ANALIZË: Fshirja e kamatave në RMV – përmbaruesit filluan me llogaritjet, parashkrimi i borxheve krijoi “kaos”

Përmbaruesit kanë filluar llogaritjet për arkëtimin e kamatës së thjeshtë sipas zgjidhjeve të reja ligjore të miratuara – arkëtimi ndërpritet kur shuma e kamatës ka arritur në borxhin kryesor. Por, tek zyrat e përmbaruesve një numër i madh i qytetarëve kërkojnë parashkrimin e borxheve – siç parashihet me ndryshimet në Ligjin për Marrëdhëniet Obliguese. Në praktikë – kjo zgjidhje është e vështirë për t’u zbatuar. Para Gjykatës Kushtetuese ka një iniciativë për retroaktivitetin që parashikohet me ndryshimet ligjore të miratuara, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Çfarë nënkuptojnë zgjidhjet e reja ligjore për borxhlinjtë dhe kreditorët..

“Nëse për një borxh prej 1.500 eurosh që ka zgjatur për një kohë të gjatë është arkëtuar kamatë në të njëjtën shumë, automatikisht ndërpritet llogaritja e mëtutjeshme e kamatës dhe arkëtohet borxhi kryesor. Sipas rregullativës, përmbaruesit fillimisht e arkëtojnë kamatën dhe më pas kryegjënë e borxhit (borxhin kryesor). Në lëndët që zhvillohen për një kohë të gjatë për shkak të disa faktorëve si p.sh. paaftësia paguese financiare e borxhliut, një borxhli që ka borxh mbi disa baza të ndryshme, shumat e kamatës arrijnë shuma afër borxhit kryesor, e madje janë edhe më të larta. Tash, borxhi në bazë të kamatës nuk guxon të jetë më i madh se borxhi kryesor” – sqarojnë nga zyra e një përmbaruesi nga Shkupi.

Zgjidhjet e reja ligjore kanë hyrë në fuqi, përmbaruesit kanë marrë udhëzime për të nisur individualisht llogaritjet dhe analizat për ndalimin e arkëtimit të kamatës së thjeshtë në lëndët kur ajo ka arritur shumën e borxhit kryesor. Për momentin nuk ka një përllogaritje se sa qytetarë-debitorë do të shpëtojnë nga kamatat astronomike që u janë llogaritur dhe që i kanë paguar deri më tani, por analizat fillestare kanë treguar se nga efektin e një zgjidhjeje të tillë do ta shohin borxhlinjtë në bazë të faturave të papaguara të shërbimeve komunale që janë zvarritur me vite.

Sa i përket kamatës së thjeshtë, situata është e qartë, por tashmë ka një kaos me zgjidhjen për parashkrimin e borxheve – thotë Marjan Risteski nga Konfederata e Organizatave Sindikale dhe Aktivistëve të të Drejtave të Qytetarëve kur bëhet fjalë për mbledhjen e detyruar të borxheve.

“Ka reagime të shumta nga qytetarët që kanë shkuar te përmbaruesi për të rregulluar parashkrimin e borxheve dhe nuk kanë arritur asgjë. Në Ligjin për Marrëdhëniet Obliguese ka një nen që e shkurton kohën e parashkrimit dhe retroaktivitetit, por ka dispozita të tjera ligjore që bien ndesh me këtë dhe përmbaruesit nuk mund të veprojnë, pra është krijuar një kaos. Po mendoj të kërkoj nga deputetët një interpretim autentik se sa është praktikisht i zbatueshëm retroaktiviteti, gjegjësisht a mund të shpallen fare të parashkruara borxhet e vjetra me dekada” – thotë Risteski.

Edhe sipas përmbaruesve që i konsultuam, problematike do të jetë çështja e periudhës për të cilën do të duhet të arkëtohet borxhi i përgjithshëm (kamata dhe kryegjëja) dhe retroaktiviteti.

“Ka njoftime se në Gjykatën Kushtetuese do të parashtrohet një iniciativë për vlerësimin e retroaktivitetit që parashikohet me zgjidhjen ligjore. Tani është vendosur një periudhë 10 vjeçare në të cilën do të duhet të arkëtohet totali i borxhit, kjo zgjidhje vlen edhe për lëndët që janë aktive, e për të cilat kreditorët kanë vite që presin kthimin e borxhit – të cilin mund të mos e marrin për shkak të parashkrimit, kurse afati i parashkrimit u ul nga 10 vjet në 5 vjet. Në të njëjtën kohë, dispozitat e tjera ligjore nuk lejojnë të veprohet sipas dispozitave të sapo miratuara”- sqarojnë përmbaruesit.

Afati 10-vjeçar për kthimin e borxhit mund të krijojë edhe probleme ndërmjet kompanive. Ka kompani që prej vitesh presin kthimin e borxhit nga kompanitë e tjera, ka edhe kompani që presin kthimin e borxhit nga qytetarët, e nuk mund ta bëjnë këtë sepse borxhliu ka borxh mbi baza të ndryshme dhe ka “radhë pritjeje” për arkëtimin e borxhit. Të gjitha këto situata që janë reale në praktikë, sipas ekspertëve, do të hapin probleme të reja.

Ndryshimet e reja ligjore tashmë kanë hyrë në fuqi. Sipas Qeverisë, ato duhet ta heqin barrën e tepërt të kamatës ndaj qytetarëve – borxhlinjve, por edhe t’u japin fund lëndëve të borxheve që janë aktive për një kohë të gjatë, në raste të caktuara edhe me dekada. Dispozitat e reja ligjore janë problematike edhe për komunat dhe disa nga Ndërmarrjet Publike. Të parat në rolin e borxhlinjve që do të kërkojnë “fshirje të borxhit” në bazë të parashkrimit, që do të thotë se kompanitë kreditore do të mbeten duarbosh edhe pse kanë kryer dhe ofruar shërbime tek autoritetet komunale. Disa nga ndërmarrjet publike, veçanërisht ato komunale, mund të mos i marrin asnjëherë borxhet nga borxhlinjtë.