Protestë në Shkup: Sulmet izraelite në Palestinë e vrasin dinjitetin njerëzor

Nën sloganin “Mos hesht ndaj masakrës në Palestinë”, qindra qytetarë sot kanë protestuar para Xhamisë së Murat Pashës në Çarshinë e Shkupit, duke bërë thirrje për ndalim të dhunës në Gaza dhe reagim të faktorit ndërkombëtar, raporton Portalb.mk.

Pas faljes së namazit të xhumasë, sot në Shkup është mbajtur protestë për t’u solidarizuar me popullin palestinez të organizuar nga “Platforma për mbështetje të Palestinës”, e përbërë nga një rrjet organizatash që operojnë në vend.

Qytetarët, me thirrje flamuj të Palestinës dhe të vendeve të rajonit, kanë bërë thirrje që sulmet izraelite ndaj popullatës civile të ndërpriten, ndërkaq faktori ndërkombëtar “të mos shikojë sehir”.

“Sulmet barbare që u kanë humbur jetën më se 3.500, kryesisht fëmijë, duhet të marrin fund sa më parë. Komuniteti ndërkombëtar në krye me OKB vetëm po bën sehir dhe nuk po ndërmerr asnjë masë kundër masakrave që po kryhen ndaj njerëzve të pafajshëm. Qëndrimi i pavendosur i komunitetit ndërkombëtar që ka mbyllur sytë ndaj shkeljeve sistematike të të drejtave njerëzore që vazhdojnë prej shumë vitesh ndaj popullit palestinez nuk përfaqëson aspak qëndrimin e qytetarëve me ndërgjegje të Maqedonisë së Veriut”, thanë përfaqësuesit e organizatorëve.

Ata kërkuan masa urgjente për t’u dhënë fund sa më parë këtyre sulmeve që, siç theksuan vrasin vetë dinjitetin njerëzor.

“Sidomos, si bashkësi të rajonit që kemi përjetuar masakra të shumta në fund të shekullit të XX-të, duam të shprehim solidaritetin tonë me vëllezërit tanë palestinezë. Çështja palestineze, megjithëse është çështje e dinjitetit për botën mbarë dhe për të gjitha institucione e rendit dhe qeverisjes globale, vazhdon të neglizhohet me këmbëngulje. Nga vendet e rajonit në krye, presim që të vendosen hapat e parë sa më parë për vendosjen e paqes dhe mirëqenies”, theksuan organizatorët.

Ata u bënë thirrje Amerikës, Evropës dhe shteteve tjera që të mbajnë qëndrim të drejtë mes palëve, bazuar në ekuilibra të drejtë dhe njerëzor.

Para të pranishmëve u kënduan ajete nga Kurani, ndërkaq protesta u përmbyll me faljen e namazit të xhenazes në mungesë për viktimat palestineze.

Prej 7 tetorit, sipas autoriteteve palestineze, nga sulmet izraelite janë vrarë 4.137 persona, në mesin e të cilëve 1.524 fëmijë dhe 1.000 gra, ndërkaq janë plagosur mbi 13.000 persona.

Të martën më 17 tetor, është goditur me raketë Spitali al-Ahli në Gaza, si pasojë e të cilit janë vrarë mbi 500 persona. Sulmi është ngjarja më dramatike prej fillimit të konfliktit dhe është dënuar nga OKB, dhe veç e veç nga shtetet, si ato të bllokut lindor, por edhe të atij perëndimor. Palestina dhe një sërë vendesh arabe kanë fajësuar Izraelin se ajo është përgjegjëse për sulmin, ndërkaq Izraeli ka mohuar se ajo ka goditur Spitalin, duke hedhur akuza se Hamasi ka goditur me raketë në oborrin e Spitalit ku kanë qenë të magazinuara rezerva të gazit. SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe një sërë vendesh të bllokut perëndimor, kanë mbështetur Izraelin, duke theksuar se sulmi ka ardhur nga Hamasi.

Në ndërkohë, Gaza ndodhet në një rrethim të plotë nga forcat izraelite, të cilat kanë ndërprerë furnizimet me energji elektrike, ndërkaq nuk lejojnë që të futen ndihmat me ujë, ushqim dhe preparate mjekësore, pa u liruar mbi 200 pengjet që i mbajnë militantët e Hamasit. Gaza, ndodhet në një katastrofë humanitare.

Konflikti në Gaza shpërtheu më 7 tetor, kur Hamasi sulmoi Izraelin me një sërë raketash dhe infiltrime në Izrael nga toka, deti dhe ajri, nën arsyetimin për bastisjet dhe dhunën izraelite në Xhaminë Al-Aksa.

Sulmi, nga bota perëndimore u vlerësua si terrorist, ndërkaq Izraeli si kundërpërgjigje ka nisur një sërë operacionesh kundër objektivave të Hamasit në Rripin e Gazës.

Sipas autoriteteve izraelite, nga sulmet e Hamasit, deri më tani janë vrarë mbi 1.400 izraelitë.