor për ndihmë juridike falas të organizuar në LSM, ankesat për mbrojtje nga ngacmimet në vendin e punës janë të shprehura seriozisht në kompani dhe institucione ku punëtorët nuk janë të sindikalizuar.

“Për dallim prej tyre, anëtarët e LSM-së kanë njohuri për aspektet negative të ngacmimit dhe mënyrën dhe procedurën e mbrojtjes nga kjo dukuri negative, prandaj numri i adresave të anëtarëve tanë mbi këtë bazë nuk është serioz”, thonë nga LSM.

Nga LSM theksojnë se praktika ka treguar se zgjidhjet ligjore nuk ofronin kuadër ligjor të kënaqshëm për mbrojtje efektive nga ngacmimet në vendin e punës.

“Për këto arsye, 2 vite më parë u bë kërkesa për të analizuar nevojën e hartimit të një ligji të ri, LSM ka përfaqësuesin e vet në grupin punues, por për arsye të panjohura për gati një vit grupi punues nuk është thirrur për të dhënë mendimin e tij dhe vazhdojë me punë”, theksuan nga LSM.

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM), foto: Suad Bajrami/Portalb.mk
Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM), foto: Suad Bajrami/Portalb.mk

Lidhja e Sindikatave madje nisi një iniciativë për ratifikimin e Konventës për Eliminimin e Dhunës dhe Ngacmimit në Fushën e Punës C 190 dhe ajo u ratifikua në vitin 2023.

“Qëllimi ynë ishte që në ligjin e ri të zbatohen dispozitat e konventës për mbrojtjen e punëtorëve nga çdo formë dhune dhe ngacmimi në vendin e punës, por pa fajin tonë dhe pa shpjegime dhe informacione, procedura e miratimit të ligjit nuk ka vazhduar, theksuan nga LSM.

Mes tjerash theksuan se ndryshe nga gjykatat evropiane, në gjykatat tona nuk ka shumë gjykime pozitive lidhur me këtë çështje dhe as vendime për dëmshpërblimin e viktimave të mobingut.

“Vetëm praktika gjyqësore pozitive mund t’i inkurajojë punëtorët që të dalin në gjyq për të mbrojtur integritetin e tyre në vendet e punës”, thonë nga LSM, të cilët shtuan se masat parandaluese dhe trajnimet janë shumë të rëndësishme.

Prokuroria dhe Ministria e Brendshme pa të dhëna

Prokuroria Themelore Publike dhe Ministria e Punëve të Brendshme nuk kanë të dhëna për shqetësimet e tilla në vendin e punës.

Nga këto dy institucione na thanë se nuk kanë statistika në bazë të lokacionit, pra se nuk i klasifikojnë veprat në bazë të vendit ku ka ndodhur por në bazë të llojit të veprës.

prokuroria
Prokuroria Publike, Shkup. Foto: Portalb.mk

Arsyetohen ministritë

Për këtë problem kontaktuam Ministrinë e Administratës Publike dhe atë të Ekonomisë dhe Punës. Nga këto dy institucione duke mos komentuar më thellësisht problemin, shkurt deklaruan se si problem nuk është i evidentuar në këto dy institucione.

“Si ministri, dënojmë fuqishëm çdo formë të dhunës në vendin e punës. Deri më sot, brenda institucionit tonë nuk është raportuar asnjë incident në lidhje me dhunën në vendin e punës. Dëshirojmë të theksojmë se punonjësit mbrohen plotësisht sipas ligjeve dhe rregulloreve të, të cilat garantojnë të drejtat dhe sigurinë e tyre në vendin e punës. Inkurajojmë të gjithë punonjësit të raportojnë menjëherë çdo shqetësim”, thane nga Ministria e Administratës Publike.

Ndërsa nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës theksuan se kanë miratuar kod etik për punonjësit e ministrisë dhe të gjithë punonjësit i përmbahen atij.

“Gjithashtu, nuk është pranuar asnjë ankesë për ngacmime në vendin e punës në ministri, përkatësisht nuk është raportuar asnjë rast i ngacmimit fizik, ngacmimit verbal apo ngacmimit seksual”, thanë nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës.

Ministria e Ekonomisë e RMV-së. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Ministria e Ekonomisë e RMV-së. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ndryshe, në qershor 2024 Portalb.mk kreu një hulumtim lidhur me ngacmimet seksuale në Universitetin e Tetovës, Universitetin Nënë Tereza dhe Universitetin e Evropës Juglindore në Maqedoninë e Veriut. 24 qytetarë u shprehën se kishin përjetuar ngacmim seksual. Studentët nuk i paraqesin rastet sepse kanë frikë dhe mosbesim që rasti i tyre do të do të ketë epilog pozitiv. Universitetet thonë se nuk kanë pranuar asnjë denoncim. Denoncime nuk ka as në polici. Nga shoqëria civile thonë se ky problem mbetet një “sekret publik” dhe se studentëve u kërkohen favore seksuale për nota.