Prokuroria Publike e RMV-së mbetet pengesë në të gjithë sistemin kundër korrupsionit

Sistemi i integritetit kombëtar të Maqedonisë së Veriut vazhdon të karakterizohet nga dominimi i pushtetit ekzekutiv dhe dobësia e institucioneve të tjera thelbësore. Ekzekutivi dhe legjislativi janë veçanërisht të fortë për sa i përket kapaciteteve të tyre, por të dobëta në lidhje me antikorrupsionin dhe nevojën për të përmirësuar qeverisjen e tyre të brendshme. Këtë mes tjerash e thekson raporti i fundit i Transparency International “Vlerësimi i Sistemit Kombëtar të Integritetit të RMV-së”. Ndërkohë si institucioni i spikatur është përmendur Enti Shtetëror për Revizion, me rezultat shumë të lartë të përgjithshëm prej 86 pikëve, 92 për qeverisjen dhe 83 në luftën kundër korrupsionit, raporton Portalb.mk.

Kjo pasohet nga dy institucione të tjera të pavarura, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), me një rezultat të përgjithshëm prej 72.9, i cili kryesisht bazohet në rezultatin e lartë prej 83.3 për qeverisjen. Komisionerët dhe kryetarja e KSHPK-së të sapo zgjedhur ia dolën të siguronin burime shtesë për institucionin, por mund të kishte pasur bashkëpunim më të mirë nga organet e tjera qeveritare, të cilat në shumicën e rasteve nuk u përgjigjen iniciativave të KSHPK-së dhe të cilët nuk adresuan aktivitetet e përcaktuara në strategjinë kombëtare për parandalimin e korrupsionit që mbetet vetëm në 10 përqind zbatimi.

Shtylla e tretë me pikë të larta është zyra e Avokatit të Popullit, me notë mesatare prej 70.84. Ekzekutivi vazhdon të jetë shumë i pavarur, megjithëse treguesit tregojnë se strukturat e brendshme të qeverisjes së ekzekutivit, të cilat duhet të promovojnë transparencën, llogaridhënien dhe integritetin, janë shumë të dobëta.

Ekzekutivi ka qenë dominues në legjislacion, pasi shumica e ligjeve të miratuara janë dërguar në Kuvend nga qeveria, gjysma e ligjeve janë miratuar me procedura të shpejta, duke shmangur debatet publike dhe diskutimet në Kuvend.

“Kuvendi ka qenë i ekspozuar ndaj bllokimeve për shkak të refuzimit të opozitës për të marrë pjesë në diskutimet për ndryshimin e kushtetutës për ndryshimin e emrit të vendit dhe për anëtarësimin në BE. Partitë politike kanë të njëjtin rezultat mesatar (60.42) si Kuvendi. Partitë politike janë më të dobëta në antikorrupsion dhe në llogaridhënien e tyre kur bëhet fjalë për financimin politik”, thuhet në raport.

Vlerësimi konstatoi nevojën për forcimin e kornizës ligjore lidhur me financimin e partive politike dhe rolin e organeve mbikëqyrëse. Shtyllat më të dobëta në sistemin e integritetit të Maqedonisë janë ato që pritet të jenë institucionet udhëheqëse.

Roli i Prokurorisë Publike (PThP) në luftën kundër korrupsionit u vlerësua me 25 pikë. Ajo mbetet pengesë në të gjithë sistemin antikorrupsion, e cila shoqërohet me notën shumë të ulët për përfaqësuesin ligj-zbatues.

Ministria e Brendshme, ka 25 pikë për rolin e saj, por 75 për kapacitetin dhe qeverisjen. Kjo është për shkak se në sistemin penal të RMV-së, Prokuroria udhëheq parahetimin dhe hetimin dhe vendos për rastet që do të ngrihen në aktakuzë.

Një tjetër shtyllë shumë e rëndësishme është gjyqësori. Nota mesatare e saj është më e ulët se dy degët e tjera të pushtetit (legjislativi dhe ekzekutivi), me vetëm 50,68, dhe rezultati i dytë më i ulët (pas PThP-së) me vetëm 33,3 për rolin e tij në luftën kundër korrupsionit. Si gjyqësori ashtu edhe PTHP-ja kanë rezultate të dobëta të qeverisjes (50 dhe 41.7). Diferenca prej 11 pikësh në notat mesatare të gjyqësorit dhe Prokurorisë është kryesisht për shkak të kapaciteteve më të mira në gjyqësor. Megjithatë, fakti që vetëm 4 përqind e qytetarëve kanë deklaruar se i besojnë gjyqësorit dhe fakti që një sasi e konsiderueshme fondesh ndërkombëtare janë drejtuar për të forcuar kapacitetet në Prokurori, ka treguar sërish se integriteti personal është shumë më i rëndësishëm se burimet.

Notat mesatare për treguesit në 15 shtylla, Burimi: Transparensy International
Notat mesatare për treguesit në 15 shtylla, Burimi: Transparency International

Sektori i biznesit nuk ka asnjë rol në luftën kundër korrupsionit pavarësisht strukturës dhe kapacitetit të tij solid qeverisës. Dy sektorë të tjerë të vlerësuar që nuk janë degë të pushtetit janë media, me notë mesatare prej 58.98 dhe organizatat e shoqërisë civile (OJQ) me një notë mesatare prej 62.5. Kapaciteti i OJQ-ve është 75, ndërsa kapaciteti i mediave është 56.25.

Përveç kësaj, financimi ndërkombëtar për median ka qenë shumë i kufizuar në krahasim me OJQ-të, një sektor që ka marrë mbështetje të ngjashme me atë të PThP-së, e cila është shtylla e tretë më e mbështetur nga fondet ndërkombëtare. Kjo mund të jetë arsyeja pse mediat shënojnë rezultate dukshëm më të ulëta në luftën kundër korrupsionit (41.6) sesa OJQ-të (62.5), ndërsa këto të fundit kanë një pikë dukshëm më të ulët prej 50 për qeverisjen ndërsa media 79.1.

Burimi: Transparency International
Burimi: Transparency International

Në përgjithësi, roli dhe pavarësia e medias varet nga financimi. Si Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit i publikuar nga Transparency International, ashtu edhe raporti i progresit i Komisionit Evropian për vitin 2023 për Maqedoninë e Veriut tregojnë se nevojiten përpjekje shtesë për të luftuar korrupsionin dhe se institucionet janë ende të pamjaftueshme për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive sfidave që sjell kjo luftë.

Rekomandime

  • Qeveria duhet të rrisë buxhetin e KSHZ-së për t’i mundësuar që ajo të kryejë aktivitetet e saj të rregullta në vitet jozgjedhore.
  • KSHZ-ja duhet të bëjë një analizë funksionale të stafit dhe nevojave për aftësi për funksionimin e KSHZ-së.
  • KSHZ-ja duhet të publikojë raport vjetor, me detaje për burimet financiare dhe njerëzore, si dhe një pasqyrë gjithëpërfshirëse të aktiviteteve të saj dhe statistikave për zgjedhjet e mëparshme, si dhe ankesat e pranuara.
  • KSHZ-ja dhe KSHPK-ja duhet të sigurojnë zbatimin e duhur të planit të integritetit të KSHZ-së.
  • KSHZ-ja duhet të ndryshojë kodin ekzistues të etikës për anëtarët e KSHZ-së dhe administratën zgjedhore me dispozita specifike në rast të sjelljeve joetike të vërtetuara të stafit dhe anëtarëve të organeve zgjedhore qendrore dhe lokale.
  • KSHZ-ja duhet të sigurohet që çështjet teknike për numërimin e votave të rregullohen përpara zgjedhjeve të ardhshme dhe të sigurohet që ato të mos përsëriten.
  • Kuvendi duhet të ndryshojë Kodin Zgjedhor për të ulur numrin e nënshkrimeve nga 10,000 në 5,000 për kandidatët e pavarur për president të vendit; dhe numrin e nënshkrimeve nga 1000 deri në 500 për t’i paraqitur në listën e kandidatëve të pavarur për deputetë; dhe të zvogëlohen me 50 përqind nënshkrimet e nevojshme për kandidatët e pavarur për kryetarë komune për t’u mundësuar më shumë kandidatëve të pavarur të përmbushin pragun.

Kujtojmë se viti 2023 është ndër vitet më të këqija të gjyqësorit të Maqedonisë së Veriut në 20 vitet e fundit. Kështu e emëruan organizata joqeveritare Koalicioni të Gjithë për Gjykime të Drejta” në konferencën vjetore ku prezantuan raportet nga monitorimi i Këshillit Gjyqësor dhe të Prokurorëve Publik. Ata theksuan se ka stagnim në reforma, ndërkaq vitin e kanë shënuar një sërë incidentesh të cilat në thelb ishin kryesisht nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve Publik të cilët duhet të jenë garantuesi dhe mbrojtësi i pavarësisë gjyqësore dhe ata të cilët duhet të kontribuojnë në avancimin e gjyqësorit në tërësi në shtetin tonë. Vërejtjet kryesisht janë për mungesë transparence, por edhe dyshime për korrupsion që edhe vetë anëtarët i kanë theksuar.