Prokurorja kërkon nga gjykatësit suprem të shfuqizojnë aktvendimin për paratë e paligjshme të VMRO-së në rastin “Talir”

Prokurorja republikane, Anita Topollova-Isajllovska, kërkon nga gjykatësit suprem që ta shfuqizojnë aktvendimin me të cilin pranohet aktakuza në rastin“Talir” të Prokurorisë Speciale Publike për financimin e paligjshëm të VMRO-DPMNE-së, zbulon BIRN. Këtë informacion e konfirmuan edhe nga gjykata më e lartë. Ata thonë se lënda është marrë dhe i është ndarë gjykatësit informues, transmeton Portalb.mk.

Në muajin qershor Topollova-Isajllovska e ka nënshkruar kërkesën për mjet juridik të jashtëzakonshëm (kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë), me të cilën thekson se gjykata është dashur menjëherë ta hedhë poshtë akuzën për shkak se është parashtruar nga një paditës i paautorizuar.

Në kërkesën drejtuar Gjykatës Supreme PSP kontestohet si paditëse e autorizuar, sepse akuza për lëndën “Talir” është ngritur në nëntor të vitit 2018, ndërsa afati prej 18 muajsh që ekipi i Katica Janevës e ka pasur për ngritjen e akuzave ka skaduar më 30 qershor të vitit 2017.

Prokurorja thirret në qëndrimin parimor të Gjykatës së Lartë nga viti 2019, sipas të cilit PSP-ja mund të ngrinte “akuza ose të urdhëronte pezullimin e procedurës hetimore për një periudhë jo më të gjatë se 18 muaj”.

Për prokuroren problematike janë edhe 106 audio regjistrimet dhe mesazhet sms, të cilat janë prova në këtë lëndë. Ajo kërkon që ato të mos jenë prova në këtë lëndë.

“…Theksoj se të njëjtat mund të përdoren vetëm si indicie dhe në to nuk mund të bazohet aktakuza, e as të propozohen dhe të përdoren si prova”, ka shkruar Topollova-Isajllovska në kërkesën e saj.

Ajo është e mendimit se është shkelur Ligji për Procedurën Penale dhe Ligji për Prokurorinë Speciale Publike, edhe pse kjo e fundit ka pushuar së ekzistuari në qarkullim ligjor që në vitin 2020, kur hyri në fuqi Ligji i ri për Prokurorinë Publike.

Mbetet e paqartë pse prokurorja vendosi ta kontestojë akuzën tani, kur Ligji për PSP-në ka katër vite që nuk ekziston.

Gjykata e Lartë nuk ka një afat të caktuar se kur duhet të vendosë, por meqenëse ndaj të pandehurve në këtë lëndë ka masa aktive, mund të pritet që një gjë e tillë të ndodhë në periudhën pas pushimit ferial të gjykatësve.

Nëse gjykatësit e pranojnë kërkesën e saj, do të thotë se lënda në fjalë do të bjerë.

Pesë vite e gjysmë pa aktgjykim

Lënda për financimin e paligjshëm të VMRO-DPMNE-së, “Talir”, në të cilën krahas Nikolla Gruevskit, në bangën e të akuzuarve janë edhe Kirill Bozhinovski, Mile Janakieski, Ilija Dimovski dhe Leko Ristovski, si dhe VMRO-DPMNE, po gjykohet plot pesë vjet e gjysmë. Ende nuk ka aktgjykim të shkallës së parë.

Është dënuar vetëm Elizabeta Çingarovska, e cila ende pa filluar gjykimi bëri ujdi me prokurorinë dhe mori një dënim me kusht.

Gruevski akuzohet se në emër të VMRO-DPMNE-së ka mbledhur 4,6 milionë euro nga burime anonime dhe nga kompani që kanë kryer shërbime publike për organet, institucionet apo ndërmarrjet shtetërore dhe që sipas Ligjit për Financimin e Partive Politike nuk kanë pasur të drejtë të jenë financues të një partie politike.

Sipas aktakuzës, Bozhinovski, Janakieski dhe të tjerë u kanë bërë presion kompanive që të japin para, ndërsa Dimovski, Ristovski dhe Çingarovska i kanë lëshuar në qarkullim paratë e paligjshme.

Pas kësaj të pandehurit kanë përgatitur fletëpagesa të falsifikuara me të cilat paratë janë derdhur në llogarinë e partisë si donacione dhe anëtarësim dhe me to partia ka blerë pronë.

Lënda vazhdimisht shtyhej ose rifillonte për arsye të ndryshme: të pandehurit zbuluan se anëtarët e jurisë kishin mbushur 60 vjeç, kështu që kërkuan që tu ndërpritet funksioni, pastaj gjykatësi i cili e gjykonte këtë lëndë u shkarkua, pastaj një gjykatës u ngrit në detyrë dhe kështu lënda fillonte sërish nga e para.

Kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva, tentoi ta shpëtojë lëndën dhe propozoi që gjykatësi i sapozgjedhur në Gjykatën e Apelit, Osman Shabani, i cili e ka gjykuar këtë lëndë, të vazhdojë të veprojë, pavarësisht nëse ishte zgjedhur në një gjykatë më të lartë. Por shumica e anëtarëve nuk e pranuan këtë propozim.

Në aktgjykimet për lëndët e PSP-së, “Transportuesi” dhe “Tanku”, gjykatësit suprem tashmë janë deklaruar për gjetje të ngjashme si në kërkesën për mbrojtje të prokurores republikane. Ata kanë arritur në përfundimin se PSP-ja është paditës i autorizuar dhe se bombat mund të jenë prova në procedurë.

Por këto akuza janë ngritur në afat brenda 18 muajve. Të vetmet dy aktakuza që janë ngritur nga PSP-ja pas afatit janë dy lëndën “Таlir“.

Krahas kësaj kërkese mbi këtë lëndë ka edhe një rrezik tjetër, e këto janë efektet e ndryshimeve të Kodit Penal të vitit të kaluar, të cilat e shkurtuan në mënyrë drastike afatin e vjetërsimit për veprën e shpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar. Kështu, kjo vepër vjetërsohet në vitin 2026.

Problem edhe më i madh është ajo se përdorimi i pozitës zyrtare që nga shtatori i kaluar është dekriminalizuar, ndërsa akuza bazohet në këtë vepër penale.

Kush është Topollova-Isajllovska?

Prokurorja që kërkon “drejtësi” për “Talir” i ka ngjitur me shpejtësi të gjitha shkallët drejt posteve më të larta në Prokurori.

Për herë të parë u zgjodh si prokurore në vitin 2009, në vitin 2013 hyri në Prokurorinë e Lartë, ndërsa tre vjet më vonë u avancua në pozitën e prokurores republikane dhe zëvendëses të prokurorit publik shtetëror, Marko Zvërlevski.

Në vitin 2011 e hodhi poshtë kallëzimin penal të “Transparency International” kundër ministrit të atëhershëm të financave, Zoran Stavreski, për shpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, për udhëzime për ndarjen e parave për partitë politike.

Ajo është bashkëshortja e ish-zëvendësministrit të Punëve të Jashtme të VMRO-DPMNE-së, Ilija Isajllovski. Në vitin 2016, 360 Gradë hetoi se si çifti Isajllovski me pagë neto prej 2.300 eurosh paguan kredi prej 2.200 euro dhe jeton me 100 euro në muaj.

Ai ka disa vite që e udhëheq departamentin për ndihmë ndërkombëtare në Prokurori. Në raportin gjashtëmujor  të zyrës për marrëdhënie mes Maqedonisë dhe Europravda për vitin 2021, thuhej se pothuajse në të gjitha rastet për të cilat të huajt kanë kërkuar informacion përmes prokurores publike për lidhje Lençe Ristoska, nuk kanë marrë përgjigje nga Topollova-Isajllovska.

Nga viti 2022 ajo është zgjedhur anëtare e Këshillit ekzekutiv të Shoqatës së Prokurorëve Publikë.

  • GJITHÇKA LIDHUR ME KËTË RAST MUND TË LEXONI KËTU