Profesorë, ish-gazetarë dhe ish-funksionerë në listën e bashkëpunëtorëve me Fondin për Inovacion
Me honorare që arrijnë deri në 110 mijë denarë në muaj, Fondi për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik (FIZhT) u gjend në listën e Entit Shtetëror të Revizionit, i cili konstatoi se për periudhën nga viti 2019 deri në vitin 2021 janë shpenzuar pothuajse 750.000 euro për angazhimin e personave të jashtëm me kontrata në vepër. Përveç kësaj, EShR konstatoi edhe se FIZhT ka angazhuar ekspertë për vlerësim dhe për dhënien e mendimit profesional për projektet nga thirrjet publike të publikuara për mbështetje financiare, për të cilat ato kanë paguar rreth 260.000 euro, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.
Duke e shfrytëzuar Ligjin për Qasje të Lirë në Informacione Publike, Meta.mk kërkoi emrat e të gjithë bashkëpunëtorëve të jashtëm që ishin në listën e FIZhT, me shumat e paguara për periudhën 2019-2023.
Në listë gjenden ish-gazetarë, ekspertë që merren me politikat për antikorrupsion, punonjës të organizatave joqeveritare, djem të avokatëve dhe ish-funksionerë të qeverisë, një ish-zëvendësministër, ekspertë të IT-së, profesorë. Të gjithë ata janë të shënuar si “bashkëpunëtorë”.
“Revizioni vlerëson se punësimi i personave me kontratë në vepër edhe përkundër pëlqimit të dhënë nga ministria kompetente kontribuon në mostransparencë dhe veprim subjektiv gjatë lidhjes së kontratave dhe përcaktimit të kompensimit mujor për angazhimin e personave të cilët janë të angazhuar në vazhdimësi në FIZhT për një periudhë më të gjatë kohore”, konstatuan revizorët.
Në raport pastaj thuhet se ky institucion nuk ka ndërmarrë aktivitete për kategorizimin e ekspertëve të regjistruar në seksionet përkatëse të Regjistrit nga të cilët do të përzgjidhen ekspertët sipas sistemit të rotacionit dhe se nuk është formuar një komision për vlerësimin e ekspertëve. Prandaj, nuk është e qartë as mënyra se si janë zgjedhur bashkëpunëtorët, diçka që në vendin tonë po bëhet praktikë.
Këtë vit FIZhT ka angazhuar 47 bashkëpunëtorë, 20 më pak se vitin e kaluar
Nga dokumentet e dorëzuara në Meta.mk mund të shihet se në vitin 2019 për kontrata për honorare janë paguar rreth 150 mijë euro. Një pjesë e tyre janë lidhur për 12 muaj, një pjesë për gjashtë, për tre, ndërsa ka edhe kontrata të lidhura për një muaj ose për pesëmbëdhjetë ditë.
Në vitin 2020 shuma për kontratat për honorare është rritur – nga buxheti i FIZhT janë paguar pothuajse 255 mijë euro për 48 bashkëpunëtorë të angazhuar.
Në vitin 2021 është rritur edhe numri i bashkëpunëtorëve të angazhuar, e me këtë edhe shuma e kompensimeve mujore për ata. Kështu, Fondi për Inovacion ka paguar 339 mijë euro për 68 bashkëpunëtorë të angazhuar. Vitin e ardhshëm, 2022, numri i bashkëpunëtorëve të angazhuar është pak më i vogël – 67 persona, por shuma e honorareve është rritur – me ç’rast janë paguar pothuajse 370 mijë euro.
Numri i bashkëpunëtorëve të angazhuar këtë vit është më i vogël, gjegjësisht në Fondin për Inovacion janë angazhuar si bashkëpunëtorë me honorare 47 persona. Deri më tani për ata janë ndarë rreth 57 mijë euro.
Ose, për katër vite nga buxheti i Fondit për Inovacioni, nga viti 2019 deri në vitin 2022, pra për katër vite (pa i llogaritur muajt e parë të vitit 2023), për kontrata për honorare janë shpenzuar mbi 1.1 milionë euro.
“Fondi për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik angazhon bashkëpunëtorë që kryejnë detyra pune që lidhen me veprimtarinë e FIZhT. Për shkak të rënies së numrit të personave të angazhuar, Fondi është duke punuar në rritjen e kapaciteteve përmes zbatimit të një sistematizimi të ri që do të mundësonte më shumë vende pune, si dhe punësime të reja dhe për këtë FIZhT ka dorëzuar kërkesë për punësime të reja pranë Ministrisë së Financave”, thuhet në përgjigjen e FIZhT për Meta.mk.
Problemi është tek sistemi: Është e pamundur që tetë persona të shqyrtojnë mbi 600 aplikime
Në periudhën nga viti 2019 deri në vitin 2023, në krye të FIZhT ka pasur tre drejtorë – Jovan Despotovski, Kosta Petrov dhe Festim Halili.
Kosta Petrov në këtë funksion erdhi në nëntor të vitit 2020, ndërsa dorëheqje dha një vit më vonë, në dhjetor të vitit 2021. Në janar të vitit 2022 në këtë pozitë u zgjodh drejtori aktual Festim Halili. Në një bisedë të shkurtër për Meta.mk ai deklaroi se për momentin numri i të punësuarve në Fondin për Inovacion është tepër i vogël për ta kryer punën në mënyrë cilësore, sidomos kur bëhet fjalë për aktivitetet projektuese, por edhe për vlerësimin e projekteve të cilët aplikojnë për grante. Për këto arsye, thotë Halili, punësohen persona të jashtëm me kontratë në vepër, numri i të cilëve nga viti në vit zvogëlohet, ndërsa në ndërkohë pritet miratimi i Ministrisë së Financave për punësime të reja në këtë institucion.
Arsyeja se pse angazhohet një numër kaq i madh i bashkëpunëtorëve të jashtëm apo personave të punësuar me kontratë në vepër njëvjeçare, ai e sheh pikërisht në faktin se vendet e planifikuara të punës në FIZhT nuk janë mjaft tërheqëse për kandidatët potencialë, por edhe për shkak të faktit që janë pak në numër.
Përndryshe, kontratat me honorare mund të vazhdohen maksimumi deri në dy vjet, e më pas marrëdhënia e punës duhet të shndërrohet në marrëdhënie pune të përhershme. Një gjë e tillë rrallë ndodh nëpër institucione, sepse paga që do të merrte një punonjës i përhershëm është dukshëm më e ulët se honorari që do të merrte i njëjti person nëse do të angazhohej përkohësisht.
Kështu, le të themi që në FIZhT honorari më i lartë ka qenë 110 mijë denarë dhe është paguar gjatë vitit 2020. Gjatë atij viti për disa muaj me radhë pesë persona kanë marrë honorare prej 110.000 denarë. Një pjesë e madhe e të angazhuarve për 12 muaj kanë marrë honorare prej 40 mijë denarësh, një pjesë më e vogël prej 60 mijë denarë, e për disa honorari ka qenë 15 mijë denarë.
Ish-drejtori i FIZhT, Kosta Petrov, për Meta.mk thotë se me ardhjen e tij në këtë funksion, me sistematizimin ishte paraparë që në këtë institucion të punonin tetë persona. Sistematizimi është bërë kur FIZhT ka shpallur nga dy thirrje në vit, por më vonë numri i thirrjeve është trefishuar.
“Më pas numri i thirrjeve u rrit, ka pasur edhe nga dhjetë në vit, ndërsa Ministria e Financave nuk dha pëlqim për punësime të reja. Për një thirrje kemi marrë edhe nga 600-700 aplikime. Pra, çdo aplikim duhet të shqyrtohet, vlerësohet, duhet të miratohen aplikimet, të monitorohet procesi i tyre. Paratë nuk lëshohen menjëherë, duhet monitoruar i gjithë procesi, duke përfshirë këtu edhe impaktin, ka edhe vizita në terren, pra bëhet fjalë për një vëllim të madh të punës që kërkon angazhim të një numri të madh njerëzish”, thotë Petrov.
Sipas gjithë kësaj, ky problem mund të shihet sistematikisht, pra punësimi me honorare mund të shihet në dy mënyra. E para, ajo për të cilën antikorrupcionerët bëjnë thirrje të vazhdueshme, është se ajo formë është mundësi për punësimin e personave pa konkurs dhe pa shpallje, me kualifikime dhe ekspertizë të pamjaftueshme dhe mundësi për të punësuar persona partiakë, ndërsa tjetra mënyrë për ta analizuar këtë problem është se disa institucione meqë nuk mund të marrin miratim për punësime nga Ministria e Financave, ato vendosin të bëjnë angazhimin e përkohshëm të personave.
KSHPK: Ka dyshime se punësimi i përkohshëm është një mënyrë për angazhimin e njerëzve të afërt
Kryetarja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Biljana Ivanovska, për Meta.mk deklaroi se ky lloj punësimi ngre dyshime për angazhimin e njerëzve të afërt.
“Këto punësime nuk janë sipas nevojave, pra aktit të sistematizimit, përmes shpalljes publike dhe konkurrencës së drejtë, por përmes Agjencisë për punësime të përkohshme me kontrata. Prandaj ngjallen dyshime se janë një mënyrë për punësimin e njerëzve të afërt, për të cilët institucionet shpesh investojnë edhe për trajnime, por që më pas nuk kanë asnjë përgjegjësi. Aq më tepër ata janë në avantazh nëse shpallen zgjedhje të rregullta”, shpjegon Ivanovska për Meta.mk.
Shumë shpesh, pothuajse rregullisht, në raportet e Entit Shtetëror të Revizionit shprehen dyshime sa i përket punësimit të personave me kontratë në vepër.
Raporti i tillë i fundit ishte për punën e Komunës së Kisella Vodës. Revizorët konstatuan se komuna në vitin 2021 përmes një agjencie private për punësim ka angazhuar persona të cilëve u ka paguar mbi 300.000 euro (mbi 18 milionë denarë) për kryerjen e detyrave të rregullta të punës, disa prej të cilave në kundërshtim me ligjin kanë zgjatur edhe më shumë se dy vjet.
Vitin e kaluar Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dorëzoi në Prokurorinë Themelore Publike iniciativë për ndjekje penale kundër ish-sekretarëve të përgjithshëm të Qeverisë, Dragi Rashkovski dhe Muhamed Zekiri. Sipas Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, ata kanë keqpërdoruar detyrën zyrtare duke lidhur marrëveshje autoriale me persona të jashtëm për të cilat për 5 vite nga buxheti janë shpenzuar pothuajse 2.5 milionë euro.
Kryetarja e KShPK-së, Biljana Ivanovska, atëkohë tha se sipas dokumenteve në të cilat kanë pasur qasje, personat janë punësuar me kontrata autoriale me kohëzgjatje të ndryshme, disa prej të cilave janë zgjatur me anekse, janë kryer punë të përditshme dhe aktivitete të përsëritura për nevojat e Sekretariatit të Përgjithshëm.
“Një pjesë e vogël e aktiviteteve, pjesa më e madhe e të cilave janë realizuar në një periudhë disa mujore, kanë të bëjnë me detyra të kryera në drejtim të krijimit të një vepre intelektuale, e cila mund të cilësohet si vepër autoriale, sipas definimit të ligjit”, tha atëkohë Ivanovska dhe shtoi se procedurat për punësim në sektorin publik nuk janë plotësisht transparente, sidomos në lidhje me kriteret vendimtare për përzgjedhje, ndërsa nuk është siguruar as qasje për palët e interesuara për tërë procedurën.
Për këtë rast ende nuk ka epilog nga Prokuroria Themelore Publike.