Prizma: Kisha Ortodokse Maqedonase themeloi një tjetër kompani për biznes me energji elektrike
Kisha Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopata e Ohrit (KOM-KO) dhe kompania australiane “Pella Global Limited” kanë filluar bashkëpunim biznesi përmes një kompanie që e kanë themeluar bashkërisht, raporton “Prizma”.
Aktiviteti i kompanisë “Constantine Energy” është prodhimi i energjisë nga burime të rinovueshme.
Sipas të dhënave nga Regjistri Qendror, kompania është themeluar me një investim në para prej 5,000 eurosh.
Drejtori është nga Austria, por me origjinë maqedonase, Nikollçe Jovanovski. Ai është një nga drejtorët e “Pella Global Limited”, një kompani që punon në projekte minierash dhe energjie të rinovueshme në të gjithë Evropën Juglindore.
Në faqen e internetit të “Pella Global Limited” thuhet se strategjia e kësaj kompanie është: promovimi dhe zhvillimi i projektit për rifillimin e minierës së kristalit të antimonit, në Krstov Doll, pranë Kriva Pallankës, dhe projekti për gjetjen e arit pranë Lukës, pranë Kriva Pallankës.
Kjo nuk është hyrja e parë e KOM-KO në sektorin e energjisë.
Në vitin 2020, KOM-KO, së bashku me tre persona fizikë dhe kompaninë “Industria e Mullirit dhe Pjekjes Zito Karaorman”, themeluan hidrocentralin Dragov Dol në Kërçovë.
Paraprakisht, baza e të dhënave e BIRN “Pronat fetare nën thjerrë”, përveç pronës fetare të regjistruar, zbuloi se KOM-KO, përveç tempujve dhe manastireve, zotëron edhe një numër apartamentesh, lokalesh biznesi, tokash të punueshme dhe objektesh turistike. Disa prej tyre i sjellin të ardhura nga qiraja.