Procedurë kundër një 36 vjeçari nga Shkupi: Kërcënoi, lëndoi dhe frikësoi disa anëtarë të familjes
Prokuroria Themelore Publike e Shkupit ka nisur procedurë kundër një 36-vjeçari, për të cilin ekziston dyshim i bazuar se ka kryer veprat penale: Lëndim trupor sipas nenit 130 paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 1, Rrezikim i sigurisë sipas nenit 144 paragrafi 3 në lidhje me paragrafët 2 dhe 1, si dhe Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm sipas nenit 288 paragrafi 1 të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.
Mbrëmë, rreth mesnatës, në shtëpinë familjare në Shkup, i dyshuari ka ushtruar dhunë në familje dhe ka lënduar fizikisht bashkëshorten e tij dhe nënën e saj.
Me qëllim që t’i shqetësonte dhe frikësonte, i dyshuari ka filluar të bërtasë dhe të kërcënojë bashkëshorten dhe dy fëmijët e tyre, të moshës 6 dhe 4 vjeç. Kur e dëmtuara i kërkoi të ndalonte, ai e kapi për krahu dhe e shtyu, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Më pas, i dyshuari filloi të thyente orenditë e shtëpisë dhe me një tavolinë goditi në drejtim të nënës së bashkëshortes, duke e lënduar edhe atë në këmbë dhe në kraharor. Ai kërcënohej se do t’i vriste të gjithë, madje edhe se do ta mbyste fëmijën e tij, ndërsa në një moment nxori edhe një thikë me të cilën lëkundej në mënyrë kërcënuese, duke shkaktuar ndjenjë rreziku, pasigurie dhe frike tek të dëmtuarit.
Bashkëshortja arriti që me telefon të thërriste vëllanë dhe babanë e saj. I dyshuari vazhdoi t’i kërcënonte edhe ata me thikë, ndërsa në oborr lëshoi edhe qenin e tij të racës “Sharplaninac”, i cili kafshoi njërin nga të dëmtuarit në pjesën e sipërme të krahut dhe në pjesën e poshtme të këmbës, duke i shkaktuar plagë nga kafshimi.
Duke pasur parasysh të gjitha veprimet e të dyshuarit, rrethanat që qartazi tregojnë rrezik arratisjeje, si dhe frikën se ai mund të përsërisë veprimet e dhunës në familje, prokurori publik i paraqiti gjyqtarit të procedurës paraprake pranë Gjykatës Themelore Penale të Shkupit propozim për caktimin e masës së paraburgimit.