Protestat e studentëve në Serbi po kthehen sot në grevë të përgjithshme

Sot në Serbi është grevë e përgjithshme, gjegjësisht mosbindje e përgjithshme civile, në të cilën studentët dhe nxënësit e shkollave të mesme të cilët protestojnë tashmë prej muajsh u bëjnë thirrje thirrje qytetarëve të Serbisë, transmeton Sdk.

“Nuk shkojmë në punë, nuk shkojmë në mësim, nuk bëjmë punët e përditshme, e marrim lirinë në duart tona”, postuan studentët në Instagram.

Kompani të shumta, institucione, shoqata dhe parti politike kanë paralajmëruar se do ta mbështesin aksionin. Grevës do t’i bashkohen edhe disa media. Oda e Avokatëve të Serbisë ka njoftuar se avokatët sot kanë nisur një ndërprerje treditore të punës për shkak të “shkeljes së shtetit ligjor”. Gjatë kësaj kohe avokatët nuk do të hyjnë dhe qëndrojnë në ambientet e gjykatave, prokurorive dhe policisë.

Është bërë e ditur se në orën 11:52 do të vazhdojnë homazhet për 15 personat që humbën jetën nga shembja e mbulojës së stacionit hekurudhor në Novi Sad në disa lokacione të vendit, tragjedi që nxiti protesta dhe bllokada të përditshme të studentëve.

Në Beograd do të ketë protesta dhe bllokime rrugësh në disa lokacione, ndërsa maturantët do të mbajnë një “klasë në natyrë” , duke ftuar qytetarët t’u bashkohen.